E shoqërova ministrin ganez, Muhammad Mumuni për vizitë në familjen e ish presidentit Rugova

Prishtinë, 11 shtator 2012

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, delegacioni i Republikës së Ganës, i udhëhequr nga ministri i punëve të jashtme të Ganës, z.Muhamad Mumuni, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, z.Behgjet Pacolli kanë zhvilluar një vizitë në familjen e presidentit historik të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova.

Ne vizitën që Ministri i Jashtëm i Ganës, z.Mumuni bëri tek familja Rugova, u diskutua për sfidat që ka kaluar vendi ynë për të ardhur deri te përfundimi i pavarësisë së mbikqyrur.

Në një atmosferë shumë të ngrohtë familjare dhe në një pritje shumë miqësore, Familja e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, falenderoj Ministrin e Jashtëm të Ganës për njohjen e Kosovës nga ky shtet, duke e njoftuar z. Mumuni, gjerësisht me veprimtarinë e Presidentit Rugova dhe vizionin e tij të hershëm për Liri dhe pavarësi të vendit tonë.

Gjithashtu, familja e presidentit Rugova shprehu respektin veqentë për qeverinë dhe popullin e Ganës, duke vlerësuar lartë vendimin e këtij shteti për të zhvilluar marëdhënie diplomatike dhe miqësore me vendin tonë.

“I nderuar ministër, shteti ynë dhe kjo shtëpi e ish presidentit Rugova është e hapur për ju dhe për gjithë miqtë e Kosovës, të cilët të gatshëm të zgjasin dorën e bashkëpunimit me venndin tonë, duke na ndihmuar që të bëjmë hapa më tutje drejt integrimit në familjen e vendeve demokratike. Vendimi juaj për ta njohur pavarësinë e Kosovës, respekton sakrificën e popullit tonë dhe nderon vizionin pacifist të presidentit Rugova”, ka thënë Fana Rugova, bashkëshortja e ish presidentit Rugova.

Në anën tjetër, ministri i punëve të jashtme të Ganës, z.Mumuni, ka vlerësuar lart figurën e ish presidentit Rugova, vizionin e tij paqësor për të realizuar të drejtat e poopullit të tij për liri dhe pavarësi. Në këtë kontekst, ministri Mumuni, ka thënë se ndërmjet presidentit Rugova dhe presidentit historik të Ganës ka ngjashmëri të madhe, për shkak se të dy kanë si doktrinë, vizionin paqësor dhe liridashës të Gandit të madh.

Familja e presidentit Rugova, kanë vlerësuar gjithashtu edhe angazhimin e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në lobimin për shtimin e numrit të njohjeve për pavarësinë e Kosovës. Sipas bashkëshortes së presidentit Rugova, zëvendëskryeministri Pacolli është duke e vazhduar rrugën e ish presidentit Rugova, në krijimin dhe thellimin e marëdhënieve miqësore me sa më shumë shtete të botës.

Ministri Mumuni i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Pacolli kanë bërë homazhe gjithashtu edhe tek varri i ish presidentit Rugova.

 Po gjatë ditës së sotme, ministri i punëve të jashtme të Ganës, z.Mumuni ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për përmbylljen e pavarësisë së mbikqyrur, që është duke u mbajtur në Prishtinë. Ministri Mumuni, me këtë rast ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, duke vlerësuar lartë punën e institucioneve të Kosovë për të arritur deri tek vendimi për përmbylljen e pavarësisë së mbikqyrur.