
Pacolli: FSK-ja e gatshme për misionet jashtë vendit
28/05/2012
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, zoti Behgjet Pacolli, ka pritur sot(e mërkurë), në një takim, komandantin e FSK-së, Gjenerallejtnant Kadri Kastrati. Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli ka uruar gjeneral Kastratin për detyrën e re, duke e inkurajuar atë për angazhime të mëtutjeshme në perfeksionimin e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së.
Zëvendëskryeministri Pacolli, ka siguruar gjeneral Kastratin, se do të jetë i angazhuar fuqishëm në drejtim të dhënies së kontributit të nevojshëm për Forcën e Sigurisë.
“Fsk-ja i ka arritur kapacitetet operacionale, dhe si forcë profesionale tashmë është e gatshme të participojë edhe në misione ndërkombëtare për ruajtjen e paqes”, ka thënë Pacolli.
Pacolli gjithashtu, ka theksuar se kapacitetet e FSK-së, sa më parë duhet të plotësohen me helikopterë.
Në anën tjetër, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ka falënderuar zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për përkrahje, dhe e ka informuar atë me objektivat kryesor, si komandant i FSK-së. Sipas Kastratit, FSK-ja është duke ecur në rrugën e duhur, drejt një force moderne, sipas parametrave të NATO-s.
Pacolli takon shefin e zyres Diplomatike Belge në Kosovë
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka zhvilluar një takim me shefin e zyrës Diplomatike të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, z. Pascal Gregoire.
Zëvendëskryeministri Pacolli ka falënderuar ambasadorin Gregoire, për mbështetjen e vazhdueshme që Belgjika është duke i dhënë shtetit të Kosovës. Në këtë kontekst, Pacolli ka diskutuar me ambasadorin Gregoire edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke promovuar mundësinë e investimeve belge në Kosovë.
Në anën tjetër, edhe ambasadori Gregoire, ka vlerësuar angazhimin e zotit Pacolli në Qeverinë e Kosovës. Ai ka shtuar se reformat ekonomike, janë shumë të nevojshme dhe qeveria e vendit është duke dhënë sinjale të qarta të përkushtimit në këtë drejtim.