Në lidhje me “rastin Pacolli”
10/03/2016

Shumë po flitet tash për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mbi bazën e të cilit, unë u tërhoqa nga Presidenca, duke u quajtur “rasti Pacolli”.

Sot në rastin e zgjedhjes së presidentit të ri, të gjithë po flasin kundër këtij vendimi. Madje dhe vetë gatuesi i asaj çorbe të shëmtuar, kryetari i asaj Gjykate, pak muaj më parë u përpoq të justifikohej, se ne nuk i thamë Presidentit Pacolli të largohej, por ai e dha vetë dorëheqjen!

Po shumë vonë bre, ju të gjithë. Pse nuk folët menjëherë pas vendimit? Pse nuk folët 5 vjet me radhë?

Pse nuk thatë ju ekspertë të kushtetutës vendas apo të huaj, ju analistë që e mbani veten për seriozë, ju politikanë të opozitës së sotme, sesa absurde ishte të shpallej si detyrim kushtetues pjesëmarrja e 120 deputetëve gjatë votimit të presidentit?

Ju aradha e kritikëve të vonuar, pse nuk e denoncuat asokohe libretin e atij skenari të shëmtuar me gjoja dy kandidatë për presidentë? Ky libret u shkrua para 5 vjetëve prej Kushtetueses dhe u zbatua pak ditë më parë, me një kandidat fiktiv, me ca deputetë që nuk u erdhi turp që e dhanë firmën për kandidatin fiktiv, ndërsa votën e dhanë për dikënd tjetër ?

Unë e dhashë dorëheqjen, pse s’mund të bëhesha objekt i turpit më të madh të historisë juridike të Kosovës, i institucioneve më të larta të saj, të kryetarit të Kushtetueses. Unë s’doja të bëhesha sërish pjesë e pazarit me detyrën e lartë të kryetarit të shtetit, s’doja të keqtrajtohesha nga politikanët hajna, ndaj imponova zgjedhjen e presidentit nga populli.

Nuk e pranuan 5 vjet më parë propozimin tim, reformat që u miratuan nga 3 liderët? Le të qajnë tani për tamlin e derdhur, i cili nuk mblidhet më. Le të qajnë sot tek Gjykata Kushtetuese, e thirrur në skenë prej opozitës. Kjo Gjykatë mbase nuk do ta ketë për turp që të zezën e shpallur 5 vjet më parë në rastin “Pacolli”, ta shpallë të bardhë tani…

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart