
Pacolli: Kush thotë se në Gjakovë s`mund të ndodhë ndryshimi, gabon! Kusari Lila: Gjakovën time dua ta shoh të përparuar!
08/11/2013
Ishte mbushur salla e sporteve në Gjakovë me mijëra simpatizantë dhe përkrahës për ta mirëpritur Kryetaren e ardhshme të Gjakovës znj.Mimoza Kusari-Lila. I bindur në fitoren e Mimozës është shprehur Presidenti i AKR-së z.Behgjet Pacolli.
” Gjakova, zonjë e rëndë e Kosovës. Dhe ne kemi propozuar një zonjë të rëndë të politikës Mimoza Kusari Lila, për ta drejtuar. Kosova po bëhet shtet i vërtetë. Shtetet e vërteta kanë disa qendra urbane të rëndësishme, industriale, kulturore, universitare. Gjakova është njëra nga qendrat urbane. Dikush tha se Mimoza ka frikë për të kandiduar për Kryetare mirëpo ju doli e kundërta, Mimoza është e fuqishme është krenare dhe ajo është këtu për ju dhe do të punojë për ju edhe AKR-ja është e juaja dhe do të punoj për ju”, ju ka thënë mijëra të pranishmëve Pacolli.
Pacolli ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të konkurrojnë pasi që nuk do të kenë nevojë sepse të gjithë do t’ia kanë lakmi Gjakovës se si do të përparojë.”Mimoza e ngriti Kosovën në listën e vendeve më të mira dhe ketë punë do ta bëjë edhe në Gjakove, pasi qe shumë u përfol së AKR-ja është e vjetër dhe nuk e kap radari. Jo ne do të ju themi atyre që radari juaj është i vjetër”, ka thënë Pacolli. Më tutje Pacolli ka përmendur faktin që dikur Gjakova ishte zonë e rëndësishme për Kosovën, në të gjitha aspektet dhe se kjo ka ndryshuar kohëve të fundit, mirëpo ai premtoi se kjo situatë nuk do të vazhdojë më kështu. Gjakova ishe kryeqendër industriale, kulturore e dikurshme, por që ne do ja rikthejmë shkëlqimin edhe më të fortë”, është shprehur Pacolli. Pacolli ka thënë se më 3 nëntor do të fillojë udhëheqja e re në Gjakovë dhe do të ju kthehet identiteti gjakovareve.
Në fund të fjalimit të tij, Presidenti i AKR-së bëri thirrje të votohet për numrin 89, duke thënë se ndryshimi vjen me AKR-në. “Dilni masivisht në votime. Nëse s’dilni masivisht në votime, ndryshimi nuk vjen. Kush thotë se në Gjakovë s`mund të ndodhë ndryshimi, gabon”, përfundoi Pacolli.
Ndërsa kandidatja për të parën e Gjakovës, znj.Mimoza Kusari Lila nën duartrokitjen e shumë simpatizantëve është shprehur e bindur në fitore duke thënë se ka ardhur fuqishëm për ta ndryshuar ndjenjën e keqe në një të mirë. “Gjatë tërë ketij muaji fola me pensionistë, burra, gra, të rinj dhe në sytë e tyre e pash një shpresë për një Gjakovë ndryshe, për një Gjakove të ndritur dhe moderne. Gjakovën time dua ta shoh të përparuar, jo nën mesataren e vendeve të tjera por në pieadestal. Ka shumë emra të ndritur që ka dhënë Gjakova për këtë liri që në e gëzojmë. Shumë u fol edhe për luftën e qeverisë në emër te saj mirëpo nuk ja arritën qëllimit. Gjakova nuk është bastion i partive politike, nuk i takon me tapi askujt. Gjakova është e qytetarëve”, ju ka thënë Kusari- LIla bashkëvendësve. Ajo ka thënë se ka ardhur koha qe paritë e tjera të bëjnë paqe dhe të ja lëshojnë rrugën AKR-së. ” Do të jem Kryetarja parë femër në gjithë komunat e Kosovës, pasi që ju qytetarë e meritoni këtë.
Nuk ka Gjakovë të frikësuar. Po i vjen fundi ditëve të vështira, për këtë vota juaj ka peshë të madhe. Besimin dhe krenarinë e kam parë në sytë tuaj dhe për këtë më 3 nëntor do të ndryshojmë etapën dhe do ta festojmë fitoren në çdo lagje të Gjakovës dhe në çdo fshat të saj,” ka thënë Kusari-Lila duke shtuar se, Gjakova e ka ndarë politika e keqe, por se pas 3 nëntorit prapë do të jetë si më parë.