Në kuadër të angazhimeve lobuese për njohjen e Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri I parë I Qeverisë së Kosovës z.Behgjet Pacolli po qëndron në Nju Jork të SHBA-së, ku po zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Zoti Pacolli ka zhvilluar një takim të shkurtër me Presidentin e Tanzanisë Jakaya Kikwete dhe ministrin e Punëve të Jashtme të këtij shteti Bernard Membe.
Edhe në këtë takim, zëvendëskryeministrit Pacolli i është rikonfirmuar se njohja nga Tanzania do të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt. Po ashtu zoti Pacolli ka marrë garanci nga presidenti Kikwete se Tanzania do të angazhohet që Kosova ta ketë njohje nga të gjitha shtetet anëtare të SADC (komuniteti zhvillimor i vendeve të Afrikës Jugore), në të cilën bëjnë pjesë 14 shtete.
Zëvendëskryeministri Pacolli, në ditët në vijim do të zhvillojë takime të shumta me udhëheqës të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.