Behgjet Pacolli në mesin e 100 figurave të ndritura shqiptare

Z.Pacolli u zgjodh gjithashtu edhe President nderi i Albanian Excellence, e cila çdo vit do të marrë përsipër identifikimin e individëve të suksesshëm jashtë vendit dhe do t’i shndërrojë ata në figura publike për opinionin e brendshëm.

Në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë,  u zhvillua Mbrëmja Gala, me 100 të zgjedhurit e Albanian Excellence, një Organizatë jo qeveritare prestigjoze nga Shqipëria. Këta të zgjedhur ishin që të gjithë individë të shquar shqiptarë në profesione të ndryshme, si menaxherë, juristë, inxhinierë, muzikantë, profesorë, fizikantë, psikologë, etj të cilët janë afirmuar në fushën e tyre në rrafsh ndërkombëtar.

Pacolli ishte gjithashtu i zgjedhuri i kësaj liste emrash, e cila impresionoi opinionin publik shqiptar me aftësitë dhe shkallën e lartë të integrimit në shoqërinë dhe jetën publike të vendeve ku jetojnë dhe punojnë.

Pacolli u prezentua nga organizatori si « njeri që flet shumë gjuhë të huaja, qytetar i Kosovës, Zvicrës dhe gjithë botës », « njeri që kudo, në Universitet, në ndërmarrësi, në politikë, ka qenë dhe do të bëhet më i miri ».

z. Pacolli nga ana e tij e vlerësoi çmimin dhe iu përgjigj pyetjeve të prezantueses. Ai përshkroi ngjarjet që përcaktuan hopet e mëdha cilësore në jetën e vet dhe bëri thirrje për investim të shpirtit në arritje të suksesit. Ai tha « se dikur do të vijë koha e ideve të mira, dhe se shumë ide të mira megjithatë janë duke u jetësuar ».

Ai tha « se jeta e vet i ngjante shumë jetës që ai bënte dikur në fshat », dhe se « pasuria e tij më e madhe janë miqtë e shumtë ».

Behgjet Pacolli u zgjodh njëzëri prej Bordit, President Nderi i Albanian Excellence.