
AKR inicon mocion votëbesimi për Qeverinë
22/10/2010
Kryetari i AKR-së, z.Behgjet Pacolli ka ftuar të enjten në një tryezë të rrumbullakët të gjitha partitë e opozitës për të unifikuar qëndrimet lidhur me krizën e fundit të krijuar në Kosovë.
Në këtë takim ku ishin prezent Kryetari i PSD-së, Agim Çeku, Kryetari i PD-së, Ferid Agani dhe nënkryetari i PPI-së, Aziz Abrashi, të cilët sëbasku me Liderin e AKR-së, z. Behgjet Pacolli arritën në këto përfundime:
Kriza institucionale, politike dhe ekonomike e Kosovës e ka bazën në qeverisjen e keqe të dy ish-partnerëve të koalicionit qeveritar PDK dhe LDK në këto tre vjet.
Kjo krizë u thellua edhe më shumë me zinxhirin e shkeljeve kushtetuese që zënë fill me: ish-presidentin e Republikës që mbajti mandatin e Presidentit dhe kryetarit të LDK-së, njëherësh me tolerimin e kësaj shkeljeje prej PDK-së dhe me braktisjen anti-institucionale të detyrës prej ministrave të LDK-së.
Në këtë takim u dakorduan se kjo krizë dëmton para së gjithash interesat e qytetarit të Kosovës, i cili mbetet pa përgjigje për hallet dhe shqetësimet e tij.
Kjo krizë ndodh kur Kosova gjendet para sfidave jetike në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Në këto kushte, AKR-ja e sheh si të domosdoshme, unifikimin e qëndrimit të opozitës për gjetjen e rrugëve kushtetuese për daljen nga kriza. Nuk mund të vazhdohet me qëndrime të veçuara të seicilës prej partive tona, por duhet një kapërcim i interesave personale në për hir të shtetit të Kosovës.
Pas takimit, Presidenti i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, në një konferencë për media shprehu shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Kosovë. Ai tha se nuk mund të vazhdohet edhe më tutje me këtë gjendje dhe konfirmoi se Grupi Parlamentar i AKR-së do të inicojë Mocion Votëbesimi për Qeverinë e Kosovës përmes një seance të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës.