Rexhep Qosja: Vizioni gjithkombëtar i Behgjet Pacollit, shembull për politikanët shqiptarë

Rexhep QOSJA

Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Behgjet Pacolli tha çka në këtë Kuvend nuk ishte dëgjuar prej kohës së Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe Fan Nolit. Prej kohës së këtyre tri figurave të mëdha të historisë kombëtare, kryetari i Republikës së Kosovës, i kontestuar si i paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, që shtatë ditë më vonë, pikërisht më 28 mars, edhe do të shpallet i paligjshëm për shkak të zgjedhjes së paligjshme në Kuvendin e Kosovës, do të mbajë ashtu fjalimin e parë historik në Kuvendin e Shqipërisë pas vitit 1991.

Dhe, ky fjalim mund të quhet historik për më shumë arsye. Prej vitit 1991, në Kuvendin e Shqipërisë ishin dëgjuar fjalime, që kishin të bënin vetëm me Shqipërinë shtetërore dhe, kur e kur, shkurt, me Kosovën, dhe me shqiptarët në Maqedoni e në Mal të Zi. Të gjitha planet dhe të gjitha pamjet (vizionet) politike të titullarëve shqiptarë ishin plane dhe pamje për shqiptarët dhe për Shqipërinë e kufijve të vitit 1912-1913.

Ishin këto fjalime të zyrtarëve dhe të titullarëve, në të vërtetë fjalime të burokratëve, të cilët mendojnë dhe shprehen vetëm për ato që shohin dhe për ato që bëjnë: fjalime mendimepakta, shikimengushta, zemërvogla. Ishin këto fjalime të burokratëve që qe 20 vjet luftojnë mes vete për poste e privilegje që sjellin ato poste, por që nuk janë në gjendje as të mendojnë as të kenë pamje (vizion) si do të duket populli i tyre, kombi i tyre, pas një viti e lëre më pas pesë, dhjetë a njëzet vjetësh! Ishin këto fjalime shqiptuesit e të cilave përpiqeshin, në radhë të parë, të mos thoshin diçka (gjithëkombëtare), që mund të mos e pëlqenin ata faktorë ndërkombëtarë, të cilët më parë se për një dëshirojnë të flitet për dy kombe shqiptare!

Fjalime të këtilla, tipike burokratike, titullarët kryesorë të Shqipërisë shtetërore, kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe kryeministri Sali Berisha do të mbajnë edhe në Kuvendin e Kosovës, madje, edhe në Universitetin e Prishtinës, me rastin e shpalljes së tyre doktorë honoris causa!

Fjalime të tilla, burokratike, shikimengushta, do të mbajë edhe shkrimtari prej të cilit kjo nuk pritej – shkrimtari Ismail Kadare me rastin e shpalljes anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me rastin e shpalljes doktor honoris causa i Universitetit të Prishtinës dhe me rastin e shpalljes së dytë doktor honoris causa në Kosovë – me rastin e shpalljes doktor honoris causa në Universitetin Amerikan të Kosovës!

Dhe, pikërisht këtë traditë tragjike të fjalimeve të çastshme shikimengushta në Kuvendin e Shqipërisë, do ta thyejë për herë të parë njeriu prej të cilit kjo pritej më së pakti: do ta thyejë biznesmeni dhe kryetari (i paligjshëm) i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Behgjet Pacolli në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të flasë siç qe njëzet vjet flasin zyrtarët dhe titullarët e Shqipërisë shtetërore: nuk do të flasë veçmas për Shqipërinë shtetërore e veçmas për Kosovën. Behgjet Pacolli në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të flasë as siç kishin folur paraardhësit e tij, kryetari i Kosovës kur Kosova ende nuk ishte shtet, Ibrahim Rugova, dhe kryetari i Kosovës kur Kosova ishte shtet, Fatmir Sejdiu: nuk do të flasë veçmas për Shqipërinë shtetërore dhe veçmas për Kosovën.

Behgjet Pacolli, i pazënë prej ideologjisë komuniste staliniste prej së cilës kishin qenë të pushtuar titullarët e Shqipërisë shtetërore, sidomos Sali Berisha dhe prej ideologjisë komuniste titiste prej së cilës kishin qenë të pushtuar dy titullarët e Kosovës, do të flasë për shqiptarët si një tërësi, si një komb, do të flasë për gjeografinë, historinë, gjuhën, kulturën e njësishme të kombit shqiptar. Mund të thuhet kështu, pikërisht kështu, sepse Behgjet Pacolli do të rrëfejë se çka, çfarë institucionesh të përbashkëta politike, ekonomike, bujqësore, energjetike, arsimore, kulturore e të tjera do të duhej të krijojnë Shqipëria shtetërore dhe Kosova me qëllim që populli shqiptar të ekzistojë, të funksionojë, më në fund, si një Komb Modern. Dhe pamjen (vizionin) e tij historike, gjithëkombëtare, do ta përmbyllë me pohimin historik: ARDHMËRIA E POPULLIT SHQIPTAR ËSHTË BASHKIMI KOMBËTAR.

Derisa kryetari (i paligjshëm) i Republikës së Kosovës, biznesmeni, Behgjet Pacolli, po e përmbyllte fjalimin e tij jetësor, që do ta nderojë përgjithmonë, duke ua mbajtur ashtu një leksion politik historik burokratëve të Tiranës, gjuhën e të cilëve aq tmerrshëm e kanë shkretuar fjalët parti, e djathtë, e majtë, grushtshtet, puç, mazhorancë, zgjedhje, korrupsion, privatizim, trafikim i qenieve njerëzore, media elektronike, fitore, disfatë, bllokmenë, e të tjera, e të tjera, unë shihja në televizionin që po shikoja se sa shumë ishin zmadhuar sytë e dëgjuesve të tij në Kuvendin e Shqipërisë. Si të mos zmadhoheshin? Ata po dëgjonin çka nuk kishin ditur të mendonin, sepse po dëgjonin çka nuk kishin ditur as të ëndërronin! Asgjë e çuditshme: edhe mendimet, edhe ëndrrat e tyre për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar mendojnë se përcaktohen tjetërkund!

Për këtë arsye nuk është e çuditshme pse fjalimi historik i kryetarit (të paligjshëm) të Republikës së Kosovës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Behgjet Pacolli, do të heshtet si të mos ishte mbajtur në numrin më të madh të mediave shqiptare, në mënyrë të veçantë në mediat e vëna ne shërbim të regjimit autoritar të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë.
Fatmirësisht, ato që i hesht dhuna e burokracisë së regjimeve autoritare ato aq më me përkushtim i rikujton dhe i sendërton historia.

(Editorial nga akademik Rexhep Qosja – shkëputur nga “Gazeta Shqiptare”)