
Zëvendëskryeministri Pacolli takon kongresistin amerikan Eliot Engell
28/05/2012
Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, ka takuar kongresistin amerikan Eliot Engëll.
Në takimin që është zhvilluar në kongresin amerikan, zëvendëskryeministri Pacolli ka falenderuar kongresistin Engël për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. Në këtë kontekst Pacolli ka thënë se Engëll, mbetet përherë mik i nderuar i shqiptarëve.
Zëvendëskryeministri Pacolli, ka njoftuar kongresistin Engëll me zhvillimet politike në Kosovë, veqanërisht për zhvillimet në veri, si dhe me mbarëvajtjen e procesit lobues.
Pacolli dhe Engëll, ishin në të njëjtën linjë, se gjendja aktuale në veri është e papranueshme, dhe se institucionet kompetente, duhet të veprojnë për të zgjidhur ngërqin e shkaktuar nga barrikadat atje. Pacolli ka thënë se një zgjidhje përfundimtare e problemit të veriut, mund të arrihet vetëm nëpërmjet formulave ekonomik.
Në këtë pikë, ai ka marrë përkrahjen e fortë edhe nga Engëll. “Gjuha ekonomike është zgjidhja, për problemet e kësaj natyre. Ti e di mjaft mirë si flitet me gjuhen ekonomike”, ka thënë Engëll, duke shtuar se, qdo variant tjetër i propozuar, e që nënkupton ndarjen e asaj pjese, është i papranueshëm dhe nuk është zgjidhje.
Zëvendëskryeministri Pacolli edhe gjatë takimit me kongresistin Engëll, ka shprehur indinjatën e tij të thellë lidhur me mbishkrimet në varrezat e hebrenjëve në Prishtinë, duke thënë se veprime të tilla, nuk i takojnë kulturës së popullit shqiptar.
“Ishin shqiptarët ata që mbrojtën hebrenjtë nga nazistët gjatë luftës së dytë botërore, andaj kjo është e papranueshme për ne. Këtë veprim e kanë bërë njerëz që nuk ia duan të mirën Kosovës”, ka thënë Pacolli.
Në anën tjetër, Engëll i ka ofruar përkrahje të fuqishme zëvendëskryeministrit Pacolli në misionin lobues për njohjen e Kosovës.
“E vlerësoj lartë punën tuaj të mrekullueshme në lobim”, ka thënë Engëll, duke ofruar mbështetjen e tij në qdo aspekt.
”Unë i kam shkruar edhe presidentit të Hondurasit, z.Lobo Sosa pas njohjes që i bëri Kosovës. E falenderova atë duke i thënë se ka bërë veprimin e duhur”, ka thënë Engëll.
Zëvendëskryeministri Pacolli dhe kongresmeni Engëll, u dakorduan që të punojnë ngushtë në këtë drejtim, i cili shkon drejtëpërdrejtë në fuqizimin e shtetit të Kosovës.