Prishtinë, 1 mars 2011 –
Presidenti i Republikës së Kosovës priti në një takim një delegacion amerikan me përfaqësues të Lutjeve të Mëngjesit (“National Breakfast Prayer”), i cili përbëhej nga David Bizli, ish-guvernator i Karolinës Jugore, si dhe Mansuer Fatfat, Lary Ros e Brajan Palmieri.
Presidenti Pacolli bisedoi me miqtë amerikanë për një varg temash. Ai i njoftoi ata me zhvillimet aktuale në vendin tonë, me krijimin e institucioneve të reja dhe sfidat që i presin këto institucione si në planin e brendshëm ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Ai theksoi se Kosova është një vend i vogël, por më shumë miq në botë, të cilët e kanë përkrahur dhe do ta përkrahin vendin tonë në proceset e rëndësishme që ka përpara, sidomos në procesin e sigurimit të njohjeve të reja për Republikën e Kosovës dhe integrimin në institucionet ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit në institucionet euroatlantike.
Nga ana e tij, z. Davi Bizli dhe anëtarët e tjerë të delegacionit e uruan Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të Presidentit të Kosovës, duke i dëshiruar sukses në punën e tij.
Ata shpjeguan rëndësinë që kanë Lutjet e Mëngjesit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sqaruar mënyrën e organizimit të kësaj dite shumë të shënuar për amerikanët, si dhe theksuan se është shumë e nevojshme që të krijohen grupet e miqësisë mes dy vendeve.
Në këtë plan, përfaqësuesit amerikanë shtruan nevojën e krijimit të një qendre të “National Breakfast Prayer” në vendin tonë, për çka morën përkrahjen e plotë të Presidentit Pacolli.
