Sejdiu diskuton me qytetarët për problemet e Prishtinës
29/10/2013

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, z. Korab Sejdiu, sot bashkëbisedoi me qytetarët e Prishtinës në sheshin “Nëna Tereza”. Qytetarët patën mundësinë që së bashku me z. Sejdiun të flasin për problemet me të cilat ballafaqohet komuna e Prishtinës.

Në këtë takim me qytetarët z. Sejdiu  shpalosi programin e tij për Prishtinën. “Do të angazhohem maksimalisht që Prishtinën ta bëj një qytet sa më funksional, të krijoj vende të reja të punës dhe të hartoj planin e integruar zhvillimor të qytetit. Zhvillimi i qytetit duhet të jetë i koordinuar dhe planifikuar si në kontekst urbanistik, ashtu edhe në kontekst social e ekonomik”, tha z. Sejdiu në bashkëbisedim me qytetarët.

Po ashtu, z.Sejdiu i siguroi qytetarët se në qeverisjen e tij, zyra e tij dhe të gjitha zyrat e komunës do të jenë gjithmonë të hapura për të gjithë qytetarët dhe të gjitha problemet.

Shqetësimet dhe pyetjet e qytetarëve drejtuar  z. Sejdiu kishin të bënin me problemet e ujit, me papastërtinë e qytetit, kaosin në trafik, mungesën e trotuareve dhe parkingjeve dhe natyrisht brenga kryesore e tyre ishte mungesa e perspektivës për punësim dhe përmirsim të mirëqenies sociale dhe ekonomike.

“Unë kam një plan për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, që do të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës, sikurse kam plan edhe për zgjidhjen e problemit të trafikut, problemit të cilësisë së dobët të shërbimeve komunale për grumbullimin e mbeturinave, krijimit të parkingjeve të reja në hyrjet kryesore të qytetit”, u përgjigj z.Sejdiu kundrejt shqetësimeve të qytetarëve në këto bashkëbisedime.

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart