AKR ka plan konkret për punësimin e 80 mijë qytetarëve çdo vit
04/11/2016

Në vazhdën e praktikave të bashkëbisedimit me qytetarët e Kosovës për zhvillim ekonomik dhe punësim, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli, sot në prani të qindra qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve në Pejë, ka folur për mundësitë e ndryshimit të situatës aktuale ekonomike dhe politike në vend.

Duke i përshëndetur të pranishmit Presidenti i AKR-së ka folur për problemet esenciale me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, duke u fokusuar veçanërisht në çështjen e papunësisë si dhe në mungesën e investimeve kapitale.

Presidenti i AKR-së fillimisht ka folur për potencialin që Peja e ka. Ai ka thënë se ashtu si edhe shumë vende të tjera në Kosovë, Peja është trajtuar padrejtësisht nga udhëheqësia vendore. “Buxheti i shtetit duhet që në mënyrë demografike të shkojë proporcionalisht edhe me investime. Komuna e Pejës përbën rreth 8 ose 9 përqind të territorit të vendit dhe qeveria merr rreth 5 deri në 6 përqind të të hollave për buxhet nga komuna e Pejës, ndërsa shpërndarja buxhetore që bëhet për Pejën nga qeveria dhe buxheti i Kosovës është rreth 1.1 përqind”. Ai ka theksuar se rritja e standardit jetësor nuk mund të bëhet pa zhvillim ekonomik, duke i akuzuar qeveritë e deritashme për mungesë vizioni dhe përgjegjësie.

“Unë sot ju garantoj, jam në gjendje të bëj edhe kontratë publike me qytetarë, se AKR-ja do të mundësojë ngritje ekonomike për 10 përqind qysh në fillim të qeverisjes, vetëm kështu mund të krijohen vendet e punës”, ka thënë Pacolli.

Ai e ka akuzuar qeverinë duke thënë se që nga paslufta me Kosovën operojnë rreth 20 njerëz. Pacolli ka thënë se janë këta individë të cilët e keqtrajtojnë Kosovën dhe e mbajnë peng atë. Ndërsa për faktin që korrupsioni sot e ka kapluar vendin, lideri i AKR-së ka thënë se këto nuk janë statistikat e tij por të organizatave ndërkombëtare, të cilat raportojnë për korrupsion.
“Ne sot kemi rreth 70 përqind nepotizëm në qeverinë qendrore, ndërsa nëpër Komuna është edhe më keq”, ka thënë lideri i AKR-së, duke përmendur edhe mënyrën se si kjo udhëheqësi dhe qeveri vendore flet për integrime evropiane. Pacolli ka thënë se çdo e dyta fjalë e tyre është “Integrimet Euro Atlantike”, duke pyetur se për çfarë integrimesh është fjala. Pacolli ka thënë se tashmë e gjithë Kosova është dëshmitare se kjo qeveri vepron kundër normave dhe ligjeve evropiane.

I pari i AKR-së ka thënë se Aleanca Kosova e Re do të krijojë qeverisje të mirë duke rritur buxhetin dhe duke krijuar fonde për gjeneratat e ardhshme. “Gjithçka duhet të bëhet në mënyrë transparente sepse të gjitha projektet qeveritare bëhen me paratë e qytetarëve. Tokat dhe të gjitha resurset që keqtrajtohen sot, janë prona dhe djersë e qytetarëve”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se udhëheqësia e vendit është ajo e cila e ka zhdukur shtresën e mesme shoqërisë. “Ne sot kemi vetëm 2 shtresa të shoqërisë, një shumë të pasur ku bëjnë pjesë qeveritarët si dhe shtresa e varfër ku bëjnë pjesë qytetarët e Kosovës” është shprehur Pacolli.

Ai ka garantuar se në mandatin e parë qeveritar, AKR do të krijojë mundësi për jetë stabile të qytetarëve si dhe rifunksionalizim të vendit.

AKR-ja do t’i rishikojë të gjitha ligjet e Kosovës një nga një dhe do t’i adaptojë ato në interes të qytetarit dhe jo në favor të njerëzve të fortë. AKR-ja ka plan-program modern dhe e di saktësisht se si duhet të veprojë.

Pacolli ju premtoi qytetarëve të Pejës së me AKR-në në pushtet, ai do të jetë në shërbim të qytetarëve për t’ju garantuar atyre mirëqenie, duke shtuar se askush më nuk do të ketë nevojë të migrojë jashtë Kosovës, pasi përmes projekteve ekonomike të AKR-së, do të sigurohet punësimi për të gjithë.

Debati më pas ka vazhduar me pyetje të shumta të qytetarëve të Pejës për z.Pacolli, i cili e mori fjalën dhe ju dha përgjigje kërkesave dhe pyetjeve që i shtruan pjesëmarrësit e këtij debati.

peja3 peja peja2

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart