REFERIMI I ISH PRESIDENTIT TË KOSOVËS, ZOTERI BEHGJET PACOLLIT NË KONFERENCEN ME TITULL: NDËRTIMI I MARRËDHËNIEVE SERBO-SHQIPTARE”
03/09/2015

MITROVICË, 3 SHTATOR 2015

Të nderuar kolegë, deputetë, shkëlqesi ambasadorë, njerëz të medias,

FALËNDERIMI PËR ORGANIZATORIN

• Jam shumë i nderuar që gjendem ktu mes jush sipas konceptit të Nexhmedin Spahiut, një aktivist i hershëm pro pajtimit mes dy komuniteteve.

• Besoj se prania ime këtu është përcaktuar nga dy elementë të kontributit tim: së pari si LOBUES- BESOJ I GJITHËPRANUAR PËR INTEGRIMIN NDËRKOMBËTAR TË KOSOVËS si shtet sovran dhe i pavarur, nëpërmjet njohjeve të saj, dhe për IDETË, propozimet në të cilat kam insistuar prej një kohe të gjatë që BALLKANI TË REALIZOJË NJË HAPËSIRË PA BARRIERA EKONOMIKe, për lëvizjen e lirshme të ideve, mallrave, kapitaleve, njerëzve para se të hyjë në Bashkimin Europian.

• CKA DO TË THOTË KJO?

• Unë do ta lë anash kostumin partiak. Për mua është e njohur e shkuara e kësaj treve, tragjedia e Kosovës, dhe arsyet e saj. Sa më shpejt ta kapërcejmë retorikën e së shkuarës, aq më mirë do të jetë.

• Sidoqoftë një është e sigurt: jemi të dënuar të jetojmë BASHKË DHE JEMI NË EUROPË, shansi ynë i përbashkët. Cka do të thotë se pajtimin tonë, bashkëjetesën tonë paqësore do duhet ta projektojmë sipas modeleve europiane.

• Zgjidhja është tek ajo që kancelarja Merkel, që udhëheqësit Rama dhe Vuçiq po e quajnë modeli frankogjerman i zgjidhjes së konfliktit. A nuk ishin francezët dhe gjermanët në konflikt të përgjakshëm?

• Kjo nuk i pengoi që pikërisht MBI ATË PASURI PËR TË CILËN KISHIN LUFTUAR DY LUFTËRA BOTËRORE, QYMYRI DHE CELIKU TË NGRININ BASHKIMIN EUROPIAN.

• PRA NE DUHET TË MENDOJMË EKONOMIKISHT.

• Kjo trevë, këto shtete të krijuar në Europën Juglindore, nuk do të kenë një ardhmëri të ndritur, nëse nuk do mendohet ekonomikisht, duke hequr petkun politik, gjegjësisht partiak.

• Europa e Bashkuar e themeloi paqen mbi interesin ekonomik të përbashkët.

• Këtë duhet ta bëjmë dhe ne! A e duron dot politika e kësaj treve, gjegjësisht akterët politikë këtë mënyrë të menduari, është irrilevante dhe duhet të ishte irrilevante.

• Edhe në kushtet e hasmërisë, akterët ekonomikë kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë ekonomikisht. Politika për ta s’ka krijuar kushte, ndaj kjo bëhet ilegalisht.

Për t ju shmangur kësaj duhen krijuar kushte nga akterët politikë: ndaj i ftoj ata që të mos humbin kohë, por të fillojnë të veprojnë në këtë drejtim.

JA DISA IDE TË MIAT

• KRIJIMI I ZONËS SË LIRË EKONOMIKE që do të përmbledhë komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zvecanit. Një zonë e lirë ekonomike de jure me insistimin tim është krijuar në territorin e Mitrovicës së Jugut, dhe kjo duhet zgjeruar dhe në komunat që përmenda. Ajo duhet të ketë një statut të vecantë që rregullon gjithë veprimtarinë ekonomike brenda kësaj zone dhe marrëdhëniet e saj me Kosovën dhe Republikën e Serbisë.

• Hapi tjetër është TRAJTIMI I MINERALEVE.
Nuk do të ketë shfrytëzim racional të mineraleve që kanë këto treva, nëse ato do trajtohen të ndara vec e vec nga seicili shtet! Duhet të krijohen veprimtari ekonomike që kapërcejnë kufijtë administrativë politikë të këtyre shteteve! Fillojmë nga TREPCA!

Që nga viti 2006 kam potencuar gjithmonë se rreth Trepcës, në përputhje me kontributin e seicilës njësi duhet të krijohet një ndërmarrje e përbashkët minerale në rend të parë midis njësive punuese të Kosovës dhe Serbisë, me menaxhim perëndimor.
Trepca sot ka njësitë e veta punuese,në Kosovë dhe në Serbi. Këto njësi punuese që për ne janë të njohura si Miniera, si Bellobërdë, Crnac, Zhutapërla, Leposaviq, Stan ose Staritërg, në Kishnicë, në Novobërdë, në Hajvali, Cuka e Batllavës,
Këto njësi duhet të kalkulojnë pasuritë e tyre, gjegjësisht rezervat dhe në bazë të llogarive të përcaktohet fuqia e tyre ekonomike. (shiko skemën që e keni në tavolinat tuaja)

KONCEPTI I HOLDINGUT RAJONAL ME MENAXHIM PERENDIMOR

Nga ana tjetër, gjitha këto miniera të krijojnë një ndërmarrje të përbashkët që të regjistrohet në një vend europian, përshembull në Londër. Themeluesit e kësaj ndërmarrje dhe aksionerët e saj do të jenë njësitë punuese-minierat. Përqindja e aksioneve do të jetë në bazë të fuqisë ekonomike të llogaritur sipas rezervave. Kjo ndërmarrje duhet të ketë një kapital fillestar prej njëmilion funtesh, do të ketë organin e vet drejtues, Bordin e saj. Këto njësi në varësi të fuqisë së tyre do të përfaqësohen në bord. Si garant për mirëfunksionimin e tyre, kjo ndërmarrje do të zgjedhë një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët do të përfaqësojnë në thelb menaxhmentin ndërkombëtar. Ai do të ketë të drejtat, lirinë e veprimit, të rregulluar sipas statutit të ndërmarrjes. Ky grup menaxherësh ose paguhet (për këtë nuk ka mjete), ose të lejohet participimi në këtë holding. Do të ishte e udhës që këtij menaxhmenti t’ i jepej deri në 30% e kapitalit të kësaj ndërmarrje.
Ndërmarrja në Londër nuk është pronare e minierave, por posedon të drejtat ekskluzive për të menaxhuar me minierat në rajon. Kjo ndërmarrje do ta ketë shumë më të lehtë për t’ i funksionalizuar këto miniera, për shkak të aksesit më të lehtë në resorset financiare, për të shkak të ekskluzivitetit në shitblerjen e mineraleve, transaksioneve kontraktuale dhe garantimin e kontratave përmes letrave bankare. Ajo do ta bënte ndarjen e të hyrave në bazë të rezultateve të seicilës minierë.

• Kjo kompani sipas strategjisë zhvillimore do të merr përsipër dhe zhvillimin teknologjik të këtyre minierave duke riaftësuar horizontet e ekstratimit të mineraleve dhe krijimin e kapaciteteve për ti rafinuar ato. Në momentin kur të fillojë eksploatimi dhe rafinimi i mineraleve, Trepca do të gjejë shumë lehtë një partner që do ti krijonte mundësi të tjera teknologjike për përpunimin metalurgjik të tyre. Asetet do të jenë shumë të mëdha për shkak të ekskluzivitetit për të punuar me këto miniera, për të krijuar kështu një kredibilitet real për të hyrë në transaksione bankare, gjegjësisht aktivitete kreditore.

• Jam i bindur se nëse krijohet një gjë e tillë, ky do të jetë një holding shumë i fuqishëm minerar që do të operonte prej Londrës dhe problemi për të zhvilluar teknologjikisht minierat në rajon do të jetë shumë i lehtë. Ky holding i fuqishëm londinez i krijuar prej subjekteve të dy a më shumë shtetesh në këtë rast mund të punojë përtej Trepcës. Shumë miniera të cilat përfaqësojnë njëlloj soliditeti në pasuri, do të trokasin në dyert e tij dhe ky do të punonte me miniera të tjera në rajon.

Kur të fillojë puna këtu, do të pyes: a do të ketë politikanë që mund të pengojnë këtë gjigand? A do flitet për Zajednicë, dallime etnike apo njerëzit do të flasin për mundësitë e tyre ekonomike, për mirëqenien e tyre?

• ELEKTROEKONOMIA.

Shqipëria dhe Kosova kanë bërë punë të madhe për Tregun e përbashkët energjitik. Nëse Serbia është e interesuar, edhe ajo mund të përfshihet si u diskutua në Vienë. Keshtu peshohen te gjithe sipas kontributit.

Këtu do të krijohet një holding i fuqishëm energjitik ku pjesëmarrja e partnerëve perëndimorë do të jetë e paevitueshme e kjo i nevojitet këtyre trojeve.

-E njëjta zgjidhje për HEKURUDHAT.

TREGU I LIRE, MBESHTETET TEK FAKTI, TEK MUNGESA E KUFIJVE, TEK SUKSESI

Mendimet e mia kane themelet e veta tek eksperienca ime, biznesi ndërkombëtar, tek rrethanat rajonale të cilat i njoh shumë bukur dhe nga fakti i ekzistimit të ekonomisë së lirë të tregut dhe ekonomisë globale.

Tregu i lirë dhe ekonomia globale nuk njohin politikaj, parti, nuk njohin kufij. Ato kërkojnë lëvizje të lirë të kapitalit, njerëzve, ideve, mallrave dhe për synim kanë suksesin biznesor. Ky sukses ndahet proporcionalisht pavarësisht se ku jetojnë ata, në Kartaguaj, në Uashington, në Beograd apo në Prishtinë.

• ne duhet të prodhojmë interesa ekonomikë të ligjshëm që do të rrisin mirëqenien e popujve tanë, e komuniteteve tona. Këto interesa, mirëqenia prej tyre do të paqësojnë konfliktin ende të pranishëm. Nëse s’bëjmë këtë, gjithmonë Kosova me Serbinë do ngjajnë si dy lojtarë në tërheqjen e litarit që do përpiqen kush e kush ta tërheqë nga vetja. Kjo tërheqje sipas kritizerëve, sipas mbrojtësve të idesë së sovranitetit ekskluziv s’do duhej të mbaronte kurrë. Nëse dy vetë ulur në tavolinë do të pretendonin se mbulesa e tavolinës i takonte seicilit, dhe do ta tërhiqnin nga ana e tyre, në fund, mbulesa do të grisej.

• E njëjta gjë do të ndodhë dhe me pasuritë e përbashkëta apo të kontestuara, në zona kufitare, pronësitë e të cilave i kontestojnë dy shtetet tona.

PROCESI I BERLINIT, MBESHTETUR TEK PROMOVIMI I PROJEKTEVE TE PERBASHKETA EKONOMIKE

• A e keni parë sesa i buzëqeshin njeri tjetrit kryeministrat e Ballkanit, në takimet me kancelaren Merkel? Cila është arsyeja? Interesi ekonomik i përbashkët, nga projektet infrastrukturore të përbashkëta. I kanë harruar sherret në distancë, gjyqet publike ndaj njeri tjetrit, etj.

• Unë mora shembull Trepcën. Nëse do ta lëmë kështu si është, nëse litarin do ta tërheqim mirë nga dy anët, pa u dorëzuar asnjeri, ose duke pritur që të rrëzohet tjetri, atëherë kjo pasuri do të shkatërrohet. Do ta mbysë uji dhe kështu ne do humbim atë pasuri me të cilën na ka bekuar zoti.

KONCEPTI IM THEMELOR: BASHKADMINISTRIM I PASURIVE TE KONTESTUARA, ME PERFSHIRJE PERENDIMORE

• Siç kuptohet, koncepti bazë në kto propozime është: bashkëpunim ekonomik, subjekte të përbashkët me kompani perëndimore brenda, që të zhvillojnë ato pasuri që janë të kontestuara.

• Midis dy vendeve tona ka shumë pasuri të kontestuara; prona të patundshme të shqiptarëve në Serbi dhe anasjelltas; kemi ujëmbledhësin, etj, etj.

• Kam lexuar për forma të ngjashme zhvillimore në vende me konflikte të përgjakshëm si përshembull midis Palestinës dhe Izraelit. Kam dëgjuar për një plan të quajtur Al Sharkia, i cili pikërisht pasuritë e kontestuara të seicilës palë në zonat kufitare, i vendoste nën një subjekt menaxhues të paanshëm, psh perëndimor, ose dikë tjetër, dhe palët merrnin pjesë në këshillin menaxhues sipas fuqisë aksionare.

• Fati ynë është se ne bëjmë pjesë në Europë dhe Serbia e sotme thotë se është e ka prioritet anëtarësimin në BE. Shumë mirë, le të ndjekim modelet europiane të kapërcimit të konfliktit. Le të shfrytëzojmë energjitë tona, dëshirën e popujve tanë për mirëqenie, që të mbyllim kapitullin e konfliktit.

Ne jemi një rajon me pozitë strategjike të rëndësishme. E di që ne shqiptarët do favorizohemi nga heqja e kufijve, nga logjika e bashkëpunimit, por dhe Serbia do të fitojë prej daljes nga logjika e homogjenitetit fetar, etnik, duke gjetur rrugë të reja daljeje drejt botës.

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart