Tubim madhështor në Kongresin e katërt zgjedhor të AKR-së
25/02/2017

Tubim madhështor në Kongresin e katërt Zgjedhor të AKR-së

Nën atmosferën festive të brohoritjeve nga simpatizantët e shumtë të partisë, Aleanca Kosova e Re sot në një tubim madhështor në Pallatin e Rinisë, ka mbajtur Kongresin e partisë ku z.Behgjet Pacolli edhe formalisht mori detyrën për mandatin katërvjeçar si President i AKR-së.

Fillimisht është mbajtur pjesa punuese, me ç’rast Kongresi ka miratuar statutin, ndërsa më pas me shumicë votash është zgjedhur edhe Kuvendi i partisë, duke e përmbyllur kështu pjesën punuese të Kongresit të katërt Zgjedhor të Aleancës Kosova e Re.

Në Kongres të pranishëm ishin shumë mysafirë dhe miq të Kosovës, ndër të cilët edhe ish Presidenti i Kroacisë z.Stjepan Mesiç, përfaqësues nga Rrjeti i Partive Liberale të Evropës, përfaqësues të partive politike në Kosovë, Kryetarë të partive politike nga Shqipëria, Mali i Zi, Presheva e Maqedonia si dhe shumë mysafirë të tjerë.

Në fjalën e tij para mysafirëve dhe delegatëve, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli, fillimisht e ka falënderuar të gjithë anëtarësinë e partisë dhe personat e përfshirë në proceset zgjedhore të AKR-së. Ai ka thënë se ky Kongres është rezultat i një pune dhe angazhimi të madh të anëtarësisë së AKR-së për t’a përmbyllur me sukses konsolidimin e degëve dhe Forumeve të partisë në gjithë Kosovën. “Tani ka ardhur koha e liberalizmit të vërtetë ku do të veprohet me përgjegjësi dhe transparencë të plotë ndaj popullit. Kosova është në një gjendje të vështirë aktualisht, ndërsa Aleanca Kosova e Re është e vendosur që ta ndryshojë këtë gjendje”, ka theksuar lideri i AKR-së.

Pacolli ka thënë se AKR-ja do të krijojë ambient të sigurt për investime, si dhe do të hartojë politika tërheqëse për investitorët. “AKR ka program të qartë për të luftuar varfërinë, ajo do të krijojë barazi për të gjithë qytetarët. Do të ketë zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale, rritje ekonomike dhe mbi 60 000 vende të punës për çdo vit, ndërsa të hyrat buxhetore do t’i dyfishojmë në mandatin e parë qeverisës”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Pacolli.

Punimet e Kongresit dhe zgjedhjen e presidentit të AKR-së, me nga një video-mesazh e uruan edhe Kryeministri i Shqipërisë, z.Edi Rama si dhe Presidenti i Aleancës së Liberal-Demokratëve evropian z.Hans van Baalen.

Në fjalën e tij përshëndetëse z.Rama i ka uruar sukses AKR-së dhe Kosovës duke deklaruar se Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për një njeri vizionar siç është Presidenti Behgjet Pacolli.

Ndërkaq Presidenti i Aleancës së Liberal-Demokratëve evropianë z.Hans van Baalen, duke folur për procesin e përmbylljes së zgjedhjeve të brendshme në AKR, i ka uruar sukses Presidentit Pacolli në mandatin e tij të ri, duke shprehur kështu përkrahjen e padiskutueshme të Liberalëve evropianë ndaj Aleancës Kosova e Re dhe qytetareve të Kosovës.

Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti edhe ish-luftëtarja e UÇK-së, Leonora Buqinca, e cila duke folur rreth sfidave që ka kaluar së bashku me shumë ish luftëtarë të UÇK-së, e falënderoi Presidentin Behgjet Pacolli për ndihmën e tij të pakursyer ndaj kategorive të dala nga lufta.

Kongresi i katërt zgjedhor i Aleancës Kosova e Re, më pas vazhdoi edhe me pjesën solemne të saj, duke i përmbyllur kështu punimet në një atmosferë festive të mbushur me mijëra përkrahës të Aleancës Kosova e Re dhe Presidentit Behgjet Pacolli.

IMG_1335 IMG_1333 IMG_1334 IMG_1335

 

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart