
Arsimi, edukimi dhe shoqëria informatike
27/11/2010
Në vazhdën e debateve të inicuara nga koalicioni AKR-PD-PSD-E15-PPI-PPK-PNDSH-PGJK, sot ne selinë qëndrore të Aleancës Kosova e Re, u mbajt debati me temën “Arsimi, edukimi dhe shoqëria informatike”.
Për të diskutuar për këtë çështje prezent ishin tre panelistë, në mesin e të cilëve edhe nënpresidenti i AKR-së, prof. Ibrahim Gashi, prof.Fadil Maloku dhe znj.Bardha Çirezi, ndërsa për të debatuar kishin ardhur edhe ekspertë të pavarur dhe mysafirë të tjerë.
Debatin e hapi z.Rexhep Gashi, i cili fillimisht foli për rëndësinë e arsimit dhe edukimit, kështu duke ia dhënë fjalën panelistit të parë, z.Ibrahim Gashi.
Prof. Ibrahim Gashi së pari foli për objektivat e MASHT-it në vitet që lamë pas, duke përmendur edhe një sërë dështimesh të qeverisë, e cila nuk i kishte përmbushur objektivat as në këtë lëmi.
Sipas tij, pikat kryesore të këtyre dështimeve janë, injorimi i kornizës ligjore ekzistuese me rastin, emërtimi i BALP si Kolegje, mosratifikimi i vendimit për hapjen e UPZ nga Kuvendi i Kosovës, moslëshimi i vendimeve për akreditim të BALP, mospërgjigjja në ankesat e palëve, thellimi i politizimit në arsim,në politikën e pranimit të kuadrove, madje edhe të studentëve, në përberjen e AKA-së ku një anëtar i bordit nga shoqëria civile është i punësuar i qeverisë në një projekt tjetër si dhe injorimi i rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtar.
Profesor Gashi po ashtu paraqiti edhe konsolidimin e reformës në arsim sipas Koalicionit për Kosovën e Re.
“Reforma jonë në arsim, do të synojë kthimin e universiteteve në qendra kërkimore e shkencore, nga ku duhet të avancohet më tej zhvillimi akademik dhe profesional drejt progresit teknologjik dhe shkencor. Një politikë më nxitëse dhe parësore do të synohet dhe për zhvillimin e institucioneve shkencore, jo vetëm brenda skemës së Akademisë së Artit dhe Shkencës.” tha ai, për të vazhduar se buxheti publik për mbështetjen e aktiviteteve kërkimore do të arrijë 7- 10 milion ( fondi nacional për kërkime dhe ministritë) dhe kjo do të fuqizojë ngritjen e kapaciteve dhe stnadardeve të aktivitetit kërkimor në institucionet e arsimit të lartë.
Panelisti i dytë prof.Fadil Maloku, foli për deklaratën e Bolonjës dhe vështirësitë që duhen tejkaluar, krijimin e parakushteve për një kompatibilitet të diplomave dhe kualifikimeve, si dhe mobilitet në procesin e integrimit dhe bashkëpunimit në nivel të Evropës.
“Por ,kur jemi te kjo temë, natyrisht që është po ashtu e rëndësishme të shtrojmë një pyetje fundamentale: Sa ka arritur sistemi ynë i tanishëm i arsimit, të jetë koherent me këto zhvillime dhe procese globale? Bindja jonë, është se përkundër një përparimi evident, Kosova akoma është larg standardeve të parapara me Deklaratën e Bolonjës”, tha ai.
Ai përmendi një varg vështirësish apo pengesash shumë serioze në këtë aspekt, të cilat i kishte identifikuar me përvojën e tij si pedagog, me një përvojë thuajse tri dekadëshe në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja në Kosovë.
Profesor Maloku, kishte nxjerrë edhe konkluzione lidhur me sistemin arsimor në vend . “Reforma në arsimin tonë nuk është një luks por një nevojë e akomodimit dhe përshpejtimit të kompetivitetit të shoqërisë dhe ekonimisë kosovare në hapësirat Euroatlantike”, theksoi ai.
Ndërkaq panelistja e tretë, znj. Bardha Çirezi i nga përvoja e saj kishte nxjerrë disa rekomandime;
• Investimi në nivele më të ulta të shkollimit rrit efiçencën alokative në ekonomi (sepse kthimi është më i lartë).
Koncentrimi i investimeve publike në nivelet më të ulta të shkollimit do të rriste edhe pjesëmarrjen në nivelet më të larta
• Subvencionet për arsim të lartë duhet t’i drejtohen vetëm studentëve të aftë, por të kufizuar financiarisht dhe në sektoret me interest e veçantë si Programet e Edukimit që të bëjnë atraktiv profesionin e mësimdhënësit si për nga programet atraktive po ashtu edhe për nga pagesa. Kjo për shkak se cilësia e një sistemi arsimor nuk mund të tejkalojë cilësinë e mësimdhënësve .
• Kosova duhet të përmirësojë shkollimin fillestar dhe trajnimin e plotë jetësor, për të ndihmuar tranzicionin ekonomik dhe shoqëror në përgjithësi përmes mundësive më fleksibile të për trajnim dhe certifikim
• Kosovës i duhet një përvojë e edukimit relevante dhe demokratike e cila i integron grupet në kufizim dhe i përfshin nxënësit dhe mësuesit në zhvillimin e dijes duke pasur parasysh nevojën për të rritur vetëdijen e të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë dhe ndjenjën e përgjegjësisë tek nxënësit.