
Pacolli: Kamenica zemra e AKR-së
27/05/2010
Mijëra qytetarë të Kamenicës kishin dalë të premten në pritje të presidentit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacollit. Edhe për kundër temperaturave të ulëta, hapja e fushatës zgjedhore të AKR-së nuk pati mundësi të zhvillohej brenda në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” pasi ajo është shumë e vogël për gjithë turmën e cila ishte mbledhur.
Qytetarët e mbledhur para Shtëpisë së Kulturës e pritën Pacollin si vendas të tyre të Gollakut. Edhe Pacolli u konfirmoi atyre se e ndien veten si të tyre dhe se Kamenica, sipas tij, është zemra e AKR-së.
Behgjet Pacolli: “Të nderuar qytetarë të anës sime, qytetarë të Kamenicës, edhe njëherë dëshmuat se këtu është shpirti i AKR-së. Më vjen keq që kaluan dy vite dhe ju nuk keni përparuar si Komunë. E di se vota juaj më 2007 ishte për qeverisjen e AKR-së, por manipulimet që ndodhën, ju lanë ju dy vite që të mos keni progres dhe përmirësim të gjendjes ekonomike. Kjo ishte një humbje e qytetarëve të Kamenicës”, tha Pacolli.
Ai u tha qytetarëve të Kamenicës se ndien keqardhje që, edhe pse pas gati dy viteve shtetësi, askush nga përgjegjësit e institucioneve nuk u mor me hallet e tyre. “Gjatë kësaj periudhe, ata që qeverisën Kamenicën dhe Kosovën nuk u morën me hallet e tyre por me pasurimin e tyre, me pasurimin e të afërmve të tyre. Ju ftoj që mos u besoni atyre që ju mashtruan. Ju jeni duke i parë edhe tash ata njerëz që erdhën para dy viteve duke ju premtuar gjithçka e duke mos realizur asgjë”, tha ai.
Pacolli u tha kamenicasve se tani ka ardhur koha e dëshmive, jo e premtimeve boshe, jo e retorikës dhe demagogjisë. “Tani është koha e fakteve, tani është koha e AKR-së. Dua t’u tregoj oponentëve të mi se kanë dështuar dhe ju kanë mashtruar ju për kaq vite. Unë kam arritur që për këtë periudhë dyvjeçare t’i krijoj 5 mijë vende të reja pune, pa institucion shtetëror, pa ndihmën e tyre. Prandaj, kjo kohë në të cilën po hyjmë, duhet votuar për ardhmërinë, për shtet-ndërtimin, duhet votuar për AKR-në. Shpirti i AKR-së është në këtë vend, është në Kamenicë. Ky është qyteti im, kjo është ëndrra ime dhe këtu kërkoj nga ju mbështetjen më të madhe. Po nëse do ta kem fatin të udhëheq me Kamenicën, e unë sot po e shoh se kjo është realitet, atëherë këtë qytet do ta bëjmë shembull për të gjithë. Do të punojmë me përgjegjësisë, me transparencë dhe me llogaridhënie. Ju e meritoni një qeverisje të mirë. Kini besim ne planin dhe projektet e AKR-së sepse ato nuk janë ëndrra. Për këtë e sfidoj çdo oponent politik sepse ata s’kanë program. Ne e kemi programin dhe e kemi studiuar, ai është i prekshëm. Me ndihmën tuaj, me votat tuaja programi jonë do të implementohet këtu në Kamenicë, në fshatrat e bukura që ka kjo anë dhe te njerëzit e mirë të kësaj ane”, tha Pacolli.
Pacolli tha se koalicioni aktual qeverisës në Kosovë i cili ishte i panatyrshëm i ka sjellë dëme vendit dhe këto dëme, tha Pacolli tha po i vuajnë qytetarët e Republikës së Kosovës e jo ata që e bënë atë koalicion. “Shikoni raportet që po vijnë nga gjithë mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare. Ato janë raporte shumë të këqija për shtetin në ndërtim”, tha ai.
Ai tha se ardhmëria nuk mund të ndërtohet me korrupsion dhe krim të organizuar siç po ndodh. “Ardhmëria ndërtohet me punë dhe sinqeritet, me trajtim njerëzor të parasë së qytetarëve të Kosovës. Unë nga këtu e rris zërin për ata që duan sërisht të kërkojnë votën e qytetarit se janë gabim sepse taksën e qytetarit nuk e trajtuan si duhet”.
Duke e ditur se në Kamenicë shumë familje kanë anëtarë të tyre në shtetet perëndimore, Pacolli u tha të pranishmëve në tubim se ato para që u vijnë nga djemtë, prindërit e tyre që punojnë jashtë, janë të fituara me shumë mund e djersë. “Unë e di se ju i pritni ata të vijnë dhe tu sjellin ndihma, remitenca, por unë ju them se tani edhe ato remitenca janë në rënie për më shumë se 30 për qind sepse edhe atje tani ka një krizë ekonomike dhe ajo tanimë po ndihet edhe në xhepin e kosovarëve”, tha ai.
Pacolli tha se do ta ngre zërin edhe kundër atyre që nuk menduan asnjëherë për mërgatën kosovare e cila ,siç tha ai, ka bërë shumë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. “Sot kur ne jemi shtet dhe kemi institucionet tona, qeveria jonë i ka harruar ata. Mërgata jonë është pjesë e Kosovës dhe duhet të jenë. Do të kërkoj me ngulm që edhe ata të jenë pjesë e barabartë dhe të marrin pjesë në zgjedhje sikur të gjithë. Ata duhet të jenë pjesë e jetës politike dhe ekonomike të Kosovës. Me këmbëngulje do të jem aty dhe do t’i mbroj interesat e tyre sepse ata duhet të jenë të përfaqësuar në Kuvend dhe nëpër ministri”.
Ai i ftoi qytetarët e Kamenicës që të mbështesin kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës, Ramadan Basha dhe kandidatët për Asamblenë Komunale.
“Ne kemi zgjedhur me shumë kujdes njeriun i cili mund ta implementojë programin tonë dhe projektet tona këtu. Ai është një njeri shumë i përgatitur, me një profesionalizëm të madh, një njeri me një të kaluar të ndritur, një njeri me një familje të shkëlqyer, ky është Ramadan Basha”, tha Pacolli.
Kandidati për kryetar komune Ramadan Basha shpalosi programin e AKR-së para mijëra qytetarëve të pranishëm. Ai tha se ka përgjegjësinë e madhe para vetes që të qeverisë në një qytet si Kamenicën. “Ju jeni dëshmitar se është koha për të ndryshuar këtë qeverisje, është koha për të ndryshuar jetën në komunën tonë. Jeni dëshmitarë se AKR-ja është parti e vlerave e cila po punon për shtet-ndërtimin. AKR-ja, me votën tuaj, në mandatin katërvjeçar do ta ndryshojë Kamenicën, do ta bëjë një vend me perspektivë. Është koha të ndodhë ndryshimi. Kamenica meriton një klasë tjetër qeverisëse dhe ne jemi ata që do t’i japim një qeverisje të ndershme Kamenicës”, tha Basha.
Ai tha se qeveritë e pasluftës në Kamenicë, e kanë krijuar bindjen e njerëzve që nuk ka perspektivë në këtë komunë. “Kam hyrë në këtë garë për të ndryshuar rregullat e kësaj loje bashkë me qytetarët dhe t’ia kthejmë perspektivën komunës sonë sepse ju meritoni një perspektivë. Me 15 nëntor ju do t’i jepni komunës sonë një qeverisje të përgjegjshme dhe të përkushtuar për punë të ndershme. Komuna jonë meriton një qeverisje të re. Këtë e kam hasur në sytë e njerëzve që i takoj dhe bashkëbisedoj çdo ditë me ta. Kjo është edhe dëshira që na bashkon sot të gjithëve. Me 15 nëntor do të nisë një aleancë e re, një aleancë mes bujqve, profesorëve, studentëve dhe gjithë të tjerëve me Komunën. Me 15 nëntor ndodheni në dy rrugë, në njërën që vazhdon që 10 vite pa asnjë perspektivë dhe në rrugën e re për një të ardhme të sigurtë, me një qeverisje efikase komunale”, tha Basha.
Para qytetarëve u paraqitën edhe 29 kandidatët për Asamblenë Komunale.