Behgjet Pacolli sjell njohjen nga Benini

Republika e Beninit është shteti i 80-të që ka njohur shtetin e Kosovës. Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar zyrtarisht njohjen e shtetit të Kosovës nga Republika e Beninit.

Njohja nga Benini i është dorëzuar zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli nga presidenti i Beninit, Yayi Boni gjatë një takimit zyrtar. Kjo njohje është rezultat i aktiviteteve të vazhdueshme lobuese të Behgjet Pacollit.

Ibrahim Gashi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme në një konferencë për media tha se njohja nga Benini është rezultat i angazhimit të Pacollit në kontinentin e Afrikës.

Sipas tij, shumë shpejt pritet që Kosovën ta njoh edhe Nigeria, me presidentin e së cilës Pacolli ka pasur një darkë pune dhe ka marrë premtim për njohje.

Ai ka mohuar se angazhimi i zëvendëskryeministrit Pacolli për njohje po len nën hije Ministrinë e Punëve të Jashtme. Sipas tij strategjia është bërë edhe në koordinim me MPJ-në, Qeverinë dhe Presidenten e Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi tha se janë në rrugë të mirë edhe në kontinentin e Afrikës dhe Azisë për njohje të reja.

Republika e Beninit kufizohet me Togon, Nigerinë, Burkina Fason dhe Nigerin.

Kryeqyteti i Beninit është Porto Novo. Benini ka një sipërfaqe prej 110 mijë kilometrash, me rreth 9 milionë banorë.