Behgjet Pacolli me 49 mijë vota, rizgjedhet President i partisë

21/02/2017

Pas përfundimit të suksesshëm të procesit të brendshëm zgjedhor për President të partisë, Aleanca Kosova e Re, ka mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast është bërë prezantimi i rezultateve përfundimtare të dala nga këto zgjedhje. Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Fatmir Matoshi, i ka falënderuar të gjithë personat e përfshirë në këtë proces zgjedhor si dhe të gjithë anëtarët e Komisioneve zgjedhore të AKR-së nëpër degë.  
Në votimet për President të Aleancës Kosova e Re, gjithsej kanë marrë pjesë 50,028 persona ndërsa për Behgjet Pacollin në krye të AKR-së, kanë votuar 49,411 persona (98.77%). Vota kundër kanë rezultuar 531 (1.06%), ndërsa 86 vota (0.17%) janë shpallur të pavlefshme.

Numri më i madh i anëtarëve të Aleancës Kosova e Re që kanë dalë në votim është në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Kamenicë, Lipjan, Pejë, Prizren, Gjakovë, etj.

Rezultatet e zgjedhjeve për President të Aleancës Kosova e Re i paraqiti anëtari i Komisionit Zgjedhor Nasuf Aliu, i cili paraprakisht e falënderoi anëtarësinë e AKR-së, e cila sipas tij ka qenë jashtëzakonisht e përkushtuar për mbarëvajtjen e rregullt të të gjithë procesit.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor Fatmir Matoshi, ka deklaruar para gazetarëve se, pjesëmarrja e madhe e personave të përfshirë në procesin e votimit, ka qenë rezultat i riorganizimit të suksesshëm i cili është bërë brenda AKR-së, duke e përmendur këtu edhe procesin e krijimit të 800 nëndegëve të partisë të cilat shtrihen në tërë territorin e Kosovës. “Numri i madh i pjesëmarrësve në votim është rezultat i punës 1 vjeçare në riorganizimin e partisë. Kemi arritur që të krijojmë 800 nëndegë në tërë Kosovën. Vetëm në strukturat e nëndegëve dhe forumet tjera janë aktiv mbi 20 mijë persona. Ndërsa anëtarësia po rritet fuqishëm çdo ditë”, ka thënë Matoshi.

Matoshi gjithashtu ka bërë të ditur, se certifikimi formal i rezultatit do të bëhet në Kongresin Qendror të Aleancës Kosova e Re, i cili do të mbahet me datë 24.02.2017.

Foto Galeria

Anëtarsohu Online

M F

Antarsohu dhe behu pjesë e ndryshimit

Nga facebook

më lart