
AKR: Të ruhet sovraniteti territorial i Kosovës
28/05/2010
Aleanca Kosova e Re, shpreh qëndrimin e saj lidhur me ngjarjet e fundit të cilat janë shumë shqetësuese për shkeljet e vazhdueshme të integritetit dhe sovranitetit të vendit nga Qeveria e Serbisë.
Aleanca Kosova e Re, rithekson qëndrimin e saj lidhur me zgjedhjet lokale të paralajmëruara nga autoritet serbe në komunat serbe të Veriut të Kosovës.
Zgjedhjet në fjalë, të cilat janë paraparë të mbahen me 30 maj 2010, cenojnë integritetetin dhe sovranitetin e vendit, prandaj AKR-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse ndërkombëtare, parandalimin e menjëhershëm të mbajtjeve të tyre.
– Shkelja flagrante e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës nga zyrtarët e padëshiruar serb, humb besimin e qytetarëve të shtetit të Kosovës për Qeverinë e vendit dhe institucionet ndërkombëtare të cilat janë përgjegjëse për mbrojtjen, integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.
– Vazhdimësia e vizitave të qeveritarëve të Serbisë, rrit tensionet destabilizuese të qytetarëve të Kosovës dhe njëkohësisht sfidon të ashtuquajturën “Strategji për Veriun”, inkurajon grupet ekstremiste serbe, në veçanti në veri të vendit.
Gjithashtu Aleanca Kosova e Re, shpreh indinjatë të thellë ndaj pasivitetit dhe reagimit të vonuar të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore në raport me vizitat e zhvilluara nga politikanët serb në Mitrovicën e Veriut. Këto vizita, i konsiderojmë si shkelje të rëndë të sovranitetit të Kosovës dhe paqëndrueshmëri të çfarëdo zbatimi të strategjisë për Veriun.
I bëjmë thirrje edhe një herë Qeverisë së Kosovës të jetë më aktive në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit, përmes Ministrit të Jashtëm të ushtrojë trysni të vazhdueshme në Bruksel dhe Uashington që të ndërmarrin masa të menjëhershme diplomatike dhe ndëshkuese ndaj të gjitha veprimeve të papërgjegjshme të Serbisë e cila me provokime të njëpasnjëshme duke shtuar dhe këto të fundit, është duke insistuar të destabilizojë Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.
Shefki Abdullahu
Këshilltar Politik për Siguri Nacionale i Presidentit të AKR-së
——————————————————-
Konferencë – 21.05.2010
Politika dhe Siguria Nacionale e Republikës së Kosovës
Të gjitha zhvillimet e fundit si: ndërhyrja e EULEX-it në institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për luftimin e korrupsionit, kontrolli i mangët i kufijve nga institucionet vendore dhe atyre ndërkombëtare e posaçërisht në veri të Mitrovicës, incidenti i fundit në fshatin Radushë në afërsi të kufirit me vendin tonë ku u ekzekutuan 4 shqiptarë nga policia e Republikës së Maqedonisë ku njëri prej tyre ishte shtetas nga Kosova, organizimi i mbajtjeve të zgjedhjeve lokale në disa komuna me shumicë serbe të organizuara nga Beogradi,vizita e kryetarit të Partisë Radikale të Serbisë, sulmi terrorist nga njësitë paramilitare serbe në njësitin e KFOR-it Danez në Zubin Potok me në letër kërcënuese dhe kontrolli jo i zakontë i delegacionit më të lartë të ekzekutivit të vendit nga EULEX-i në ANK.
Vazhdimësia e luftimit të korrupsionit nga EULEX-i në institucionet e Republikës së Kosovës, është e domosdoshëm, por njëkohësisht ka zbehur shumë autoritetin qeverisës dhe organeve të policisë, hetuesisë dhe gjyqësisë dhe njëkohësisht ka ulur imazhin e qeverisë të vendit brenda dhe jashtë Kosovës, sidomos kontrolli i valixheve të delegacionit më të lartë të ekzekutivit të Kosovës në ANK në udhëtimin zyrtar për në Turqi.
Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk interesohet fare për problemet e qytetarëve të saj brenda dhe jashtë vendit. Rasti i ekzekutimit të qytetarit me shtetësi nga Republika e Kosovës në fshatin Radushë të Republikës së Maqedonisë ku ekzaminimi i ekzekutimit u zhvillua vetëm nga organet e policisë së Maqedonisë, dhe ky rast është një shembull konkret i mungesës së kësaj përkujdesjeje.
AKR-ja ashpër e kundërshton sulmin dhe kërcënimin e fundit të njësive paramilitare serbe kundër KFOR-it Danez në Zubin Potok, përkatësisht në hotelin “PINK” i cili sulm është plotësisht i kontrolluar nga Serbia dhe i motivuar politikisht për destabilizim të pjesës veriore të Mitrovicës, pikërisht pas paralajmërimit të mundësisë së zhvillimit të bisedave teknike në mes të Prishtinës dhe Beogradit si dhe vizitës së fundit të kryetarit të Partisë Radikale ultranacionalistit serb Tomislav Nikolic.
AKR-ja kërkon nga KFOR-in dhe institucionet e Republikës së Kosovës ta ushtrojnë mandatin e tyre në tërë territorin e Kosovës dhe të jenë më të vendosura në kthimin e sundimit të ligjit, luftimin e dukurive të tilla të personave të papërgjegjshëm, njëkohësisht largimin e njësive paramilitare serbe të cilat në kontuinitet manipulojnë me popullin serb të Kosovës dhe zbehin imazhin e Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë vendit.
AKR-ja kërkon nga institucionet e Kosovës, KFOR-i, ICO-ja dhe EULEX-i të bashkëpunojnë ngushtë në fushën e politike dhe të sigurisë nacionale, njëkohësisht të marrin nën kontroll tërë territorin e Republikës së Kosovës për të eliminuar funksionimin e organeve paralele serbe në Kosovë, në të kundërtën siguria e vendit në vijimësi do të jetë e brishtë dhe do të prodhojë jostabilitet në vend dhe rrezikshmëri të qytetarëve dhe organeve përgjegjëse ndërkombëtare dhe atyre vendore të cilat janë përgjegjëse për siguri dhe mbrojtje të Republikës së Kosovës.
AKR-ja kërkon dorëheqje të menjëhershme të Qeverisë dhe krijimin e një Qeverie Teknike dhe shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, zbatueshmëri të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sundim të rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të të gjithë qytetarëve të vendit, sepse vetëm kështu do të krijohet stabilitet dhe siguri në vend dhe do të ngritet imazhi i vendit brenda dhe jashtë Kosovës.
Shefki Abdullahu
Këshilltar Politik për Siguri Nacionale i Presidentit të AKR-së