
Trashëgimia kulturore dhe roli i saj karshi institucioneve të Kosovës
24/09/2010
Edhe pas një dekade të pasluftës, përgjatë viteve në tranzicion, kultura vazhdon të jetë një nga segmentet më të anashkaluar dhe më të patrajtuara nga institucionet e Kosovës dhe kjo si rezultat i mungesës së një strategjie të mirëfilltë për zhvillimin e politikave kulturore për mbrojtjen, promovimin dhe integrimin e vlerave tona kombëtare në integrimet evropiane.
Edhe pas shumë vitesh, një pjesë e madhe e trashëgimisë kulturore vazhdon të mbetet në Serbi.
Janë diku mbi 1000 eksponate arkeologjike dhe etnologjike, të cilat vazhdojnë të mbesin nëpër bodrumet e muzeve të Beogradit.
Ne konsiderojmë se po nuk u respektua e kaluara jonë, nuk mund të flasim për të ardhmen vendit, prandaj kjo trashëgimi i takon vetëm Kosovës dhe popullit të saj. Përpos artifakteve, Serbia ka marrë edhe arkivin e Kosovës për mbrojtjen e monumenteve, material ky, i cili pamundëson manipulimin e dokumentacionit. Siç shihet, në Kosovë mungojnë iniciativat serioze për kthimin e këtij thesari të popullit të Kosovës. Një segment tjetër që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm është edukimi i të rinjve mbi trashëgiminë e tyre, e cila do të arrihej përmes literaturës shkollore, vizitave masive nëpër Monumentet Historike, të cilat parashihen me planprograme shkollore.
Më lejoni të them se edhe pse ndodhemi në kuadër të “Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane”, Kosovës i mungon një aktivitet multikulturor, i cili do të ndikonte në jetën e qytetarëve.
Element tjetër i rëndësishëm, janë hulumtimet klandestine, ilegale , të cilat dëmtojnë trashëgiminë tonë.
Konsiderojmë që institucionet tona duhet të marrin masa të menjëhershme për sigurinë e tyre, sepse jo gjithmonë këto gërmime janë bërë nga individë apo kompani të licencuara, të cilat plotësojnë kriteret profesionale, sipas ligjit për trashëgiminë kulturore.
Kur flasim për sigurinë, do të doja të përmend Kambanën e Sahatit të Kullës, e cila është vjedhur në vitin 2001 dhe sot e asaj dite nuk dihet se ku gjendet.
Një gjendje të rëndë kemi edhe në sferën e artit muzikor, ku vlerat e mirëfillta çdo ditë e më tepër po pësojnë rënie si rezultat i mosmbështetjes institucionale. Nuk investohet aspak në edukimin e artit muzikor. Të vetmet institucione ku lindin dhe promovohen talentet muzikore, janë shkollat e muzikës dhe përpos qytetit të Gjakovës, në gjithë Kosovën, këto shkolla janë pothuajse në prag të rrënimit të tyre.
Konsiderojmë se ky nivel i kulturës në vend, është një pasqyrë shumë e qartë se cila është gjendja e kulturës aktuale kosovare. Prandaj AKR, kërkon zhvillimin e politikave kulturore dhe ngritjen e mekanizmave për sensibilizimin e kulturës dhe nxitjen e mekanizmave ndërkombëtar drejt integrimit të kulturës sonë në bashkësinë evropiane.
Elizabeta Musliu
Anëtare e Kryesisë Qëndrore në AKR