10 tonë kërpudha prodhohen brenda ditës
12/08/2016

Menaxhmenti i fabrikës për prodhimin e kërpudhave “Hirano Mashroon”, e cila tani ka të punësuar 170 punëtorë, synon që me ndërtimin edhe të fabrikave të tjera që do të shtrihen në 6 hektarë tokë, pronë e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, të prodhojë 50 tonë kërpudha në ditë, nga të cilat do të realizojë përfitimin prej 250 mijë eurosh

Nuk kanë kaluar dy muaj të plotë nga fillimi i punës së fabrikës për prodhimin e kërpudhave në Gushavc të Mitrovicës, investim i kompanisë “Hirano Mashroon”, e prodhimi i saj ka arritur në 10 tonë në ditë.

Fillimisht, sipas menaxhmentit të fabrikës prodhoheshin 4 tonë kërpudha në ditë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Në këtë fabrikë, nga 5 sa do të ndërtohen në Gushavc të Mitrovicës, në pronat e familjes së kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, janë punësuar 170 mitrovicas, në mesin e tyre edhe shumë femra.

Kjo kompani ka planifikuar t’i ndërtojë edhe 4 fabrika të tjera për prodhimin e kërpudhave, me çka përveç investimeve do të shtohet edhe prodhimi.

Prodhimet e kërpudhave janë kryesisht për eksport. Në ditë, sipas menaxhmentit të fabrikës, prodhohen 10 tonë kërpudha, nga të cilat përfitohen 50 mijë euro.

Por prodhimi i kërpudhave synohet të shtohet me ndërtimin edhe të disa fabrikave të tjera, gjithashtu në pronat e kryetarit të Mitrovicës në Gushavc.

Fabrika për prodhimin e kërpudhave, e cila ka filluar punën në fillim të qershorit të këtij viti, pohohet të jetë fabrika më e madhe për prodhimin e kërpudhave në Evropë.

 Bahtiri: Do t’i prodhojmë 50 tonë në ditë

I pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili vazhdimisht pohon se Qeveria e Kosovës, por edhe dega e PDK-së në Mitrovicë e kishin penguar që fabrikën ta ndërtojë në pronën komunale, atje nuk është e shfrytëzueshme për interesa të Komunës dhe të shtetit, ka thënë se do të ndërtohen edhe disa fabrika të tjera për prodhimin e kërpudhave për transport. Sipas tij, me ndërtimin e këtyre fabrikave, atëherë do të prodhohen dhe do të eksportohen 50 tonë kërpudha në ditë për tregun evropian.

“Nga 50 tonë kërpudha në ditë që do të prodhohen në fabrikat e kompanisë së njohur japoneze ‘Hirano Mushroon’ do të realizohen të hyra prej 250 mijë eurosh në ditë. Me rritjen e kapaciteteve të prodhimit do të shtohet edhe numri i punëtorëve dhe do të punësohesh rreth 1 mijë punëtorë”, i ka thënë “Zërit” kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, të mërkurën. I pari i Mitrovicës nuk ka harruar t’i theksojë vështirësitë që ka pasur në rrugëtimin e tij për ndërtimin e kësaj fabrike.

“Qeveria është përpjekur të më bllokojë çdo mundësi për dhënie të ndonjë hapësire të tokës, ani pse ka shumë sipërfaqe toke që nuk shfrytëzohen për veprimtari prodhuese, qoftë edhe për veprimtari tjera investuese që do të hapnin vende të reja pune për të zbutur papunësinë e madhe. Qeveria, por edhe njerëzit e PDK-së në Mitrovicë më kanë penguar edhe që të blejë tokë për ndërtimin e fabrikës. Unë isha marrë vesh me disa pronarë që t’ua blej tokën, bile pata ofruar çmime të larta, vetëm që të mos dështojë ndërtimi i fabrikës. E gjithë makineria dhe teknologjia që më kishte ardhur nga Japonia priste vetëm për t’u instaluar, por në mungesë të tokës ndërtimi shtyhej, sepse njerëzit, të cilët ishin kundër zhvillimit të Mitrovicës dhe kundër punësimit të mitrovicasve, bënin shantazhe nga më të ndryshmet. Nuk kishte zgjidhje tjetër, përveç ta lëshoj tokën e familjes time. Si familje unë kam tokë të mjaftueshme për ndërtimin e fabrikave”, përkujton kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

 170 të punësuar

Ai ka siguruar se fabrika tashmë punon me një ritëm normal për prodhimin e kërpudhave aziatike kryesisht për tregun e jashtëm. “Në anën tjetër, ndërtimi i fabrikave të tjera afër, do të jetë një kontribut i mirë për zvogëlimin e numrit të madh të papunëve në këtë qytet. Procesi i prodhimit të kërpudhave është mjaft interesant. Në bazë të kërkesave në treg për këso kërpudhash cilësore ‘Hirano Mushroom’ do të jetë kompani e suksesshme dhe kryesore për tregun evropian”, siguron i pari i Mitrovicës.

Ndryshe, fabrika për prodhimin e kërpudhave në Gushavc të Mitrovicës, ka filluar punën më 1 qershor të këtij viti. Për dy muaj, sipas drejtorit të fabrikës, Valdrin Lluka, janë punësuar 170 punëtorë. Prodhimi ditor, sipas Llukës aktualisht është 10 tonë në ditë, nga të cilët përfitohen 50 mijë euro.

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të disa investitorëve nga Japonia, Holanda, Franca dhe Kosova, ndërsa ndërtimi i fabrikës, që sipas kryetarit Bahtiri, por edhe kreut të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, është më e madhja në Evropë, ka koston prej 5 milionë eurosh. Ky i fundit ka deklaruar se kjo fabrikë është vetëm 20 për qind e asaj që do të ndërtohet në të ardhmen e afërt në sektorin e prodhimit të kërpudhave. Sipas tij, një e tillë shpejt do të ndërtohet në Lipjan./ Zëri

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart