Zv.Kryeministri z. Pacolli viziton Marokon

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, në ditë e nëntë të vizitës së tij në kontinentin Afrikan, në kuadër të angazhimeve për shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën, ka qëndruar në Mbretërinë e Marokos.

Gjatë kësaj vizite, zv.Kryeministri, z. Pacolli është takuar me të emëruarin e Mbretit të Marokos për Politikë të Jashtme në Qeveri, z. Muhamed Azerwal ;  me Kryesinë e Parlamentit të Marokos në krye me Nënkryetarin e Parlamentit, Dr. Sadudin El Uthmani dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të udhëhequr nga Shefi i Kabineitit dhe Drejtori Politik për Evropën Juglindore.

Zv.Kryeministri i Parë i Kosovës, z. Behgjet Pacolli gjatë këtyre takimeve ka informuar autoritetet e Marokos për situatën aktuale politike e ekonomike në Kosovë, me theks të veçante për zhvillimet demokratike dhe sfidat që ka kaluar vendi ynë gjatë procesit të shtet-ndërtimit. Z. Pacolli ka prezantuar para këtyre autoriteteve edhe rëndësinë që ka opinioni pozitiv i GJND-së rreth procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Autoritetet përfaqësuese të Mbretërisë së Marokos gjatë takimit me zv.Kryeministrin, z. Pacolli, kanë theksuar vështirësitë që ka vendi i tyre për të proceduar njohjen zyrtare të Shtetit të Kosovës, veçanërisht për shkak të kontekstit politik me Saharën Perëndimore që ka të bëjë me refuzimin e Marokos për ta pranuar shpalljen e pavarësisë së asaj pjese.

Lidhur me këtë çështje z. Pacolli ka ofruar argumentet e nevojshme për të dëshmuar se rasti i Kosovës është krejt i veçantë dhe këtë e dëshmon edhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Duke qenë se kjo është vizita e parë zyrtare e përfaqësuesve të Shtetit të Kosovës, në Maroko, Zv.Kryeministri i Kosovës, z. Pacolli ka shfrytëzuar këtë rast për të kërkuar që kontaktet ndërshtetërore në mes të përfaqësuesve të dy vendeve të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Z. Pacolli ka theksuar se ai shumë shpejtë do të kthehet prapë në Maroko për të vazhduar lobimin për njohje sa ma të shpejtë të Pavarësisë së Kosovës.

Me ftesë të zv.Kryeministrit të parë të Kosovës, z. Behgjet Pacolli, një delegacion zyrtar nga Parlamenti dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Marokos do të vizitojnë shumë shpejtë Kosovën ku do të takohen edhe për përfaqësues të tjerë të lartë të Shtetit të Kosovës.