Ja çfarë kam bërë për lobimin

Nga Behgjet Pacolli

Të mërkurën pata mundësinë, të raportoja për punën time në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin e jashtëm.

Në bazë të rregullores së punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisionet parlamentare ftojnë në raportim vetëm ministrat, por gjithsesi për mua ishte një mundësi e mirë që dy institucionet tona të kenë bashkëpunim reciprok.

Pata mund sinë të vlersoja drejtimin profesional të kreut të këtij Komisioni, zotëri Albin Kurtit, qëndrimin korrekt të profesor Sabri Hamitit, të deputetit Hidajet Hyseni, të deputetes bosnjake Emilia Rexhepi dhe me përjashtim të provokimeve të znj Kada Bujupi, apo të ndonjë ndërhyrjeje tendencioze të ish kryediplomatit Skënder Hyseni, u ndieva mirë. Doja t’i ktheja përgjigje të drejtëpërdrejtë do gënjeshtrave dhe relativizimeve që qarkullojnë rreth një pune gjigande, që është krenaria ime. Dëgjova për habi se njohjet nuk kanë ndonjë rëndësi, se ato thuajse vijnë vetëvetiu, etj, etj. Çudi të dëgjoja nga opozita shprehje të tilla ndërsa kur unë isha në opozitë i solla drejtpërdrejt falë kontributit tim 11 njohje.  Ndërsa sot si zëvendëskryeministër kam sjellë drejtpërdrejt 13  njohje, pa përmendur kontributin e rëndësishëm në akoma më shumë njohje që kanë ardhur dhe priten të vijnë. U shpjegova deputetët si qëndron puna me njohjet e Nigerisë, Malin dhe Ugandën.

U shpjegova deputetëve se punën e kam nisur mbi bazën e një plani pune të detajizuar për Lobim dhe Investime, i cili kishte për qëllim ngritjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, respektivisht, promovimin e vendit tim me qëllim të rritjes së njohjeve për Kosovën dhe rritjes së investimeve të huaja.

Shtyllat e punës sime: emri i mirë si ndërmarrës; sakrifica financiare dhe përkushtimi njerëzor

Puna ime ka pasur në themel eksperiencën e madhe në hapësirën ndërkombëtare si ndërmarrës, që më ka siguruar njohje të shumta në nivel kryetarësh shtetesh e qeverish, ministrash, personalitetesh kulturore, sportive, etj. Është pikërisht ky bagazh njohjesh që i ka dhënë fuqi aktivitetit tim lobues në pikëpamje cilësore.

Isha i vetëdijshëm për forcën dhe mundësitë që i ka Kosova që të loboj, prandaj ky ishte edhe qëllimi im, të ndihmoj aty ku kam  mundësi dhe ku Kosovës i duhet me së shumti.

Prandaj ndjenja e shërbimit tim ndaj atdheut, më ka motivuar  të investoj në këtë aksion politik të vendit burime të mëdha financiare, duke refuzuar përdorimin e burimeve të shtetit të Kosovës. Të lobosh sot në botë vetëm dhe me ekipe lobuesish, do të thotë të shpenzosh në udhëtime të distancave të gjata, të mbulosh shpenzime të këtij udhëtimi, të qëndrimit, të paguash njerëzit që të shërbejnë në fluturime me aeroplan privat, etj. domethënë,  t’i ofrosh vendeve të specifike përfshirje në projekte të mëdha investimesh.

Përkushtimi human është garant kryesor i suksesit, sepse veçanërisht në këto dy vjetët e fundit  kam kaluar më shumë kohë në ajër, sesa në tokë, duke i rënë globit në të katër anët, larg familjes e  vendit dhe kjo sakrificë ka dhënë frytet e veta.

Në punën time,  jo vetëm kam shfrytëzuar kontributet e mëhershme të shteteve të mëdha aleate të Kosovës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, etj, por në shumë raste jam koordinuar ngushtë me ta, siç është rasti i Ganës, Beninit apo shteteve të tjera të Afrikës.

Rezultatet e mia si zvkryeministër

Gjatë kësaj kohe, prej muajit maj 2011 e  deri më sot, jam fokusuar kryesisht në kontinentin e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, si tri zona në të cilat deri më tani, Kosova e ka pasur të pamundur  të ketë qasje. Deri ne vitin 2011 nga Kontinenti i Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine kishim vetëm  pak njohje dhe shume pak vizita të realizuara, që mos të them fare në këto pjesë  të Botës. Prandaj në planin tim të Lobimit kam trajtuar secilin shtet veç e veç, qasje kjo e cila ka sjellë rezultate të dukshme. Gjatë këtyre vizitave të 2011, kam takuar rreth 30 Presidentë apo  kryeministra. Shumë prej tyre, i kam takuar edhe gjatë punimeve të Samitit të përvitshëm të OKB-së në Neë York, në shtator të vitit 2011. Në objektivat e mia, ishte edhe kontinenti i Azisë. Gjatë kësaj periudhe, jam fokusuar kryesisht në Azinë Juglindore, në të cilën ka zhvilluar një turne, dhe kam vizituar apo ka takuar zyrtarë të lartë, apo krerë shtetesh të:

  1. Mbretërisë së Tajlandës
  2. Filipineve
  3. Indonezisë
  4. Bhutanit
  5. Laosit
  6. Vietnamit

Ndërsa në kontinentin e Afrikës, gjatë kësaj periudhe, si rezultat direkt, i angazhimit tim dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtare dhe institucioneve tjera, kanë ardhur 8 njohje. Ndërkohë, një numër i madh shtetesh, janë në procedim e sipër të vendimit për njohje të shteti tonë.

  1. Republika e Afrikës Qendrore
  2. Republika e Guinea Conakry
  3. Republika e Nigerit
  4. Republika e Beninit
  5. Republika Federale e Nigerisë
  6. Republika e Gabonit
  7. Bregu i Fildishtë
  8. Uganda

Për dallim nga 2011, gjatë vitit 2012 kam zhvilluar në kontinentin e Afrikës pesë turne lobimi dhe kam vizituar një apo më shumë herë, më shumë së 25 shtete.

Ndërsa vetëm gjatë vitit 2012, kam takuar rreth 35 Presidentë, kryeministra, ose ministra të Punëve të Jashtme.  Shumë prej tyre, i kam takuar disa herë, edhe gjatë punimeve të Samitit të përvitshëm të OKB-së në Neë York, në shtator të vitit 2012, ku përveq angazhimeve gjatë punimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kam qenë i ftuar edhe në konferencën e më shumë se 100 burrështetasve “South to South”, bashkë me sekretarin gjeneral të OKB-së z.Ban Ki Moon.

Vetëm nga kontinenti i Afrikës, gjatë vitit 2012 si rezultat i angazhimit të institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtare, kanë ardhur 4 njohje. Ndërkohë, një numër i madh shtetesh, (duke përfshirë edhe organizatën SADC me 14 vende që vendimin pritet ta marrin në bllok) janë në procedim e sipër të vendimit për njohje të shteti tonë. Për të përmbyllur këtë proces të njohjes në bllok nga vendet e SADC, janë duke krijuar probleme vetëm dy shtete.

Vendet që e kanë njohur Kosovën gjatë vitit 2012 nga Afrika:

  1. Gana
  2. Uganda
  3. Sao Tome
  4. Chadi
  5. Burundi

Në këto shtete që e kemi siguruar njohjen, e kam zgjeruar rrjetin e miqve kryesisht të nivelit të lartë të cilët janë angazhuar në favor të Kosovës. Qasja krijuese në këtë drejtim ka konsistuar në atë se kemi arritur ta konsolidojmë vullnetin e këtyre vendeve pro Kosovës, duke i ndihmuar ata me lobim ndërkombëtar për t’i përfshirë në programe ndërkombëtare ndihme, por jo vetëm. Kështu ishte rasti i Beninit në Millennium Challenges Program, program ndihmë i Departamentit të shtetit. Jam angazhuar për ta përfshirë Kosovën dhe ndërmarrësinë e saj në projekte të mëdha infrastrukturore me kompani të mëdha perëndimore. Ky është rasti i Nigerisë, vendit me ndikim të jashtëzakonshëm për nga përmasat që ka.

Në lobimin tonë në Afrikë kemi afirmuar reputacionin pozitiv personal në rrafsh ndërkombëtar. Nuk mund të arriheshin njohjet nga vendet e largëta pa këtë reputacion.

Lobimi kundër Serbisë në Afrikë 

Në këto vende kemi zhvilluar lobim të nivelit të lartë, atë në nivel Presidentësh dhe kryeministrash, nivel i paprekur nga ndikimi kundërlobues i Serbisë përfaqësuar nga ministri i dikurshëm i jashtëm Jeremiq. Është kjo arsyeja pse në ndonjë rast, ka pasur pozicione të kundërta të institucioneve të ndryshme të ndonjë vendi në lidhje me njohjen ose jo të Kosovës, siç ka qenë rasti i Ugandës. Gjithë kontinenti afrikan është territor me ndikim të vazhdueshëm nga Serbia, trashëguese e ndikimit të hershëm të ish Jugosllavisë, ndikim që ruhet nëpërmjet pranisë së madhe të kompanive serbe.  Kjo prani, me depërtimin e saj në politikën e vendeve të caktuara jo vetëm që i jep vlerë suksesit të Kosovës dhe përfaqësuesit të saj të lartë, por dhe justifikon qasjen e zgjedhur ndaj Afrikës : lobim edhe nëpërmjet ekonomisë. Në këtë lloj lobimi, kemi realizuar atë që quhet marketim i një vendi, apo « branding nation ». Kemi ofruar imazhin e një Kosove e cila megjithëse vend në zhvillim, ka një rini të talentuar, të dijshme për teknologjitë e informacionit, ka ndërmarrësi që mund të marrë përsipër detyra vetëm apo në kombinim me kompani perëndimore, në një kontinent si ai i Afrikës, ku është përqëndruar sot vëmendja e kompanive më të mëdha të botës dhe ku ndihet nevoja e kompanive të përmasave të caktuara në sektorin e shërbimeve, të ndërtimtarisë, etj, në funksion të tyre dhe ku Kosova mund të përfitojë shumë.

Prodhimi i interesave të përbashkët, zgjimi i interesit për Kosovën, një vend i pasur me resurse njerëzore, dhe natyrore, ka shtyrë shumë delegacione të panumërta nga Nigeria, të kryesuar nga guvernatorë shtetesh shumë më të mëdhenj se Kosova, ministrin e jashtëm të Ganës, nga Afrika në përgjithësi, nga Azia, si Bangladeshi, Filipinet, Tajlanda, etj. të vinjë dhe të qëndrojnë në Kosovë.

Kjo axhendë ndërkombëtare, ka qenë diçka e paimagjinueshme më parë, për arsye të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, qenies së Kosovës dikur si vatër krize, apo e një krize të zgjidhur, Kosova është vizituar nga shumë burrështetas perëndimorë, por jo nga vende të tilla si Afrika.

Këto vizita janë dëshmi e fillimit të marrëdhënieve që kemi arritur të krijojmë me lobimin e fuqishëm në këto vende. Nuk kemi sjellë nota verbale si trofe, por kemi forcuar marrëdhëniet me vende të veçanta, diçka që e garanton votën pro të tyre në anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në OKB. Është një punë jo vetëm sasiore, por dhe cilësore, megjithëse ekspertë të politikës së jashtme e politikanë  në Prishtinë, donin patjetër « nota verbale » si trofe, që do qetësonte qasjen kritikuese të tyre për t’ia filluar sërish në një rast tjetër.

Shpenzimet e mia disa miliona euro

I tërë ky angazhim imi, është mbështetur mbi bazë të një pune të ekipeve lobuese të shpërndarë në gjithë territorin e botës. Është e paimagjinueshme që gjithë ky aktivitet të mund të ndodhte me mbështetjen e një ministrie të vogël të një shteti të ri, dhe që s’ka eksperiencë, burime të mëdha njerëzore dhe financiare në shërbim të qëllimeve të veta.

Prandaj për dijeninë tuaj, buxhetit të Qeverise së Kosovës për dy vite i kam kushtuar shumë më pak se 100 mijë euro, shpenzime të pashmangshme për shkak të problemeve logjistike dhe të stafit, duke u distancuar edhe nga meditja, paga etj. Këto shpenzime, që i kanë kaluar qeverisë së Kosovës, kanë qenë shpenzime të përbashkëta me stafin shoqërues, duke respektuar rregullat e ligjit për kontabilitetin. Ndërsa shpenzimet e buxhetit tim, kapin shumën e disa miliona eurove.

Unë jam i qetë dhe krenar para Zotit, Familjes dhe Kombit tim për këtë që kam bërë për Kosovën. Njëjtë isha para deputetëve.