Behgjet Pacolli promovon idenë për autostradën e Anamoravës
01/04/2014

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, sot në Gjilan ka marrë pjesë në diskutimin me ndërmarrësit dhe biznesmenët e Anamoravës, me temën “Anamorava në perspektivën e zhvillimit-Zona e lirë ekonomike dhe autostrada”.

Gjatë fjalës së tij, zëvendëskryeministri Pacolli, ka potencuar rëndësinë që Anamorava ka në zhvillimin ekonomik të Kosovës në tërësi.  Sipas z.Pacolli, pozicioni gjeografik (kufizimi me trevat shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë) i Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe tërë pjesës së Anamoravës, e bën këtë regjion të favorshëm për krijimin e kushteve për zona ekonomike, parqe industruale dhe inkubatorë të tjerë të zhvillimit ekonomik.

Pacolli, po ashtu ka thënë se autostrada, që do ta lidhë këtë pjesë me pjesët e tjera të Kosovës, është nevojë imediate, realizimi i së cilës do të ndikonte në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve ekonomike në këtë pjesë.

“Personalisht, pas arritjes së qëllimit për krijimin e zonës së lirë ekonomike në Gjakovë dhe Mitrovicë, fokusi im, përkundër vështirësive që na krijohen si parti, do të jetë Anamorava. Ky vend ka potencial zhvillimi dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë” ka thënë Pacolli.

Zv/kryeministri Pacolli ka thënë se edhe për Gjilanin, duhet të bëhet studimi për mënyrën e funsksionimit të zonës së lirë ekonomike në mënyrë që ajo të jetë e suksesshme.

“Për Gjakovën dhe Mitrovicën janë bërë studime tre vjet dhe gjithsesi ato do të jenë të suksesshme. Për Gjilanin do ta kemi më të lehtë studimin pasi që i kemi përvojat, por asesi nuk do të veprohet shkel e shko. Ne e dëshirojmë një zonë të lirë ekonomike të suksesshme këtu”, ka thënë Pacolli, propozimi i të cilit është mirëpritur nga ndërmarrësit e Anamoravës.

Gjatë këtij diskutimi, pjesmarrës ishin ministri i Zhvillimit ekonomik, Z.Fadil Ismajli, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Z.Bernard Nikaj, Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe i Kamenicës z.Begzad Sinani.

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart