
Fjalimi i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, z. Abduselami Shkodra në konferencën
09/12/2017
Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar si kërcënimet më serioze ndaj shtetit të së drejtës, besimit në institucione, dhe zhvillimit në përgjithësi, konsiderohen ndër sfidat më të mëdha në nivel global, rajonal, e kombëtar. Sidomos shtetet e reja, duke pas institucione në konsolidim e sipër, janë më shumë të atakuara dhe të prekura nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Niveli i ulët dhe jo i kënaqshëm i institucionalizimit të shtetit, shfrytëzohet si oportunitet inkurajues për kriminelët që të ushtrojnë aktivitete korrupsioni dhe krimi të organizuar, shpesh edhe deri në nivel të krijimit të strukturave paralele, krahas institucioneve shtetërore, të cilat sfidojnë vazhdimisht funksionin e ushtrimit të së drejtës nga ana e institucioneve të shtetit. Në disa raste kjo i shpie shtetet edhe drejt transformimit në shtete të dështuara. Duhet theksuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ndër shkaktarët kryesor të dështimit të shteteve.
Kosova si shtet i ri, më institucione në konsolidim e sipër, gjithashtu nuk është kursyer nga këto dy të këqija, korrupsioni dhe krimi i organizuar, duke u sfiduar seriozisht që nga paslufta, përfshi edhe kohën pas shpalljes së pavarësisë. Niveli i ulët i zhvillimit dhe funksionimit institucional të Kosovës pas lufte, si përvojë e bartur në një masë edhe pas shpalljes së pavarësisë, është konsideruar si ambient i përshtatshëm dhe inkurajues për zhvillimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është reflektuar edhe në raporte të ndryshme, përfshi edhe ato ndërkombëtare, ku Kosova rangohet më shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Megjithatë, institucionet e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi janë përpjekur për tu përballur me këtë të keqe. Në këtë aspekt vlerësohet lartë roli i shteteve mike të Kosovës në mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve shtetërore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër, Kosova është mbështetur edhe nga misionet ndërkombëtare, si UNIMIK, OSCE, EULEX, etj.. Sundimi i ligjit si qasje kryesore në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në një masë të theksuar ka qenë, dhe deri diku vazhdon të mbetet kompetencë e përbashkët ndërmjet institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare, gjë që në njëfarë mënyrë do të duhej të ndahej edhe përgjegjësia për pamjaftueshmërinë dhe vaktësinë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel shtetëror.
Epidemia e korrupsionit në Kosovë kryesisht shfaqet në prokurimin publik, në shëndetësi, në procesin e privatizimit, e fusha të tjera ku përdoret pasuria e paraja publike. Ndërsa, krimi i organizuar manifestohet në trafikim droge, trafikim me njerëz, krime ekonomike, krime kibernetike, etj.
Institucionet e Republikës së Kosovës në vazhdimësi kanë dëshmuar përpjekjen dhe vendosmërinë në krijimin e politikave nacionale për tu përballur me sfidat e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim janë krijuar institucione përkatëse për luftimin e korrupsionit, është krijuar infrastruktura ligjore dhe institucionale për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionit, janë hartuar dhe implementuar një sërë strategjish, janë ngritur kapacitetet dhe resurset profesionale e kadrovike, dhe në përgjithësi është shënuar një progres inkremental në këtë përpjekje.
Si rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Qeveria e Republikës së Kosovës, veçanërisht Ministria e Punëve të Brendshme, ka ndërmarr veprime të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në vitin e fundit janë ngritur 30% më shumë raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar se sa në vitin paraprak; janë ndërmarr rreth 60% më shumë operacione policore, rreth 50% më shumë arrestime, reth 50% më shumë kallëzime penale, janë shkatërruar 42 grupe kriminale, janë identifikuar 20% më shume viktima të trafikuara, 93% më shumë bastisje, 40% më shumë kontrolle të lokaleve, dhe rreth 60% më shumë konfiskime dhe arrestime me drogë.
Megjithatë, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ndër sfidat dhe kërcënimet kryesore të shtetit të Kosovës, në fushën e së drejtës, sundimit të ligjit, dhe zhvillimit në përgjithësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës konsiderohet detyrë, përgjegjësi, dhe përpjekje e vazhdueshme dhe e pandalshme, e cila kërkon intensifikimin e aktiviteteve dhe veprimeve të nevojshme. Në nivel institucional kërkohet rritja e kooperimit ndër institucional, ndarja më e qartë e kompetencave në strukturën institucionale, reformat dhe amendamentimet e nevojshme ligjore, ngritja e mëtutjeshme e kapaciteteve kadrovike e profesionale, si dhe veçanërisht anëtarësimi në Interpol dhe hyrja në marrëveshje partneriteti dhe strategjike me Europolin.
Ne, si përgjegjës në kupolën e përgjegjësisë institucionale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, zotohemi në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve, në krijimin e infrastrukturës ligjore e institucionale, që Kosovën ta bëjmë një shoqëri të zhvilluar dhe një shtet të së drejtës, një sistem dekurajues e të pa pranueshëm për aktivitetet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet mbi prioritetet për institucionet e Republikës së Kosovës.
Ju Faleminderit!