Presidentit Behgjet Pacolli u takua me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Vasko Naumovski

Shkup, 23 mars 2011 –

Gjatë qëndrimit në vizitë zyrtare në Republikë n e Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka zhvilluar një takim edhe me zëvendëskryeministrin z.Vasko Naumovski.

Në takim, zëvendëskryeministri Naumovski shprehu kënaqësinë që mirëpret presidentin e shtetit më të ri të rajonit, dhe u shpreh i nderuar që është nikoqir i Presidentit të Republikës së Kosovës.

“Shpreh konsideratat për takimin e Presidentit Pacolli me Presidentin Ivanov, Kryetarin e Parlamentit dhe pjesëmarrjen ne samitin e komunitetit te biznesit. Vlerësojmë që së bashku do të shkojmë drejt integrimit të përbashkët në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë , z.Vasko Naumovski.

Ndërsa, Presidenti Behgjet Pacolli u shpreh:

“Jam i lumtur për vizitën time në Republikën e Maqedonisë, ku pata takime konstruktive me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, ku konfirmuam raportet miqësore dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve tona, si dhe diskutuam planet tona në sferën politike dhe ekonomike”.

Presidenti Pacolli përgëzoi zëvendëskryeministrin Naumovski për progresin e shënuar në fushën e integrimit euroatlantik.

Ai gjithashtu u zotua dhe kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë që të dy vendet të jenë në funksion të integrimit të përbashkët ekonomik dhe politikës në përmirësimin e mirëqenies sociale të dy vendeve fqinje.

Po kështu, Presidenti Pacolli  zotua për krijimin e një percepsioni të ri në shoqërinë e dy vendeve tona, ku ndasitë politike, etnike, fetare do të jenë pjesë e së kaluarës. Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik dhe nevojës së zhvillimit të të dy vendeve tona, Presidenti Pacolli theksoi:

“Të investojmë me pak para që kemi, me pak kohë që na ka mbetur dhe më shumë shpirt që kemi në funksion të interesit të qytetarëve të vendit tonë”.