Pacolli: Shqiptarët në Maqedoni duhet të jenë unikë

Shkup, 23 mars 2011 –

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli është takuar edhe me përfaqësuesit e partive politike në Maqedoni, liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Branko Cervenkovski, liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe kryetarin e Demokracisë së Re, Ymer Selmani.

Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, zhvillimet politike në Maqedoni dhe mundësitë për bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Kosovës ishin disa nga temat e diskutimit mes Presidentit Pacollli dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Shtrëngim duarsh me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë vizitës time në Maqedoni.
Maqedonia dhe Kosova ishin disa nga temat e diskutimit mes Presidentit Pacollli dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Presidentin Pacolli e informova për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ngecjet në implementim e saj, për zhvillimet politike në Maqedoni”, tha pas takimit z. Ahmeti.

“Bashkërisht u morëm vesh që të vazhdojmë bashkëpunimin. I thashë qëndrimet e PDSH-së lidhur me zhvillimet në Maqedoni. I thashë se në Maqedoni po riciklohet kriza”, theksoi ndërkaq liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Në takim me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ndërsa, lideri i DR-së, Imer Selmani e informoi Presidentin Pacollin për situatën aktuale politike në Maqedoni, duke cekur se ngërçi politik ka shkaktuar ndjenjë të paperspektivës te qytetarët e vendit.

Selmani tha se vendi është në krizë politike dhe kur kësaj krize i shtohen edhe raportet e acaruara ndëretnike dhe ndërfetare, ekonomia e dobët dhe mungesa e investimeve, si dhe procesi i bllokuar euro-integrues i Maqedonisë, “zgjidhje e vetme për dalje nga ky qorrsokak i vendit janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të jenë fer dhe demokratike dhe në sipërfaqe të sjellin forca të reja progresive që do të udhëheqin shtetin drejt binarëve të duhur – barazisë së plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE”.

Shtrëngim duarsh me kryetarin e subjektit politik, Demokracia e Re, Ymer Selmani.

Presidenti Pacolli ka dhënë një deklaratë pas të gjitha takimeve. “Biseduam për situatën politike në Maqedoni dhe në Kosovë, për mundësitë e bashkëpunimit.

Unë gjithmonë e rendis në radhë të parë bashkëpunimin ekonomik, krijimin e mundësive të reja të zhvillimit ekonomik, veprime që çojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha ai.

“Jam kundër çdo barriere që mund ta pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mallrave e të ideve. Jetojmë në shekullin 21 dhe për mua këto barriera kanë kuptim banal”, shtoi ai.

Në takim me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Branko Cervenkovski.

Duke folur për shqiptarët në Maqedoni, ai tha se pozita e shqiptarëve të Maqedonisë është në duart e tyre. Partitë politike duhet të jenë të kujdesshme, kanë një përgjegjësi shumë të madhe.

“Unë bëj thirrje për unitet. Ato mund të kenë divergjenca, programe të ndryshme që u ofrojnë qytetarëve. Por, kur është në pyetje kauza kryesore, atëherë duhet të jenë unikë”, tha Presidenti Pacolli.