
Çeku: Koalicioni, Strategji për të hyrë në NATO
03/12/2010
Në vazhdën e debateve të inicuara nga Koalicioni AKR-PD-PSD-E15-PPI-PPK-PNDSH-PGJK, sot në zyrat e AKR-së, u mbajt tryeza me temën: “Integrimet, rendi, ligji dhe siguria“ ku diskutua për problemet aktuale në këto fusha.
Për të diskutuar për këtë çështje prezent ishin panelistët, z.Agim Çeku, z.Shefki Abdullahu dhe z.Avni Dervishi të cilët po ashtu janë në listën e kandidatëve për deputetë të këtij koalicioni, si dhe ekspertë të pavarur dhe mysafirë të tjerë.
Ata biseduan më shumë rreth çështjes së integrimit euroatlanik si dhe për mungesën e sigurisë në Kosovë.
Z. Avni Dervishi kandidat për deputet të këtij koalicioni, foli për kushtet apo kriteret që e definojnë nëse një vend mundet të kualifikohet që t’i bashkohet Unionit Evropian.
“Kushti nënkupton që shteti i ka institucionet që ta respektojë e zhvillojë qeverisjen demokratike dhe t’i respektojë të drejtat e njeriut, të ketë një treg funksional të ekonomisë së tregut, si dhe shteti t’i pranojë obligimet dhe arsyet ekzistuese të Unionit Evropian”, theksoi Dervishi.
Ai tha se pasaportat biometrike, kontrollimi i kufijve dhe bashkëpunimi 100% në çështjen e luftimit të kriminalitetit përtejkufitar (ndarja dhe përdorimi i gjithanshëm i regjistrave) nuk janë prezentë në Kosovë, dhe këto janë kushtet që shteti duhet plotësuar, për Liberalizim të vizave.
“Integrimi regjional është i domosdoshëm. Në Kosovë nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim evropian pa involvimin e rinisë, dhe ne si Kosovë e Re, ofrojmë zgjidhje konkrete për forcimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në Kosove” është shprehur Avni Dervishi.
Në anën tjetër, Agim Çeku ka diskutuar më tepër për integrimin e Kosovës në NATO. “ Kosova ende nuk e ka filluar procesin e integrimit në NATO. NATO na është gjetur në kohën më të vështirë. Kosova do bëhej e barabartë me integrimin e saj, në vendimmarrje. Strategjia e sigurisë në Kosovë bazohet në bashkëpunimin ndërkombëtarë. Duke iu përshtatur sistemit të NATO-s, ne e modernizojmë shoqerinë dhe gjithë aspektet e tjera të jetës në shtetin tonë,” është shprehur Çeku.
Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian vazhdon ta monitorojë Kosovën, por NATO ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje konkrete.
“Mungon iniciativa për të siguruar forcë të mjaftueshme për sigurinë e brendshme, si dhe mungesa e kapacitetit ushtarak të Kosovës. Fakti që Kosova i ka rreth 2 milion banorë, shteti duhet të ketë 40 mijë trupa ushtarake. Mbrojtja e sovranitetit territorial dhe siguria e jetës së gjithë qytetarëve është mungesë e një strategjie përcaktuese së arritjes të qëllimit. Ne si koalicioni për Kosovë të Re, do ta hartojmë një strategji të mirefilltë kosovare, adoptimin e kornizës ligjore dhe integrimin e Kosovës në NATO”, deklaroi z. Agim Çeku.
Ndërsa, z.Shefki Abdullahu, i cili poashtu është kandidat për deputet në koalicionin për Kosovë të Re si dhe ekspert i sigurisë, tha se imazhi i Kosovës do ishte më i mirë për investime të brendshme në qoftë se nuk do kishte mungesë të sigurisë.
“Forcimi dhe garantimi i sigurisë publike si dhe individuale duhet të jetë i avancuar për integrime të mëtutjeshme. Po ashtu rishikimi i proceseve dhe transformimi i FSK-së janë të nevojshëm për ta pasur një shtet të avancuar. Sektori i sigurisë është kurrizi i shtetit”, tha Abdullahu.
Ai ka theksuar se Qeveria në dorëheqje është dashur të jetë më aktive, sepse çdo gjë pas luftës ka qenë dhe është prioritet për ta rregulluar.
“Pa siguri nuk ka stabilitet. Pa stabilitet nuk ka investime,” shtoi më tej Shefki Abdullahu.