Zëvendëskryeministri Pacolli fton investitorët amerikanë në Kosovë

New York, 29 nëntor 2011

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli u ka bërë thirrje të gjithë investitorëve amerikan që të investojnë, në Kosovë, në shtetin e ri me kapacitete të shumëanshme.

Në konferencën e investitorëve për Kosovën, të mbajtur në Hjuston të SHBA-së, në të cilën merrnin pjesë më shumë se 30 kompani të fuqishme (me gjiro qindra miliona dollarë).

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli u ka bërë thirrje të gjithë investitorëve amerikan që të investojnë, në Kosovë, në shtetin e ri me kapacitete të shumanshme. Në konferencën e investitorëve për Kosovën, të mbajtur në Hjuston të SHBA-së, në të cilën merrnin pjesë më shumë se 30 kompani të fuqishme, zëvendëskryeministri Pacolli ka ofruar një pasqyrë të mundësive reale për investime në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Pacolli e ka përshkruar Kosovën si vendin më proamerikan në Evropë, si vendin me ligje sipas standarteve evropiane, në të cilin, investitorët janë të privilegjuar nga shteti. Amerikanët sipas zëvendëskryeministrit Pacolli, janë të mirëpritur në Kosovë, dhe duhet të fillojnë me investimet e tyre.

“Në Kosovë ka nevojë për gjithçka, ndaj në Kosovë ka hapësirë për investime kudo, me garanci shtetërore, me mbështetje të privilegjuar nga shteti. E keni shansin qe te vini ne Kosovë, të investoni dhe ne do të ju mbështesim me kapacitetet tona. Ne ju inkurajojmë që të vini dhe jeni të mirëseardhur”, ka thënë Pacolli.

Ai po ashtu ka shpjeguar edhe mundësitë që ka Kosova si rezultat i aplikimit të masave favorizuese nga BE dhe SHBA për prodhimet kosovare.

“Unë e kam të qartë rëndësinë e hapësirës, apo të tregut për zhvillimin e biznesit. Nëpërmjet iniciativave të caktuara, përgjithësisht hapësira e rajonit falë një iniciative të Bashkimit Europian është pa pengesa të mëdha doganore, apo pengesa të tjera, me përjashtim të kufijve me Serbinë. BE aplikon masa favorizuese për prodhimet Made in Kosova”, ka theksuar zëvendëskryeministri Pacolli.

Ai ka theksuar se investitorët amerikanë, duhet të jenë të parët që hyjnë në industritë minerare dhe energjetike. Sipas tij, interes në këtë fushë kanë shprehur edhe investitorë të tjerë, por e rëndësishme për shtetin e Kosovës, është që në këtë drejtim, amerikanët të jenë në radhë të parë.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin: Clean Air, SK Engineering&Construction, McGriff,Seibels&Williams, Bechtel, ZEEP, Fuel Quest, WorleyParsons, PwC.