Vazhdojnë aktivitetet e Zv/Kryeministrit Pacolli në Nju Jork

New York, 22 shtator 2011

Në kuadër të aktivitetit diplomatik në Nju Jork të SHBA-së, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka takuar Presidentin e Guinesë Equatoriale, Teodoro Obiang.

Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli, e informoi Presidentin Obiang, me situatën në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Zëvendëskryeministri Pacolli, kërkoi nga presidenti Obiang, që të shqyrtojë seriozisht njohjen e Kosovës, duke i argumentuar atij se një vendim i tillë, do të ishte në respektim të plotë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe opinionit këshillëdhënës të GJND-së.

Presidenti Obiang në anën tjetër, ishte shumë konstruktiv në qasjen e tij në raport me kërkesën për njohje. Po ashtu, ai e ftoi zotin Pacolli që në një të ardhme të afërt të vizitojë Guinenë Ekuatoriale.

Zëvendëskryeministri Pacolli takon presidentin e Afrikës së Jugut Jakob Zuma dhe atë të Eritresë, Isaias Afewerki.

Gjatë takimit, me presidentin Zuma, zëvendëskryeministri Pacolli, shprehu falënderimin e tij, për pritjen që Presidenti Zuma i kishte rezervuar në Afrikën e Jugut, gjatë vizitës në këtë shtet. Me këtë rast z.Pacolli edhe njëherë ripërsëriti kërkesën për njohjen e Kosovës nga Afrika e Jugut.

Në orët e mbrëmjes së ditës së martë, zëvendëskryeministri Pacolli ka zhvilluar një takim me presidentin e Eritresë, z. Isaias Afewerki.

Zëvendëskryeministri Pacolli, i adresoi qartë Presidentit Afewerki kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran. Në anën tjetër, presidenti Afewerki u shpreh i kënaqur për informacionet e ofruara, duke premtuar se një vizitë e zëvendëskryeministrit Pacolli në Eritre, do të ishte shumë pozitivë në rrugën e lidhjes së miqësisë ndërmjet dy vendeve.

Aktivitetet e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në Nju Jork do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Në agjendë janë paraparë edhe një numër i madh takimesh.