
Duhet të ngriten shkolla afatgjate për shërbime policore
02/12/2010
Në vazhdën e debateve të inicuara nga Koalicioni AKR-PD-PSD-E15-PPI-PPK-PNDSH-PGJK, sot në zyrat e AKR-së, u mbajt tryeza me temën: “Mitrovica, bashkëjetesa, të drejtat e njeriut dhe komunitetet “ u diskutua për problemet aktuale në këto fusha.
Për të diskutuar për këtë çështje prezent ishin panelistët, z.Ibrahim Makolli dhe z.Shefki Abdullahu, të cilët po ashtu janë në listën e kandidatëve për deputetë të këtij koalicioni, si dhe ekspertë të pavarur dhe mysafirë të tjerë.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është në përputhje me standardet evropiane, të cilat kërkojnë stabilitet institucional duke garantuar demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut si dhe respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve. Sigurimi i plotë për respektimin e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve janë prioritete kyçe të Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve të tjera të saj” ka theksuar zoti Ibrahim Makolli. Ai është shprehur se Kushtetuta e
Republikës së Kosovës, ua garanton të gjithë personave në Kosovë gëzimin e të drejtave dhe të lirive njerëzore themelore në barazi të plotë dhe pa asnjë lloj diskriminimi dhe obligon institucionet të respektojnë dhe të sigurojnë standardet e pranuara ndërkombëtarisht të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut.
Makolli deklaroi që përveç ligjeve vendore, Neni.22 i Kushtetutës se Republikës se Kosovës tregon se, ‘të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara nga marrëveshjet dhe instrumentet e shënuara me poshtë janë drejtpërdrejtë te aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe në rast të konfliktit, kanë prioritet ndaj dispozitave të ligjeve dhe akteve te institucioneve publike vendore:
- Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut,
- Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe protokolet e saj,
- Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike të Njeriut dhe protokolet e saj,
- Konventën për të Drejtat e Fëmijëve,
- Kartën për eliminimin e të gjitha fomave të Diskriminimit Racial,
- Kartën Evropiane të Gjuhëve Rajonale dhe Minoritare dhe,
- Kornizën e Konventës të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve.
- Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve dhe Ndërshkimeve të tjera Mizore, Jonjerezore dhe Poshtëruese.
Ai ka shtuar se bashkëpunimi i Kosovës me mekanizmat e të drejtave të njeriut është i kufizuar pasi që Kosova nuk është pjesëtare e OKB ose e Këshillit të Evropës. Si pasojë, qytetarët e Kosovës nuk e kanë mundësinë e padisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndaj institucioneve të Kosovës. Sa i përket promovimit të forcimit të të drejtave të njeriut, në dhjetor 2008 qeveria ka aprovuar strategjinë dhe planin e veprimit për të drejtat e njeriut për periudhën 2009-2010.
“Nën qeverisjen e Koalicionit për Kosovë të Re do të krijohen mekanizma të efektshëm jo vetëm për të mbrojtur, por edhe për të avancuar të drejtat dhe liritë e njeriut, me fokus të vecantë grupet e margjinalizuara në shoqëri”, theksoi Ibrahim Makolli.
Në anën tjetër, Shefki Abdullahu, kandidat për deputet në koalicionin për Kosova të Re si dhe ekspert i sigurisë, ka diskutuar më tepër për cështjen e sigurisë në Mitrovicë. “Asnjë institucion vendor në Mitrovicë, nuk është komplet funksional dhe nuk mundet ende të veprojë sic duhet. Faktorët ndërkombetarë, i kanë arsyet se si ka ardhur situata e veriut deri këtu. Mitrovica është krijuar një problem politik real, dhe tash Beogradi me Prishtinën duhet të negociojnë.” Është shprehur Abdullahu.
Ai ka theksuar se qytetarët duhet të kthehen në pronat e tyre, si ato shqiptare por edhe sërbe, si kusht për rregullimin e kësaj situate.
“Nëse zbatohet siguria, ligji do fillojë të fuksionojë. Futja e Kosovës në Partneritet të Paqës, është prioritet për neve, dhe pas futjes në këtë partneritet, pason integrimi i Kosovës në NATO. Mbrojtja dhe siguria e integritetit shtetëror janë priritetet tona. Duhet të ngriten shkollat më afatgjate për shërbimet policore, që të mund të arrijnë në komandant apo polic të kualifikuar profesional. Mitrovica është një proces që sa më shpejtë duhet të kontrollohet. Duhet të krijohet ambient terësisht i sigurtë në pjesën veriore të Kosovës” është shprehur Abdullahu.