Kjo Qeveri duhet të hapë rrugë për zgjedhje të reja
27/05/2016

Koordinatori për grupe punuese në Aleancën Kosova e Re (AKR), Ismet Mulaj, ka thënë se kjo Qeveri duhet sa më shpejt të shpërbëhet dhe të mbahen zgjedhje të reja.

“AKR-ja beson se kjo Qeveri duhet sa më shpejt të hapë rrugë për zgjedhje të reja, sepse dita-ditës po rritet frustrimi i qytetarëve, ku në një të ardhme të afërt mund të na përsëriten valë të reja të emigrantëve e, për më keq, gjendja kaotike u jep hapësirë edhe grupeve ekstremiste”, ka thënë Mulaj në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”. Ai ka bërë me dije se AKR-ja është duke punuar në terren dhe se është një numri madh i qytetarëve, sidomos të rinjve që po i bashkohen kësaj partie. “AKR-ja është në procesin e zgjedhjeve të brendshme, të cilat po i kalon suksesshëm dhe është duke ndërtuar një strukturë organizative të denjë që ta japë ofertën më të mirë për zgjedhjet e ardhshme. AKR-ja në të njëjtën kohë është duke pasur një fluks të madh të aderimeve, sidomos nga të rinjtë, të cilët po kanë mundësi ta shprehin vizionin e tyre për ndërtimin e vendit, të zhgënjyer nga klasa dhe partitë e tanishme politike”, ka deklaruar Mulaj.
Duke folur për kundërshtimin e opozitës rreth dy marrëveshjeve, demarkacionit dhe asociacionit, Mulaj ka thënë se marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi duhet të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit, kurse sa i përket marrëveshjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se AKR-ja është për një dialog dhe konsensus ku do të përfshiheshin pozita dhe opozita rreth zgjidhjes së kësaj çështje. Në këtë intervistë Mulaj ka folur edhe për zhvillimin ekonomik në vend. Mulaj, i cili në Qeverinë e kaluar ka mbajtur postin e ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë, ka thënë se Kosovës i nevojitet një rrije ekonomike prej shtatëpërqindësh në vit, në mënyrë që, sipas tij, për ta thyer lakoren negative të zhvillimit ekonomik. “Partitë në pushtet po dëshmojnë edhe një herë se premtimet elektorale ishin vetëm dëshira të fushatës. Kjo tregon për mungesën e vizionit të kësaj Qeverie dhe joseriozitetin ndaj pushtetit që e mbajnë dhe besimit të popullit. Sot kemi vetëm dy për qind rritje ekonomike, përderisa vendit i duhet mbi shtatë për qind për ta thyer lakoren negative të zhvillimit ekonomik e që me AKR-në do të jetë 12 %, pasi ka hapësirë për investime në çdo sektor”, është shprehur Mulaj.
“Epoka e re”: Z. Mulaj, opozita po kërkon zgjedhje parakohshme. Ju si AKR, mendoni se është koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme?
Mulaj: Aleanca Kosova e Re është në procesin e zgjedhjeve të brendshme të cilat po i kalon suksesshëm dhe është duke ndërtuar një strukturë organizative të denjë që ta japë ofertën më të mirë për zgjedhjet e ardhshme. AKR-ja në të njëjtën kohë është duke pasur një fluks të madh të aderimeve, sidomos nga të rinjtë, të cilët po kanë mundësi ta shprehin vizionin e tyre për ndërtimin e vendit, të zhgënjyer nga klasa dhe partitë e tanishme politike. Të rinjtë në AKR do të jenë zëri i partisë dhe i vendit. Ata asnjëherë s’do të shfrytëzohen vetëm si numër ose për çështje logjistike. Problem i madh është se mbi gjysma e popullsisë është e papërfaqësuar, duke injoruar këtë klasë politike, prandaj AKR-ja po ofrohet si alternativë politike, duke dëshmuar se di të qeverisë me vizion dhe e pakorruptuar. AKR-ja beson se kjo Qeveri duhet sa më shpejt të hapë rrugë për zgjedhje të reja, sepse dita-ditës po rritet frustrimi i qytetarëve, ku në një të ardhme të afërt mund të na përsëriten valë të reja të emigrantëve e, për më keq, gjendja kaotike u jep hapësirë edhe grupeve ekstremiste.
“Epoka e re”: Lideri i partisë suaj ka nisur vizitat në regjionet e Kosovës. Nga bisedat që keni zhvilluar me qytetarë dhe biznese, cilat janë sfidat që ata po i adresojnë tek ju?
Mulaj: AKR-ja dhe presidenti Pacolli po vizitojnë çdo familje, biznes, qytetar të këtij vendi, me qëllim që të njihemi nga afër me problemet e tyre. Të gjithë, pa përjashtim, po theksojnë se kjo Qeveri dhe klasë politike, tashmë e konsumuar, e kanë dërguar vendin drejt humnerës ekonomike, politike dhe shoqërore. Partitë në pushtet po dëshmojnë edhe një herë se premtimet elektorale ishin vetëm dëshira të fushatës, e kjo tregon për mungesën e vizionit të kësaj qeverie dhe joseriozitetin e tyre ndaj pushtetit që e mbajnë dhe besimit të popullit. Sot kemi vetëm dy për qind rritje ekonomike, përderisa vendit i duhet mbi shtatë për qind për ta thyer lakoren negative të zhvillimit ekonomik e që me AKR-në do të jetë 12 %, pasi ka hapësirë për investime në çdo sektor. Bizneset vazhdimisht po ankohen se Qeveria po u bënë konkurrencë dhe nuk përjashtojnë mundësinë që të largohen nga vendi, ndërsa qytetarët shprehin gatishmërinë po ashtu të emigrojnë për shkak të mungesës së perspektivës dhe varfërisë. Andaj me qeverisjen e AKR-së të gjitha këto probleme do të eliminohen.
“Epoka e re”: Z. Pacolli u ka bërë thirrje publike të rinjve që kanë studiuar në universitete ndërkombëtare, por dhe në Kosovë, që t’i bashkohen AKR-së. Sa do të kenë hapësirë të rinjtë tek ju?
Mulaj: Presidenti Pacolli dhe AKR-ja besojnë se vendit i duhet një mentalitet i ri politik, e këtë më se miri mund ta bëjë rinia, e cila, me angazhimin e vet në AKR, e ndërton të ardhmen e vet. Për të rinjtë, që kanë ardhur e që do të vijnë, AKR-ja është duke ofruar gjithë hapësirën e duhur të veprimit dhe mbështetje të plotë, që vetë ta marrin të ardhmen e vendit në duart e tyre. Rinia duke e shfrytëzuar këtë mundësi që po ia ofron AKR-ja ka mundësinë që për herë të parë të bëhet zëri i vërtetë dhe gjenerator për ndryshimin e gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet Kosova. Të gjithë të rinjtë janë të ftuar që idetë e tyre t’i shpalosin në AKR, sepse AKR-ja është partia e vetme që ua ofron këtë mundësi.
“Epoka e re”: Në qoftë se AKR-ja do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme, çfarë konkretisht do të bëni për sektorin e rinisë?
Mulaj: Që në ditët e para do të ndryshohet ligji për rininë dhe një serë ligjesh të cilat ngufasin zhvillimin e rinisë. Do të themelohet fondi për gjeneratat e reja, i cili do t’i mbështesë të gjithë ata që kanë dëshirë të shkollohen, të krijojnë vende të reja të punës, si dhe do të jepet mbështetje e fuqishme për të rinjtë që kanë aftësi dhe talent për të krijuar. Rinia do të jetë prioritet i AKR-së, duke u mundësuar lëvizja nëpër botë, zhvillim të ideve të tyre kreative dhe mundësi që ata të punojnë në vendin e tyre. Kosova do të jetë vendi me të cilin do të krenohen dhe bashkë me rininë do të punojmë që Kosova të jetë vendi ku ata mendojnë të punojnë, krijojnë familje dhe t’i realizojnë ëndrrat e tyre.
“Epoka e re”: Z. Mulaj, a e keni menduar opsionin e ndonjë koalicioni parazgjedhor dhe, nëse po, me cilën parti mund t’i koordinoni objektivat tuaja?
Mulaj: AKR-ja ka vizion ta sfidojë këdo në zgjedhje. Jemi duke punuar kudo dhe me këdo që dëshiron të punojë me ndershmëri, që të jemi forcë politike me mbi 20 për qind. Nuk jemi të interesuar të krijojmë për vete vende pune, por për qytetarët. Zgjedhjet e brendshme në AKR po dëshmojnë një masivizim dhe shtrirje kudo në Kosovë. AKR-ja është duke lidhur koalicion me qytetarët, pasi ata do të jenë shtysa kryesore, që na mundëson ta ndryshojmë vendin.
“Epoka e re”: Në objektiv të planprogramit të AKR-së ka qenë çdoherë rritja ekonomike dhe tërheqja e investimeve të huaja. Na shpjegoni se si mund të arrihet rritja ekonomike në normën 12 %, e deklaruar nga AKR-ja?
Mulaj: Vendi s’mund të zhvillohet me këtë rritje ekonomike që e kemi sot, me mesatare prej 2 %. Kosovës i duhet rritje ekonomike me mbi 12 %. Presidenti Pacolli dhe AKR-ja kanë ide dhe plane konkrete se si të arrihet ky zhvillim. AKR-ja do të angazhohet që të rishikohet procesi i privatizimit, me qëllim që shkatërruesit e ekonomisë të shkojnë para ligjit, ndërsa asetet e paprivatizuar t’u ofrohen atyre që kanë ide dhe financa për të krijuar vende të reja pune, e jo matrapazëve që po e shkatërrojnë ekonominë. Do të krijojmë rend dhe ligj, duke rritur buxhetin për gjykata dhe prokurori, duke punësuar juristë si bashkëpunëtorë profesionalë, me qëllim zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të më shumë se 400 mijë lëndëve të patrajtuara dhe lëndëve të reja që të zgjidhen me efikasitet, me çka nuk do të lëmë asnjë jurist të diplomuar pa punë. Me qeverisjen e AKR-së do ta rrisim edhe efikasitetin e administratës dhe do ta vëmë në shërbim të biznesit dhe investimeve të huaja, pasi me këtë gjendje asnjë investitor i huaj nuk do të vijë kur ne kemi vendet fqinje që ofrojnë shumë kushte më të mira për të bërë biznes, duke mos i krahasuar me vendet më larg. Pastaj AKR-ja do të angazhohet që ta rregullojë imazhin e vendit dhe ta bëjë Kosovën miqësore, së pari ndaj bizneseve vendëse, nga diaspora dhe investitorët e huaj. Kosova duhet të jetë vend atraktiv për bizneset që t’i ruajmë dhe këto që i kemi, mos të ikin në vendet e rajonit. Një synim tjetër i AKR-së është që çdo familje në Kosovë të ketë së paku një të punësuar. Pastaj, shërbime shëndetësore, duke e digjitalizuar gjithë shëndetësinë në Kosovë.
“Epoka e re”: Ju keni qenë ministër i MTI-së dhe tani jeni në strukturat e AKR-së. Cili është mendimi juaj për klimën e biznesit në Kosovë dhe sa është atraktive kjo klimë për bizneset e huaja?
Mulaj: Kjo Qeveri nuk e ka pasur në prioritet krijimin e kushteve që vendi të jetë atraktiv për investime. Këtë e dëshmon më së miri edhe raporti i Bankës Botërore dhe raportet e tjera ndërkombëtare. MTI-ja për dy vjet e më shumë është marrë më shumë me ndërrimin e stafit civil sesa me përmirësimin e kushteve për të bërit biznes. MTI-ja e ka humbur dinamikën e punës që kishim lënë ne, prandaj kërkohen reforma dhe ndryshim politikash. Këto reforma të domosdoshme do të bëhen me qeverisjen e AKR-së dhe me votëbesimin që do të na japin qytetarët.
“Epoka e re”: Si e shihni kauzën e partive opozitare sa i përket asociacionit dhe demarkacionit?
Mulaj: AKR-ja ka përcjellë me vëmendje procesin e marrëveshjeve për demarkacionin me Malin e Zi dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe. AKR-ja asnjëherë nuk ka qenë për bllokimin e proceseve në Kosovë, por as për të pranuar diçka në dëm të Kosovës. Andaj sa i përket marrëveshjes për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, ne jemi që kjo marrëveshje të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit dhe të zgjidhet njëherë e mirë për të mos krijuar pasoja që mund të dërgonin në të ardhmen deri tek ndonjë konflikt i brendshëm apo i jashtëm. Ndërsa sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, ne këtu jemi për një dialog dhe konsensus, ku do të përfshiheshin pozita dhe opozita dhe të gjendej një zgjidhje mbi këtë çështje, pasi vendimet të cilat merren, duhet të trashëgohen edhe nga qeveria të tjera dhe janë vendime me interes vital për vendin dhe qytetarët e Kosovës, e nuk mund të kalohen shkel e shko.

 

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart