STATUTI I ALEANCËS KOSOVA E RE (AKR)

KAPITULLI I

DISPOZITAT E PËRGJITHËSHME

Neni 1

Emri dhe misioni

  1. Emri zyrtar i partisë është: “Aleanca Kosova e Re”.
  2. Akronimi i emrit zyrtar të partisë është “AKR”.
  3. AKR, është parti politike me orientim liberal-demokratik të qendrës, e cila është themeluar dhe vepron mbi bazën e programit të saj politiko-ekonomik dhe zgjedhor.
  4. AKR ka për mision realizimin e programit të saj politik dhe ekonomik të cilin do ta përditësojë, sipas nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
  5. AKR është anëtare e asociacioneve dhe grupimeve politike ndërkombëtare me orientim të njëjtë programor siç janë, Aleanca Liberale Demokratike Europiane (ALDE), Liberal International dhe Forumi i të rinjëve LYMEC.
  6. AKR është e hapur dhe synon të bashkëpunojë me të gjitha partitë, asociacionet dhe organizatat e ngjashme që kanë orientim të njëjtë politik dhe programor.
  7. AKR-ja vepron në të gjithë vendin përmes qelizave themelore të saj, qeliza të cilat i konsideron me rëndësi të njejtë, si ato qëndrore poashtu edhe ato lokale.

Të rëndësisë së njejtë janë organet qendrore që veprojnë në tërë Kosoven, dhe organet e degës në regjionet në të cilat veprojnë si dhe të nëndegës në limitet e vendit ku veprojnë.

AKR-ja forcën organizative dhe funksionale e mbështet në nëndegë, degë dhe qendër, duke mos paragjykuar specifikat gjeografike, etnike, religjioze, gjinore, gjuhësore dhe profesionale.

Neni 2

Simbolet, logoja dhe vulat

  1. AKR ka logon, simbolet dhe vulat e saj.
  2. Forma, përmbjatja dhe modalitetet tjera të logos dhe simboleve rregullohen me vendim të veçantë të Kryetarit/es të AKR-së.
  3. AKR ka dhe vulat e saj. AKR i ka dy vula të rrumbullakëta. Vula e madhe e rrumbullakët përmban tekstin e emërtimit të plotë, ndërsa vula e vogël e rrumbullakët përmban tekstin e shkurtër të AKR-së.
  4. Degët e AKR-së e kanë vulën e vet të rrumbullakët me tekstin në formë rrethore “Aleanca Kosova e Re” dhe tekstin në mes “Dega XY”.
  5. AKR-ja i ka dy vula katërkëndëshe: vulën katërkëndëshe për dërgesën e shkresave zyrtare dhe vulën katërkëndëshe për pranimin e shkresave zyrtare.
  6. Përmbajtja, ruajtja, mënyra e përdorimit dhe forma e vulave mund të ndryshohet me vendim të kryesisë qëndrore të AKR.

Neni 3

Selia dhe statusi juridik

  1. Selia e AKR-së është në Prishtinë, rruga “UÇK” nr. 55/R.
  2. Selia e AKR-së, me vendim të kryesisë, mund të caktohet në një vend tjetër.
  3. AKR ka edhe ueb faqen e saj, e cila është https://akr-ks.com/; emailin zyrtar i cili është: info@akr-ks.com dhe telefonin zyrtar i cili është: +383(0)38/___-___
  4. AKR ka faqën e saj në rrjetin social Facebook e cila është: https://www.facebook.com/aleancakosovaere/?fref=ts.
  5. AKR është person juridik i regjistruar në evidencën e partive politike, e cila vepron në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Neni 4

Vlerat

  1. AKR angazhohet dhe punon në funksion të shtetit të së drejtës; të ndërtojë shoqëri liberal-demokratike dhe të paqes, të zhvillimit shoqëror-ekonomik, të mirëqenies sociale, të lirisë, barazisë shoqërore dhe të prosperitetit ekonomik, shoqëror dhe politik.
  2. AKR angazhohet dhe punon për të ndërtuar një shtet të së drejtës ku sundon ligji, të respektojë liritë dhe të drejtat e qytatarëve, si dhe ato fetare, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet ndërkombëtare.
  3. AKR angazhohet të mbrojë dhe promovojë liritë dhe të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Kosovë, në pajtim me kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare.

Neni 5

Qëllimi politik

  1. AKR ka për qëllim konkurimin nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike, dhe duke respektuar të drejtën e votës së lirë dhe parimet e tjera demokratike të drejtojë qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, me qëllim të realizimit të programit të saj politik dhe ekonomik.
  2. Përmes zgjedhjeve të lira, AKR ka për qëllim të realizoj programin e saj politiko-ekonomik, në të mirë të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.

Neni 6

Parimi i decentralizimit

  1. AKR është parti e cila vepron në bazë të parimit të decentralizimit dhe ka shtrirje territoriale në tërë territorin e Republikës së Kosoës.
  2. Parimi i decentralizimit nga pika 1 e këtij neni jetësohet përmes organizimit të AKR-së në nëndegë dhe degë, në të gjitha komunat e Kosovës dhe vendbanime të tjera komunale.

Neni 7

Parimet e organizimit të brendshëm

  1. AKR është e organizuar në bazë të parimit të demokracisë së brendshme, konkurencës së lirë, transparencës, kundër nepotizmit dhe në favor të punës ekipore.
  2. Parimi i demokracisë së brendshme jetësohet në bazë të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur të secilit anëtar të AKR-së, ndërsa parimet e tjera jetësohen përmes dispozitave të këtij statuti dhe akteve të tjera të AKR-së.
  3. AKR është e hapur për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të realizojnë vizionin e tyre politik, në përputhje me platformën dhe programin e AKR-së. AKR është e hapur dhe transparente në raport me publikun e gjërë brenda dhe jashtë Kosovës.
  4. AKR respekton dhe mbron mendimin e të gjithë anëtarëve të saj. Vendimet e shumicës janë të obligueshme për të gjithë antarët e AKR-së.

Neni 8

Aktet e brendshme

  1. Organizimi i AKR-së bazohet në Kushtetutën dhe ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.
  2. Organizimi i brendshëm i AKR është i bazuar në aktet e brendshme të saj, të cilat miratohen nga organet kompetente, sipas procedurave të parapara në këtë statut dhe në aktet e tjera.
  3. Akti më i lartë në organizimin e brendshëm të AKR është statuti. Të gjitha aktet e tjera që nxjerren nga organet kompetente të AKR-së duhet të jenë në përputhje me statutin e saj.
  4. Për organizimin e brendshëm të saj, AKR nxjerr edhe rregullore, të cilat në hierarkinë e akteve të brendshme renditen pas statutit të AKR-së.
  5. Aktet e tjera të brendshme të cilat i nxjerr AKR janë: Vendimet, udhëzimet, rekomandimet dhe rezolutat.
  6. Rregulloret dhe vendimet kanë efekt ekzekutiv kurse udhëzimet, rekomandimet dhe rezolutat kanë efekt këshilldhënës.

Neni 9

Aktivitetet jo politike

  1. AKR përveç aktiviteteve politike organizon edhe aktivitete të tjera me karakter jo politik në përputhje me ligjet në fuqi si: veprimtari shoqërore, klube, institute, konferenca, tubime intelektuale, konferenca shkencore, forume të ndryshme, aktivitete humanitare etj.
  2. Të gjitha aktivitetet jo politike të AKR-së janë publike dhe gjithpërfshirëse.

KAPITULLI II

ANËTARËSIA E AKR-së

Neni 10

Dispozitat e përgjithshme

  1. AKR është e hapur për anëtarësim për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët kanë mbushur moshën 16 vjeçare. AKR respekton antarësimin vullnetar të të gjithë atyre të cilët dëshirojnë t’i bashkangjiten vizionit dhe programit të saj qeverisës.

Neni 11

Kushtet e anëtarësimit

  1. Për të fituar statusin e anëtarit të AKR-së duhen plotësuar këto kushte:
  1. Secili i anëtarësuar duhet të ketë mbushur moshën 16 vjeçare,
  2. Të mos jetë anëtar i ndonjë organizate tjetër e cila është në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës si dhe me vizionin e AKR-së.
  1. Në AKR mund të anëtarësohen edhe anëtarë të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, vizioni dhe orientimi i të cilëve përputhet me programin dhe vizionin qeverisës të AKR-së.
  2. Anëtari i AKR-së duhet të mbrojë dhe të promovojë vizionin dhe politikat e AKR-së në të gjitha aktivitetet publike dhe politike brenda dhe jashtë Kosovës.

Neni 12

Procedura e anëtarësimit

  1. Të gjithë të interesuarit për anëtarësim, duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë formularin për anëtarësim, në nëndegën më të afërt ose përmes platoformës online të AKR-së, e cila gjendet në ueb faqen e saj.
  2. Të gjithë anëtarët/et e rinjë regjistrohen në librin e anëtarësisë si dhe në databazën e të dhënave të AKR-së.
  3. Secili anëtar/e i/e ri/e pajiset me kartelën e anëtarësisë dhe bëhet me automatizëm pjesë e strukturave të nëndegës më të afërt të AKR-së, sipas vendbanimit të tij/saj.
  4. Anëtarësimi i anëtarëve të rinjë mund të bëhet edhe në secilën nga zyrat e AKR-së në territorin e Republikës së Kosovës.
  5. Secili anëtar/e ka të drejtë të jetë pjesë e organeve lokale dhe qëndore të AKR-së.

Neni 13

Të drejtat dhe detyrimet e anëtarit/es

Secili anëtar/e i/e AKR-së ka këto të drejta dhe obligime:

  1. Të marrë pjesë në përcaktimin dhe në realizimin e politikës partiake përmes angazhimit individual dhe grupor;
    2. Të ndërmarrë nisma që janë në pajtim me statutin dhe programin e AKR dhe t’ua prezantojë organeve vendimmarrëse;
    3. Të zgjedhë dhe të zgjedhet në organet e AKR-së;
    4. Të promovojë punën e AKR-së dhe të shpërndajë vizionin dhe programin e saj tek elektorati dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe jashtë saj;
    5. Të jetë i/e informuar për punën e organeve të AKR-së;
    6. Të marrë pjesë në aktivitetet përkatëse të AKR-së;
    7. Të realizojë të drejtat dhe të përmbushë obligimet e tjera të parapara me program, statut dhe me akte e vendime të tjera.

Neni 14

Humbja e statusit të anëtarit/es

  1. Statusi i anëtarit/es të AKR-së mund të humbet:
  2. Me dorëheqje;
  3. Me vdekje;
  4. Në rast të largimit me vendim të organeve të AKR-së;
  5. Me anëtarësimin si dhe kandidimin në një parti tjetër të Republikës së Kosovës, me të cilën AKR nuk ka marrëveshje për koalicion.
  6. Dorëheqja nga anëtarësia i drejtohet organeve të AKR-së, duke filluar nga nëndega.
  7. Anëtarët/et e përjashtuar/a nga AKR kanë të drejtë ankese në kryesinë e AKR-së në afat prej tetë (8) ditësh nga dita e nxjerrjes së vendimit për përjashtim.

Neni 15

Mbështetësit jo anëtarë

  1. AKR përveç anëtarëve ka edhe mbështetësit dhe simpatizantët të cilët nuk janë të anëtarësuar në AKR. Mbështetësit e AKR-së që nuk janë anëtarë të saj mund të marrin pjesë në takimet publike dhe jo publike të AKR me ftesën e organeve kompetente si dhe përmes thirrjes masive.

2.Të gjithë mbështësit e AKR-së që pajtohen me programin dhe vizionin e saj mund të kandidohen edhe në listat zgjedhore të AKR-së, me vendim të organeve kompetente.

KAPUTULLI III

ORGANIZIMI I AKR-së

Neni 16

Organet, mandati dhe kompetencat

  1. AKR ka organet qëndrore dhe jo qëndrore.
  2. Organet e AKR-së janë të organizuara dhe punojnë sipas statutit, rregulloreve dhe akteve të brendeshme duke u bazuar në parimet që mundësojnë një vendimmarrje demokratike dhe punë transparente.
  3. Mandati i secilit organ të AKR-së është katër (4) vite.
  4. Në përbërjen e tyre, organet e AKR-së respektojnë standardet e barazisë gjinore, me përfaqësim minimal prej 30% të gjinisë së nënpërfaqësuar.

Përjashtim nga pika 4, bën vetëm përbërja e Forumit të Gruas së AKR-së.

  1. Organet e AKR-së mund të shkarkohen në procedura të njëjta, sikur ato të emërimit të tyre, në përjashtim të rasteve që rregullohen me këtë statut.
  2. I njëjti person nuk mund të mbajë më shumë se një funksion udhëheqës në organet e AKR-së në nivel qëndror dhe lokal, me përjashtim të rasteve kur një funksion ushtrohet sipas detyrës zyrtare (ex-officio), në përputhje me këtë statut. Përjashtimet e veçanta mund të miratohen nga Kryesia me shumicë të cilësuar, në raste të arsyetuara.

Neni 17

Organet jo qëndrore

  1. Organet jo qëndrore të AKR-së janë:
  2. Nëndega
  3. Dega

Neni 18

Organet qëndore

  1. Organet qëndrore të AKR-së janë:
  2. Kuvendi i përgjithshëm;
  3. Këshilli Drejtues;
  4. Kryesia;
  5. Presidenti Emeritus;
  6. Kryetari i AKR-së;

Neni 19

Nëndega, organet dhe organizimi i saj

  1. Nëndega është baza e organizimit të AKR-së e cila është e lidhur me degët dhe konsiderohet e themeluar nëse në kuvendin e saj ka së paku 21 anëtarë.
  2. Organet e nëndegës janë:
  1. Kuvendi i nëndegës;
  2. Kryesia e nëndegës;
  3. Kryetari/ja i/e nëndegës;
  1. Secili anëtar i ri i AKR-së me automatizëm bëhet pjesë e kuvendit të nëndegës.
  2. Kryetarin/en dhe kryesinë e nëndegës e zgjedh kuvendi i nëndegës, me vota të fshehta nëse ka më shumë se një kandidat për pozitën e kryetarit. Në rast se është shpallur vetëm një kandidaturë, votimi bëhet me aklamacion.
  3. Lista e anëtarëve të kryesisë së nëndegës propozohet nga kandidati për kryetar i nëndegës dhe zgjedhet nga kuvendi i nëndegës me shumicën e votave.
  4. Nëse kryesia e nëndegës nuk merr shumicën, procedura e zgjedhjes së saj përsëritet dy herë radhazi, nëse zgjedhja e kryesisë nuk mund të realizohet as në raundin e dytë duhet të propozohet një listë tjerër e anëtarëve të kryesisë së nëndegës.
  5. Kryetari/ja i/e nëndegës votohet në procedurë të ndarë nga kryesia e nëndegës.
  6. Në përputhje me pikën 1 të këtij neni kuvendi i nëndegës ka së paku 21 anëtarë, kurse kryesia e nëndegës ka së paku 5 anëtarë.
  7. Përjashtim nga numri i anëtarëve nga pika 9 e këtij neni bëjnë nëndegët e vogla, përbërjen e të cilave e përcakton numri i kufizuar i banorëve në një lokalitet.
  8. Kryesia e nëndegës është kompetente për të vendosur për komunikimin me anëtarë të partisë, organizimin në terren të anëtarësisë së nëndegës dhe komunikimin me degë.
  9. Kryesia e nëndegës udhëheqet nga kryetari/ja i/e nëndegës.

Neni 20

Dega

  1. Dega është forma më e lartë e organizimit të AKR-së në nivel jo qëndor. Një degë mund të përbëhet nga disa nëndegë, varësisht nga përbërja demografike dhe shtrirja territoriale.
  2. Dega e AKR-së përbëhet nga dy osë më tepër nëndegë, si dhe është e organizuar në bazë të parimeve demokratike të përcaktuara me Kushtetutë, ligje dhe statutin e AKR-së.
  3. Organ kompetent për themelimin ose mbylljen e degës, nëse dega nuk zhvillon aktivitete është kryesisa dhe Kryetari/ja i/e AKR-së.
  4. Dega është përgjegjëse për organizimin, koordinimin dhe funksionimin e të gjitha nëndegëve në atë lokalitet dhe mban kontakte të vazhdueshme me to.
  5. Organet e degës janë:
  1. Kuvendi i degës;
  2. Kryesia e degës;
  3. Kryetari i degës;
  4. Koordinatori i degës.

Nëse në një komunë ka më shumë se një degë, kryesia qëndrore së bashku me Kryetarin/en e AKR-së emërojnë një koordinator/e, i/e cili/a ka përgjegjësi për koordinimin dhe harmonizimin e politikave të degëve ndërmjet vete si dhe të degëve me organet qëndrore të AKR-së.

Neni 21

Kuvendi zgjedhore i degës

  1. Kuvendi zgjedhor i degës është organ zgjedhor, e cila mbahet çdo katër (4) vite dhe ka funksion zgjedhor.
  2. Pjesë e kuvendit të degës janë të gjithë anëtarët e kryesive të nëndegëve përkatëse dhe organeve të tjera jo qëndore. Numri maksimal i anëtarëve të kuvendit zgjedhor të degës nuk është i kufizuar.
  3. Kuvendi zgjedhor i degës zgjedh kryetarin/en e degës.
  4. Kuvendi zgjedhor i degës zgjedh kryesinë e punës së saj e udhëheqet nga kryetari/ja i/e saj apo anëtari më i vjetër. Kryesia e punës i cakton rregullat e mbarëvajtjes së punës të kuvendit zgjedhor me vendim te veçantë.
  5. Votimi në kuvendin zgjedhor të degës është i fshehtë, kur kemi të bëjmë me më shumë kandidatë për kryetarë të degës.
  6. Në rastin e zgjedhjes së kryetarit/es të degës, nëse në garë ka vetëm një kandidat për kryetar/e votimi bëhet në mënyrë të hapur me aklamacion.

Neni 22

Kompetencat e Kuvendit të degës

  1. Kuvendi i degës ka këto kompetenca:
  1. Zgjedh kryetarin/en e degës
  2. Zgjedh kryesinë e degës pas propozimit të kryetarit/es;
  3. Zgjedh sekretarin/en e degës;
  4. Miraton rregullore dhe akte të tjera për organizimin e degës;
  5. Së bashku me kryesinë dhe kryetarin/en e degës organizon punën dhe funksionimin e degës;
  6. Kryen punë të tjera të nevojshme për funksionimin e degës.
  1. Organizimi dhe procedurat e tjera të kuvendit të degës rregullohen me akt të veçantë.

Neni 23

Kryetari/ja dhe nënkryetarët e degës

  1. Kryetari/ja i/e degës zgjedhet dhe shkarkohet nga kuvend zgjedhore e degës, me shumicën e votave.
  2. Dega ka dy nënkryetarë të cilët zgjedhen me vendim nga kryetari/ja i/e degës. Mandati i nënkryetarëve të degës përfundon së bashku me mandatin e kryetarit.
  3. Kryetari/ja i/e degës ka këto kompetenca:
  1. Përfaqëson anëtarësinë e AKR-së në territorin përkatës në të cilin shtrihet dega;
  2. Thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë së degës;
  3. Është përgjegjës për zbatimin e politikave te përgjithshme të AKR-së në nivel të degës, për të cilat këshillohet me Kryetarin/en e AKR-së dhe koordinatorin e degëve;
  4. Është përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve dhe sukseset e AKR-së në territorin përkatës;
  5. Në koordinim me kryesinë e degës të mbajë aktive degën, duke mbajtur aktivitete, organizime, forume, tryeza edhe jashtë aktiviteteve të fushatës zgjedhore;
  6. Kryen punë tjera të parapara me rregullore dhe akte tjera.

Neni 24

Kryesia e degës

  1. Kryesia e degës, së bashku me kryetarin/en e degës udhëheq punën e AKR-së në degë.
  2. Kryesia e degës ka këto kompetenca:
  1. Mobilizimin e strukturave të degës;
  2. Organizimin e aktiviteteve partiake të degës;
  3. Organizimin e procesit zgjedhor në degën përkatëse;
  4. Një herë në vit i raporton kuvendit të degës për mbarëvajtjen e punëve të degës, përmes një raporti me shkrim.
  1. Kryesia e degës ka më së shumti 21 anëtarë. Me qëllim të hapjes dhe krijimit të hapësirës kadrovike, për kuadrot e reja, kryesia e degës mund të kërkojë nga kryesia qëndrore rritjen e numrit të anëtarëve të kryesisë së degës.
  2. Pjesë e kryesisë së degës sipas detyrës zyrtare janë kryetari/ja e Forumit Rinor dhe e Forumit të Gruas së AKR-së si dhe nënkryetarët e degës.
  3. Dy anëtarë/e të kryesisë së degës i cakton Kryetari/ja i/e AKR-së me vendim të veçantë.
  4. Anëtarët e tjerë të kryesisë së degës, sipas pikës 3 zgjedhen nga kuvendi i degës, pas propozimit të kryetarit të degës, me shumicë të votave.
  5. Anëtari i kryesisë konsiderohet i zgjedhur nëse merr shumicën e votave të anëtarëve prezent të kuvendit të degës. Nëse kuvendi i degës dështon në zgjedhjen e ndonjërit/es anëtar/e të kryesisë së degës, procedura përsëritet në dy raunde dhe nëse edhe në raundin e dytë nuk mund të zgjedhet ndonjëri nga anëtarët/et e propozuar/a, procedura përsëritet, pas propozimit të kandidatëve të rinjë.
  6. Nëse për ndonjërin nga anëtarët e zgjedhur të kryesisë, pas raundit të dytë të votimit, ka kundërshtime që ndikojnë në kompaktësinë e strukturës së AKR-së ai/ajo zëvendësohet me vendim të kryetarit/es të degës.

Neni 25

Sekretari i degës

  1. Me qëllim të organizimit sa më të mirë, efikasitetit të punës dhe mbështetjes së degës, secila degë e AKR-së ka sekretarin/en e saj.
  2. Sekretari/ja i/e degës zgjedhet nga kuvendi i degës me mandat katër (4) vjeçar.
  3. Kompetencat e sekretarit/es të degës janë të natyrës organizative dhe caktohen me akt të veçantë që e nxjerr sekretari i përgjithshëm i AKR-së.
  4. Për punën e tij, sekretari/ja i/e degës i raporton sekretarit të përgjithshëm të AKR-së dy herë në vit.

Neni 26

Raportimi për punën në degë dhe situatat e veçanta

  1. Kryetari/ja i/e degës i raporton Kryetarit/es të AKR-së për mbarvajtjen e punëve në degë çdo gjashtë (6) muaj përmes një raporti me shkrim.
  2. Kryesia e degës i raporton kryesisë qëndrore të AKR për mbarvajtjen e punëve në degë përmes një raporti me shkrim çdo gjashtë (6) muaj.
  3. Në rast të komplikimit të punës në degë si dhe mosmarrëveshjeve në mes të anëtarësisë, kryetarit/es dhe organeve të tjera, sipas dispozitave të këtij statuti dhe akteve të tjera, për zgjidhjen e konflikteve eventuale ndërhyn Kryetari/ja i/e AKR-së.
  4. Vendimi i Kryetarit/es të AKR-së për zgjidhjen e situatave sipas paragrafit 3 të këtij neni është përfundimtar dhe i obligueshëm për të gjitha organet e AKR-së.

Neni 27

Administrata në degë

  1. Duke marrë parasysh mundësitë financiare dhe me qëllim të efikasitetit në punë, AKR themelon edhe administratën e degës.
  2. Mënyra e funksionimit të administratës së degës rregullohet me akt të veçantë, i cili miratohet nga kryesia e degës.
  3. Administrata e degës udhëheqet nga sekretari i degës.

Neni 28

Degët e AKR-së jashtë vendit

  1. AKR ka degët e saj jashtë Republikës së Kosovës.
  2. Për themelimin e degëve të reja jashtë Republikës së Kosovës, sipas vlerësimit të situatës, vendos Kryesia dhe Kryetari/ja i/e AKR-së.
  3. Mënyra e funksionimit dhe procesi zgjedhor në degët e AKR-së jashtë Kosovës rregullohet me akt të veçantë që nxjerret nga Kryesia e AKR-së.

Neni 29

Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së dhe përbërja e tij

  1. Kuvendi i Përgjithshëm është organi më i lartë qëndror i AKR-së.
  2. Kuvendi i Përgjitshëm mbahet në sesisone të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
  3. Sesioni i rregullt i Kuvendit të Përgjithshëm mund të jetë sesion pune dhe sesion zgjedhor.
  4. Sesioni i punës së Kuvendit të Përgjithshëm mund të mbahet tre herë brenda një mandati, vërësisht nga nevoja, ndërsa sesioni i rregullt zgjedhor çdo katër (4) vite.
  5. Sesionin zgjedhor të Kuvendit të Përgjithshëm e thërret Kryetari/ja, Kryesia, Këshilli Drejtues ose 2/3 e anëtarëve të Kuvendit të Përgjithshëm.
  6. Kuvendin e Përgjithshëm e përbëjnë:
  1. Delegatët e zgjedhur nga dega. Pjësëmarrja e degëve në Kuvendin e Përgjithshëm është proporcionale dhe varet nga numri i banorëve në degën përkatëse. Mënyra e përfaqësimit numerik të delegatëve të degëve në Kuvend caktohet me vendim të Kryetarit/es dhe Kryesisë së AKR-së, konform numrit të degëve dhe madhësisë së tyre.
  2. Anëtarët e Kryesisë së AKR-së;
  3. Anëtarët e Këshillit Drejtues të AKR-së;
  4. Ministrat dhe deputetët nga AKR;
  5. Kryesia e Forumit Rinor dhe Forumit të Gruas;
  6. Kryetari/ja e Forumit Rinor dhe kryetarja e Forumit të Gruas;
  7. Kryetarët e komunave nga radhët e AKR-së;
  8. Anëtarët e kuvendeve komunale nga radhët e AKR-së;
  9. Kabineti i Kryetarit/es;
  10. Anëtarët e nderit, të cilët caktohen nga ana e Kryetarit/es të AKR-së.
  1. Mandati i delegatëve të Kuvendit të Përgjithshëm është katër (4) vite. Delegatët përfaqësues të degës, në çdo kohë mund të zëvendësohen nga dega. Për zëvendësimin e tyre njoftohet Sekretari/ja i/e Përgjithshëm/me dhe Kryetari/ja i/e AKR-së.

Neni 30

Mënyra e punës së Kuvendit të Përgjithshëm në takimet e rregullta

  1. Puna e Kuvendit të Përgjithshëm rregullohet me akt të brendshëm që e nxjerr Kryesia e AKR-së.
  2. Për mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm, delegatët e Kuvendit njoftohen 15 ditë përpara.
  3. Rendin e ditës së Kuvendit e përpilon Kryesia e AKR-së së bashku me Kryetarin/en e AKR-së.
  4. Të gjithë organet jo qëndrore dhe qëndore të AKR-së kanë të drejtë të propozojnë pika të rendit të ditës në takimet e Kuvendit të Përgjithshëm. Pikat e rendit të ditës duhet të propozohen me shkrim, më së largu tri (3) ditë para takimit të Kuvendit të Përgjithshëm. Në rast të mos respektimit të afatit prej tri (3) ditësh, pikat e rendit të ditës mund të bëhen pjesë e diskutimit vetëm me vendim të Kryetarit/es të AKR-së.
  5. Kuvendi i Përgjithshëm zhvillon punimet, nëse në takim marrin pjesë 50% +1 të numrit të përgjithshëm të anëtarëve.
  6. Vendimet në takimet e Kuvendit të Përgjithshëm merren me shumicën e votave.
  7. Kuvendi i Përgjithshëm, sipas natyrës së çështjes dhe me propozim të Kryesisë ose të Kryetarit/es, mund të vendosë që votimi për organet dhe funksionet e caktuara të zhvillohet në pako ose përmes kandidaturave individuale. Vendimi për mënyrën e votimit miratohet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve prezent.

Neni 31

Takimet e jashtëzakonshme të Kuvendit të Përgjithshëm

  1. Takimet e jashtëzakonshme të Kuvendit mund të mbahen në çdo kohë. Takimet e jashtëzakonshme të Kuvendit mund të thirren nga:
  1. 2/3 e anëtarëve të Kuvendit të Përgjithshëm;
  2. Këshilli drejtues i AKR-së;
  3. Kryesia qëndrore e AKR-së;
  4. Kryetari/ja i/e AKR-së.
  1. Për mbajtjen e takimit të jashtëzakonshëm, anëtarët e Kuvendit duhet të njoftohen pesë (5) ditë përpara.
  2. Rendi i ditës në takimet e jashtëzakoshme caktohet sikur në takimet e rregullta të Kuvendit. Materialet i dërgohen anëtërave të Kuvendit të jashtëzakoshëm dy (2) ditë përpara mbajtjes së takimit të jashtëzakonshëm.

Neni 32

Kompetencat e Kuvendit të Përgjithshëm

  1. Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së ka këto kompetenca:
  1. Miraton rendin e ditës dhe rregullorën e punës;
  2. Zgjedh Presidentin Emeritus, Kryetarin/en e AKR-së, Nënkryetarët, Sekretarin/en i/e Përgjithshëm/me të AKR-së, Sekretarin/en Organizativ/e dhe Sekretarin/en për Marrëdhënie me Jashtë;
  3. Miraton programin politik të AKR-së;
  4. Miraton ndryshimet dhe plotësimet e statutit;
  5. Zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues të AKR-së;
  6. Miraton rezoluta dhe akte të tjera;

Neni 33

Presidenti Emeritus i AKR-së

  1. Titulli President Emeritus i jepet ish-Kryetarit/es të partisë i/e cili/a ka shërbyer me merita të jashtëzakonshme për rritjen e subjektit dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. Ky është një pozicion honorifik, i përjetshëm.
  1. Kompetencat e Presidentit Emeritus:

    1. ​Shërben si këshilltar senior strategjik për Kryetarin/en dhe Kryesinë e Partisë;
    2. ​Ka të drejtë të përfaqësojë AKR-në në forume ndërkombëtare dhe ceremoni shtetërore;
    3. ​Ka vend permanent në Kryesinë e partisë dhe në Kuvendin e Përgjithshëm (pa të drejtë vote ekzekutive, por me peshë morale dhe politike);
    4. ​ Vepron si ndërmjetës në rastet e krizave të brendshme brenda strukturave të partisë.
  1. Presidenti Emeritus zgjedhet vetëm një herë nga Kuvendi i Përgjithshëm dhe ka mandat të përjetshëm.
  1. Mandati i Presidentit Emeritus përfundon me rastin e:
    vdekjes
  2. dorëheqjes

Neni 34

Kryetari/ja i/e AKR-së

  1. Kryetari/ja është organi individual i/e cili/a e përfaqëson unitetin e AKR-së dhe anëtarësinë e saj.
  2. Kryetari/ja është pëfaqësues/e i/e AKR-së brenda dhe jashtë vendit.
  3. Kryetari/ja i/e AKR-së ka kompetenca ekzekutive në pajtim me këtë statut dhe aktet e tjera të AKR-së.
  4. Mandati i Kryetarit/es të AKR-së është katër (4) vite.
  5. Kryetari/ja i/e AKR-së shkarkohet nga Kuvendi i Përgjithëshëm pas një procedure të vlerësimit, nëse ai/ajo ka bërë shkelje serioze të statutit të AKR-së.
  6. Për punën e tij/saj, Kryetari/ja i/e AKR-së i përgjigjet Kuvendit të Përgjithshëm.
  7. Në rast të mungesës së Kryetarit, atë e zëvendëson njëri nga anëtarët e kabinetit të Kryetarit/es, me autorizim të veçantë të tij/saj.

Neni 35

Kompetencat e Kryetarit/es

  1. Kryetari/ja i/e AKR-së ka këto kompetenca:
  1. Përfaqëson AKR-në brenda dhe jashtë;
  2. Udhëheq punën e organeve të AKR-së;
  3. Thërret mbledhjen e Kuvendit, Këshillit Drejtues dhe Kryesisë së AKR-së;
  4. Jep propozime dhe vendos për zhvillimin e politikave të AKR-së;
  5. Bën propozime për ndryshimin e statutit;
  6. Pas konsultimit të Kryesisë, vendos për propozimet e kandidatëve të AKR-së në listën për deputetë dhe ministra;
  7. Propozon anëtarët e Kryesisë, Këshillit Drejtues dhe kabinetit të Kryetarit/es;
  8. Vendos për suspendimin e të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me politikat e AKR-së;
  9. Vendos për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në degë dhe nëndegë, në mungesë të perfromancës, në konsultim me Sekretarin/en i/e Përgjithshëm/me dhe miratim të Kryesisë;
  10. Ndërhyn dhe vendos për zgjidhjen e konflikteve në mes të organeve dhe çfarëdo konflikti tjetër i shfaqur në situata të caktuara;
  11. Jep çmime, mirënjohje dhe medalje.
  12. Nxjerr vendime me karakter ekzekutiv, me qëllim të organizmit dhe funksionimit të AKR-së, në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe statutin e AKR-së.

Neni 36

Këshilli Drejtues

  1. Këshilli Drejtues është organ i mesëm i AKR-së dhe për nga numri i anëtarëve radhitet pas Kuvendit të Përgjithshëm.
  2. Këshilli Drejtues i AKR-së ka së paku 35 por jo më shumë se 71 anëtarë.

Anëtarët e Këshillit Drejtues zgjedhen nga degët.

Numri i përfaqësuesve të degëve në këshillin drejtues caktohet me vendim të veçantë të Kryesisë, varësisht prej madhësisë së degës.

Kryetari/ja ka të drejtë të caktojë 10 anëtarë të Këshillit Drejtues.

Mbledhja e Këshillit Drejtues mund të mbahet dhe të sillen vendime me 50% +1 e anëtarëve të Këshillit Drejtues.

  1. Lista e propozimeve për anëtarë të Këshillit Drejtues të AKR-së dorëzohet nga secila degë para mbajtjes së sesionit zgjedhor të Kuvendit të Përgjithshëm.
  2. Propozimet e degëve për anëtarët e Këshillit Drejtues miratohen në pako nga Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së.
  3. Pjesë e Këshillit Drejtues të AKR-së, sipas detyrës zyrtare janë edhe kryetarët e degëve, kryetarët e komunave, ministrat dhe deputetët e AKR-së si dhe anëtarët të cilët caktohen nga Kryetari/ja.
  4. Anëtarët e Këshillit Drejtues mund të humbin statusin e tyre si anëtarë të Këshillit Drejtues:
  1. Me vdekje,
  2. Me dorëheqje,
  3. Me përjashtim.
  1. Anëtarët e Këshillit Drejtues mund të zëvendësohen në të njëjtën procedurë të zgjedhjes. Anëtari i larguar në pajtim me pikën nr. 6 të këtij neni, zëvendësohet nga dega përkatëse dhe miratohet ne mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues.
  2. Në rast të themelimit të degëve të reja pas mbajtjes së Kuvendit të Përgjithshëm, këto degë kanë të drejtë të propozojnë përfaqësuesit e tyre në Këshillin Drejtues të AKR-së. Anëtarët e propozuar nga degët e reja miratohen nga Këshilli Drejtues në mbledhjen e radhës, me shumicë të votave, duke respektuar kufijtë e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

Neni 37

Kompetencat e Këshillt Drejtues

  1. Këshilli Drejtues i AKR-së ka këto kompetenca:
  1. Jep propozime për programin zgjedhor të AKR-së;
  2. Jep propozime për kandidatët e AKR-së në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale;
  3. Zgjedh anëtarët e Kryesisë së AKR-së, pas propozimit nga Kryetari/ja;
  4. Zgjedh Sekretarin/en Organizativ/e dhe Sekretarin/en për Marrëdhënie me Jashtë, pas propozimit nga Sekretari/ja i/e Përgjithshëm/me;
  5. Mund të propozoj dhe të miratoj ndryshime në statut;
  6. Miraton rregulloren për organizimin e punës;
  7. Kryen punë të tjera të parapara me statut;

Neni 38

Takimet e Këshillit Drejtues

  1. Këshilli Drejtues mban takime të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
  2. Takimet e rregullta të Këshillit Drejtues mbahen një (1) herë në vit.
  3. Takimet e rregullta dhe të jashtëzakonshme thirren nga Kryetari/ja i/e AKR-së në raste të veçanta nga dhe/ose nga 1/3 e anëtarëve të Këshillit Drejtues.
  4. Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues prezent duhet të jenë të paktën 50% +1 e anëtarëve. Vendimet në takimet e këshillit drejtues merren me shumicën e votave.
  5. Në mbledhjen e parë themeluese të këshillit drejtues, konfirmohet lista e anëtarësisë së Këshillit Drejtues të dërguara nga degët e AKR-së.
  6. Në takimet e Këshillit Drejtues të AKR-së mund të marrin pjesë edhe deputetët, ministrat dhe anëtarët e Kryesisë së AKR-së, por pa të drejtë vote.

Neni 39

Kryesia Qendrore

  1. Kryesia Qendrore është organ i lartë, e cila së bashku me Kryetarin/en udhëheq politikat ekzkutive dhe menaxhuese të AKR-së.
  2. Kryesia e AKR-së përbëhet nga së paku 7 anëtarë por jo më shumë se 21 anëtarë. Pjesë e anëtarësisë së Kryesisë sipas detyrës zyrtare është edhe Kryetari/ja i/e AKR-së, dhe tre anëtarë të kabinetit të Kryetarit/es të cilët i cakton Kryetari/ja.
  3. Pjesë e Kryesisë së AKR-së sipas detyrës zyrtare është edhe Sekretari/ja i/e Përgjithshëm/me, Kryetari/ja i Forumit Rinor dhe Kryetarja e Forumit të Gruas të AKR-së.
  4. Anëtarët e tjerë të Kryesisë zgjedhen nga Këshilli Drejtues me propozim të Kryetarit/es të AKR-së, me votim, sipas një procedure që e organizon Këshilli Drejtues i AKR-së.
  5. Mandati i anëtarëve të kryesisë është katër (4) vite.
  6. Përjashtim nga pika 5 e këtij neni bëjnë anëtarët të cilët zgjedhen në kryesi më vonë, në të cilin rast mandati i tyre përfundon pas mbajtjes së Kuvendit të Përgjithshëm zgjedhor dhe zgjedhjes së organeve të reja të partisë.

Neni 40

Kompetencat e Kryesisë Qendrore

Kryesia Qendrore e AKR-së ka këto kompetenca:

  1. Së bashku me Kryetarin/en jep pëlqimin përfundimtar për listën e AKR-së për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale;
  2. Monitoron dhe mbikëqyrë degët dhe nëndegët në përmbushjen e obligimeve statutore;
  3. Në rast të mos përmbushjes së obligimeve statutore nga degët dhe nëndegët, mund të propozojë ndryshime në strukturën udhëheqëse të këtyre organeve partiake;
  4. Së bashku me Kryetarin/en e AKR-së dhe jep pëlqimin për raportin përfundimtar financiar të AKR-së;
  5. I jep propozime Kryetarit/es të AKR-së për zgjidhjen e krizave, në rast të situatave të jashtëzakonshme në degë;
  6. Së bashku me Kryetarin/en e AKR-së cakton kriteret e nominimit të kandidatëve të AKR-së në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale;
  7. Zgjedh anëtarët e komisioneve të përhershme të AKR-së.
  8. Së bashku me Kryetarin/en dhe Kabinetin e tij/saj themelojnë institute dhe forume të tjera në kuadër të AKR-së;
  9. Kryen punë të tjera të parapara me statut.

Neni 41

Takimet e Kryesisë Qendore

  1. Kryesia mban takime të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
  2. Takimet e rregullta të Kryesisë mbahen dy (2) herë në muaj, ndërsa ato të jashtëzakonshme mbahen me kërkesën e 1/3 së anëtarëve dhe të Kryetarit/es të AKR-së.
  3. Mbledhjet e Kryesisë udhëheqen nga Kryetari/ja i/e AKR-së, ndërsa në rast mungese nga njëri prej zëvendësve të tij/saj. Mbledhjet e rregullta të kryesisë i thërret Kryetari/ja.
  4. Anëtarët e Kryesisë për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta njoftohen dy (2) ditë përpara ndërsa për mbajtjen e mbledhjeve të jashtëzakonshme një (1) ditë përpara.
  5. Për mbajtjen e mbledhjeve të Kryesisë prezent duhet të jenë 50% +1 të anëtarëve.
  6. Vendimet e Kryesisë merren me shumicën e votave.

KAPITULL IV

ORGANET E TJERA

Neni 42

Parimet e përgjithshme

1.Përveç organeve ekzekutive, qëndore dhe jo qëndore, AKR ka edhe organet e tjera ndihmëse të cilët kanë fushëveprim këshilldhënës, edukativ dhe organizativ.

2.Organet e tjera të AKR-së janë:

  1. Forumi rinor;
  2. Forumi i gruas;
  3. Sekretari/ja i/e përgjithshëm/me i/e AKR;
  4. Sekretari/ja Organizativ/e;
  5. Sekretari/ja për Marrëdhënie me Jashtë;
  6. Kabineti i Kryetarit/es;
  7. Nënryetarët;
  8. Kabineti Qeverisës i AKR-së;
  9. Komisionet;
  10. Shtabi Zgjedhor i AKR-së;
  11. Grupi për Promovimin e Vlerave të AKR-së;
  12. Akademia Politike e AKR-së.
  1. Mënyra e punës, organizimi, vendimmarrja dhe çështjet e tjera të organeve të AKR-së, sipas këtij neni organizohet me rregullore të veçantë.
  2. AKR ka edhe grupin parlamentar të saj që përbëhet nga deputetët e AKR-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Anëtarët e grupit parlamentar të AKR-së janë të obliguar të respektojnë statutin e AKR-së, politikat dhe programin e saj qeverisës, në pajtim ma Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
  3. Anëtarët e grupit parlamentar të cilët nuk respektojnë statutin, politikat, vizionin dhe vendimet e AKR-së mund të përjashtohen nga AKR dhe organet e saj, sipas dispozitave të këtij statuti.

Neni 43

Forumi Rinor

  1. Forumi Rinor i AKR-së është organ në të cilin përfaqësohet rinia e AKR-së.
  2. Forumi Rinor si organ i të rinjëve është i organizuar në të gjitha degët e AKR-së, në bazë të parimit të decentralizimit.
  3. Secila degë e AKR-së ka kryetarët/et e Forumit Rinor në nivel të degës.
  4. Forumi Rinor në nivel të degës ka kuvendin, i cili e zgjedh kryetarin/en e Forumit Rinor në këtë nivel.
  5. Organi më i lartë i Forumit Rinor të AKR-së është Kuvendi i Përgjithshëm i Forumit Rinor, i cili e zgjedh kryetarin/en e Forumit Rinor të AKR-së.
  6. Forumi Rinor i AKR-së ka kryesinë e tij dhe organet e tjera.
  7. Në përputhje me këtë statut, në rast të konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në Forumin Rinor të AKR-së, ndërhyn Kryetari/ja i/e AKR-së. Vendimi i tij/saj në lidhje me situatat e jashtëzakonshme është përfundimtar.
  8. Forumi Rinor ka edhe sekretarin/en e tij.
  9. Organizimi, kompetencat, procedurat e vendimarrjes, mënyra e anëtarësimit dhe aspekte të tjera të Forumit Rinor të AKR-së rregullohen me rregullore të veçantë e cila miratohet nga Këshilli Drejtues i AKR-së.

 Neni 44

Forumi i Gruas

  1. Forumi i Gruas së AKR-së, është i organizuar dhe funksionon sipas parimeve të njëjta sikurse Forumi Rinor.
  2. Forumi i Gruas së AKR-së ka për qëllim të bashkojë dhe promovojë gratë dhe vajzat të cilat janë pjesë e strukturave të saj.
  3. Forumi i Gruas udhëheqet nga kryetarja në nivel qëndror. AKR ka edhe Forumin e Gruas në nivel të degës që udhëheqet nga kryetarja e saj.
  4. Forumi i Gruas udhëheqet nga Kuvendi i Përgjithshëm i këtij Forumi.
  5. Kryetaren e Forumit të Gruas e zgjedh Kuvendi i Përgjithshëm i Forumit të Gruas.
  6. Forumi i Gruas ka edhe kryetaren e Forumit në nivel të degës, të cilën e zgjedh Kuvendi i Forumit të Gruas në degën përkatëse.
  7. Të gjitha gratë dhe vajzat pjesë e strukturave të AKR-së do të jenë të përfaqësuara në institucionet e Republikës së Kosovës, sipas ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës.
  8. Organizimi, kompetencat, procedurat e vendimarrjes, mënyra e anëtarësimit dhe aspekte të tjera të Forumit të Gruas së AKR-së rregullohen me rregullore të veçantë e cila miratohet nga Këshilli Drejtues i AKR-së.

Neni 45

Sekretari/ja i/e Përgjithshëm/me

  1. Sekretari/ja i/e Përgjithshëm/me i/e AKR-së është pozitë administrative-politike dhe kujdeset për organizimin dhe funksionimin e përditshëm të AKR-së.
  2. Sekretari/ja i/e Përgjithshëm/me i/e AKR-së zgjedhet nga Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së me propozimin e Kryetarit/es të AKR-së.
  3. Kompetencat e Sekretarit/es së Përgjithshëm/me janë:
  1. Organizon dhe udhëheq zyrën qëndrore, administratën dhe zyrën financiare të AKR-së;
  2. Ndihmon dhe mbështet organet e AKR-së në punën administrative të tyre;
  3. Kujdeset dhe është përgjegjës për ekzekutimin e vendimeve të organeve të AKR-së;
  4. Kryen punë të tjera organizative sipas nevojës;
  5. Bashkë me Sekretarin/en Organizativ/e, organizon dhe koordinon punën e degëve të AKR-së;
  6. Mban kontakte dhe takime të rregullta me kryetarët e degëve;
  7. Kryen edhe punë të tjera ad hoc të cilat i delegohen nga Kryetari/ja ose organet e tjera;
  1. Organizimi dhe mënyra e punës së Sekretarit/es të Përgjithshëm/me rregullohet me vendim të veçantë të cilin e nxjerr Kryesia e AKR-së.

Neni 46

Sekretari/ja Organizativ/e

  1. Sekretari/ja Organizativ/e është përgjegjës për koordinimin e strukturave të brendshme të partisë dhe për zbatimin e vendimeve të organeve drejtuese në terren.
  1. Ai/ajo organizon dhe mbikëqyr funksionimin e degëve, nëndegëve dhe strukturave të tjera organizative, duke siguruar koherencë dhe efikasitet në veprimtarinë e tyre.
  1. Sekretari/ja Organizativ/e harton plane organizative, koordinon aktivitetet elektorale dhe kujdeset për rritjen dhe mobilizimin e anëtarësisë.
  1. Ai/ajo raporton rregullisht te Kryetari/ja dhe Kryesia për gjendjen organizative të partisë.
  1. Sekretari/ja Organizativ/e ushtron funksionin e tij/saj në përputhje me Statutin dhe vendimet e organeve drejtuese të partisë.

Neni 47

Sekretari/ja për Marrëdhënie me Jashtë

  1. Sekretari/ja për Marrëdhënie me Jashtë është përgjegjës për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare të partisë.
  1. Ai/ajo koordinon bashkëpunimin me partitë simotra, organizatat ndërkombëtare dhe partnerët strategjikë.
  1. Përfaqëson partinë në forume dhe aktivitete ndërkombëtare, në koordinim me Kryetarin/en dhe Kryesinë.
  1. Ai/ajo kontribuon në hartimin e qëndrimeve të partisë për çështje të politikës së jashtme dhe integrimeve ndërkombëtare.
  1. Sekretari/ja për Marrëdhënie me Jashtë raporton rregullisht te Kryetari/ja dhe Kryesia. 

Neni 48

Kabineti i Kryetarit/es

  1. Kabineti i Kryetarit/es është organ këshillëdhënës i cili zgjedhet nga Kryetari/ja i/e AKR-së, me vendim dhe vepron në koordinim me të. Ky organ ka për qëllim këshillimin e Kryetarit/en në lidhje me politikat e AKR-së.
  2. Kabineti i Kryetarit/es përbëhet nga tetë (8) anëtarë dhe udhëheqet nga Kryetari/ja i/e AKR-së. Në rast të mugesës së tij/saj, kabineti udhëheqet nga ndonjëri prej anëtarëve që e cakton Kryetari/ja i/e AKR-së.
  3. Anëtarët e kabinetit të Kryetarit/es shërbejnë si këshilltarë të Kryetarit/es të AKR-së nga fusha të ndryshme dhe janë mbikqyrës të departamentëve të caktuara, varësisht nga profilizimi i këtyre departamentëve.
  4. Kabineti i Kryetarit/es menaxhon punën e AKR-së mbi baza ditore dhe së bashku me Sekretarin/en e Pergjithshëm/me bëjnë vizita dhe kujdesen për strukturën dhe anëtarësinë e AKR-së.
  5. Kabineti i Kryetarit/es mban takime të rregullta javore dhe merr vendime me shumicën e votave.
  6. Përveç anëtarëve të kabinetit sipas këtij neni, sipas nevojës dhe vizionit të tij/saj, Kryetari/ja i/e AKR-së cakon edhe anëtarë të tjerë për të qenë pjesë e këtij organi, përfshirë edhe shefin e stafit.

Neni 49

Nënkryetarët

  1. Në rast të mungesës së tij/saj, Kryetari/ja zëvendësohet nga Nënkryetarët e tij/saj, të cilët caktohen nga Kryetari/ja me vendim të veçantë.
  2. AKR ka tre (3) Nënkryetarë, të cilët caktohen sipas paragrafit 1 të këtij neni duke respektuar standardet e barazisë gjinore. Sipas nevojës Kryetari/ja i/e AKR-së cakton edhe dy (2) zëvendës/e me vendim të veçantë.
  3. Nënkryetarët kryejnë punët të cilat i delegon Kryetari me autorizim të veçantë. 

Neni 50

Kabineti Qeverisës i AKR-së

  1. Kabineti Qeverisës i AKR-së është organ strategjik dhe politik i cili promovon dhe zhvillon programin qeverisës të AKR-së.
  2. Kabineti Qeverisës i AKR-së përbëhet nga dhjetë (10) anëtarë, të cilët zgjedhen nga kryesia e AKR-së, me propozim të Kryetarit/es.
  3. Kabineti Qeverisës i AKR-së funksionon në bazë të shtyllave të programit dhe të profileve qeverisëse të AKR-së. Secili anëtarë i këtij kabineti udhëheq një profil të qeverisjes, sipas programit të AKR-së, sipas zgjedhjes që e bën Kryetari/ja i/e AKR-së.
  4. Kabineti Qeverisës i AKR-së udhëheqet nga Kryetari/ja i/e AKR-së.
  5. Kabineti i Qeverisës i AKR-së ka sekretarin/en e tij, të cilin/en e cakton Kryetari/ja i/e AKR-së.
  6. Mënyra e punës së Kabinetit Qeverisës të AKR-së rregullohet me vendim të veçantë i cili nxjerret nga ky organ.

Neni 51

Komisionet

  1. Komisionet e AKR-së janë trupa të cilat ndihmojnë punën e përditshme të saj.
  2. AKR ka komisionet e përhershme dhe ato ad hoc.
  3. Komisionet e përhershme të AKR janë:
  1. Komisioni për financa;
  2. Komisioni statutor;
  3. Komisioni disiplinor;
  4. Komisioni për ankesa;
  1. Përbërja, organizimi, fushëveprimi, mënyra e punës dhe mënyra e marrjes së vendimeve të komisioneve rregullohet me rregullore të veçantë, e cila miratohet nga Këshilli Drejtues i AKR-së. 

Neni 52

Shtabi Zgjedhor

  1. Shtabi Zgjedhor i AKR-së është organ i cili ka për qëllim koordinimin e aktiviteteve zgjedhore të AKR-së.
  2. Shtabi Zgjedhor vepron dhe themelohet në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale.
  3. Shtabi Zgjedhor emërohet nga Kryesia e AKR-së në bashkëpunim me Kryetarin/en. Kryesuesin e Shtabit Zgjedhor e zgjedh Kryetari/ja i/e AKR-së.
  4. Mënyra e punës së Shtabit Zgjedhor rregullohet me vendim të veçantë të cilin e nxjerr Kryetari/ja në bashkëpunim me kabinetin e tij/saj.

Neni 53

Grupi për Promovimin e Vlerave të AKR-së

  1. Grupi për Promovimin e Vlerave të AKR-së (GPV) është një grupim aktiv që funksionon në kuadër të AKR-së dhe ka për qëllim promovimin e vlerave qeverisëse dhe ideologjisë së AKR-së që buron nga programi dhe orientimi politik i AKR-së.
  2. GPV ka koordinatorin e saj i cili emërohet nga Kryetari i AKR-së me vendim të veçantë.
  3. GPV përbëhet kryesisht nga aktivistë të rinjë që kanë për qëllim rritjen dhe zgjerimin e AKR-së.
  4. GPV ka këto kompetenca:
  1. Angazhohet për përhapjen e programit të AKR-së dhe promovimin e vlerave të saj;
  2. Angazhohet për rritjen dhe zgjerimin e AKR-së dhe shtrirjen sa më të gjërë territoriale;
  3. Angazhohet për rekrutimin e anëtarëve të rinjë;
  4. Angazhohet për identifikimin e votuesve të rinjë;
  5. Angazhohet për krijimin e grupeve mobile gjatë zgjedhjeve;
  6. Bashkëpunon dhe i ndihmon forumet politike gjatë zgjedhjeve.
  7. Kryen punë të tjera të parapara me statut;
  1. Aktiviteti dhe puna e GPV rregullohet me rregullore të veçantë e cila miratohet nga Kryesia e AKR-së. 

Neni 54

Akademia Politike e AKR-së

  1. Akademia Politike e AKR-së është organ profesional e cila vepron në kuadër të AKR-së.
  2. Akademia Politike e AKR-së ka për qëllim të edukojë votuesit e rinjë, me qëllim të vetëdijësimit politik dhe ngritjes së vetëdijës qytetare për një qeverisje të mirë.
  3. Akademia Politike e AKR-së organizon shkollën politike si dhe takime të tjera me komunitetet e ndryshme profesionale.
  4. Shkolla Politike e AKR-së organizohet dy herë në vit. Në kuadër të shkollës politike do të angazhohen profesorë vendor dhe ndërkombëtarë, në përputhje me modulet përkatëse.
  5. Akademia Politike e AKR është përgjegjëse për përgatitjen e strategjive dhe dokumeteve të ndryshme programore për AKR-në.
  6. Akademia Politike udhëheqet nga një ekip profesional të cilët nuk janë të angazhuar aktivisht në aktivitete politike.
  7. Akademia Politike e AKR-së udhëheqet nga drejtori të cilin e emëron Kryetari/ja me vendim te veçantë.
  8. Aktiviteti, organizimi, fushëveprimi, misioni, puna dhe çështjet tjera të Akademisë Politike dhe strukturave të saj rregullohet me rregullore të veçantë.

KAPITULL V

DISPOZITAT E TJERA

Neni 55

Parimet e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit

  1. Zgjedhjet e organeve qëndore dhe jo qëndorore dhe për organet e tjera zhvillohen sipas parimeve të transparencës, fshehtësisë së votës, barazisë, të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
  2. Përfaqësimi në organet e AKR-së bazohet në parimin e proporcionalitetit. Në organet qëndrore degët janë të përfaqësuara sipas numrit të anëtarësisë.
  3. Të gjitha çështjet që lidhen me procesin zgjedhor dhe përfaqësimin në AKR-së që nuk janë rregulluar me këtë statut rregullohen me akt të veçantë. 

Neni 56

Financimi

  1. Financimi i AKR bazohet në legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare.
  2. Burimet e financimit bazohen në buxhetin e Republikës së Kosovës, donacione, projekte, pagesën e anëtarësisë si dhe forma të tjera të përcaktuara me ligj.
  3. Mënyra e detajizuar e financimit, raportimi dhe transparenca e financimit të AKR-së rregullohen me akt të veçantë e cila nxjerret nga kryesia në bashkëpunim me Kryetarin/en dhe kabinetin e Kryetarit/es të AKR-së, në përputhje me ligjin.
  4. AKR-ja për çdo vit do të organizoj kontroll të brendshëm financiar nga auditorë të çertifikuar.

Neni 57

Informimi dhe transparenca

  1. AKR është e hapur për publikun e gjerë, mediat dhe shoqërinë civile.
  2. Me qëllim të realizimit të parimit të transparencës, AKR ofron mekanizma adekuat sipas këtij statuti.
  3. AKR ka zëdhënësin/en, në nivel qëndor, të cilin e emëron Kryetari/ja i/e AKR-së.
  4. Zëdhënësi/ja ka për qëllim informimin e mediave dhe publikut të gjerë dhe bashkëpunon ngushtë me faktorët relevant me qëllim të informimit.
  5. AKR-ja me qëllim të informimit lëshon komunikata për media si dhe mban konferenca të ndryshme.
  6. AKR ka edhe zëdhënësit/et e saj në nivel lokal.
  7. Mënyra e informimit dhe komunikimit të AKR-së me publikun rregullohet me akt të veçantë, i cili nxjerret nga kryesia e AKR-së.

Neni 58

Interpretimi i statutit

  1. Interpretimin përfundimtar të statutit të AKR-së e bën Komisioni Statutar.
  2. Përbërja e Komisionit statutar caktohet me rregulloren për Komisionin Statutar.
  3. Komisioni statutar zgjedhet me vendim nga Kryetari/ja i/e AKR-së dhe ka tre (3) anëtarë. 

Neni 59

Amendamentimi i statutit

  1. Amendamenti i statutit bëhet nga Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së.
  2. Secili amendament hyn në fuqi pasi të votohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Kuvendit të Përgjithëshëm.
  3. Të drejtën për të propozuar amendamente statutare e kanë:
  1. Kryetari/ja;
  2. 1/3 e anëtarëve të Kuvendit;
  3. Kryesia e AKR-së;
  4. Këshilli Drejtues;
  5. Komisioni Statutar.

Neni 60

Dispozitat kalimtare

  1. Riorganizimi dhe organet e reja të AKR duhet t’i përshtaten dispozitave të këtij statuti.
  2. AKR themelon të gjitha organet e reja në bazë të këtij statuti.
  3. AKR në afat prej një (1) muaj pas hyrjes në fuqi të statutit themelon një grup punues për hartimin e rregulloreve, me qëllim të zbatimit të këtij statuti.

Neni 61

Hyrja në fuqi

  1. Ky statut hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Përgjithshëm me shumicë prej 2/3 të votave dhe nënshkrimit nga Kryetari/ja.
  2. Pas miratimit të këtij statuti do të nxjerren aktet e tjera të nevojshme për zbatimin e tij si dhe do të shfuqizohen të gjitha aktet e tjera që janë në kundërshtim me të.

Prishtinë, 18 Prill 2026

Emir Abrashi
Kryetar i AKR-së