Në Forumin Ekonomik Shqipëri-Kosovë, dola me iden të ndërtohet linja hekurudhorë, kompania ajrore e trevave shqiptare

Tiranë, 29 Prill 2014 –

Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Shqipëri-Kosovë të mbajtur në Tiranë, theksova se bashkimi kombëtar nis nga ai ekonomik, ndaj dhe ne duhet të ndërtojmë tregun e madh Shqipëri-Kosovë.

Shpreha edhe kritika në lidhje me mënyrën sesi janë trajtuar minierat, ku theksova se gjithçka është bërë në mungesë të një plani. “Industria dhe energjia janë sektorë me rëndësi, por është bërë padrejtësi me veprimtaritë ekonomike”

Nga pozita e zv. Kryeministrit vura theksin në ndërtimin e hekurudhës mes Shqipërisë dhe Kosovës, sikundër ftova operatorët ekonomikë për krijimin e kompanive ajrore të trevave shqiptare, duke i realizuar fluturimet nga dy vendet tona drejt destinacioneve të tjera.

Unë kam të njëjtën ide, se ne duhet të integrohemi në BE me dinjitet dhe jo si shërbyes. Për këtë arsye ne duhet të integrohemi më së pari brenda familjes sonë, me vëllezërit tanë dhe pastaj të shkojmë në BE.

Fjalimi në Forumin Ekonomik Shqipëri-Kosovë, Tiranë, 29 prill 2014

Unë jam shumë falënderues që procesi që kam konceptuar menjëherë pas fitores së lirisë, po ecën para dhe kjo konferencë është pjesë e këtij procesi të madh. I falënderoj organizatorët e Konfindustrias. E falënderoj në mënyrë të veçantë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili, shumë prej këtyre ideve të Unionit Ekonomik Kombëtar, i futi në programin e partisë së tij, të qeverisë së tij dhe tani po i jetëson me shpejtësi dhe konkretësi. 

Pse ne duhet të punojmë për këtë Union ekonomik, për Bashkimin Kombëtar që nis nga ekonomia? Jo thjesht pse ne e kemi bashkimin kombëtar, ëndrrën tonë. Por pse Bashkimi ekonomik është rruga kryesore që ne të zhvillohemi ekonomikisht me shpejtësi të madhe dhe të rrisim mirëqenien e qytetarit. Vetëm kur ta rrisim këtë mirëqenie, do ta rrisim vetëdijen e tij demokratike.

Gjatë kësaj periudhe të pluralizmit në zhvillimin tonë ekonomik janë bërë shumë gabime. Janë bërë privatizime të pamenduara që kanë dëmtuar ekonominë, kanë pakësuar paranë apo likuiditetin në treg, dhe kanë shtuar papunësinë. Ka ndikuar në rastin e Kosovës, i ashtuquajturi Agjencion i Privatizimit,  cili e ka shtuar varfërinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli gjatë intervistës në televisionin Ora News, foli për punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Kosovë të mbajtur në Tiranë theksoi se tregu i përbashkët do të rrisë mundësitë e zhvillimit ekonomik midis dy vendeve.

Janë bërë shumë gabime në fushën e minierave. Ne ja kemi arritur ta ndalim veprimin e gabuar të këtij Agjencioni në Trepçë, duke ia shkëputur duarve të saj. Ne kemi ndarë asetet thelbësore nga jothelbësore dhe kemi një projekt për zhvillimin e saj disavjeçar.

Jetojmë në vështirësi energjitike. Pse duhet të kemi këto vështirësi? Pse nuk kemi patur atë që dy ministrat tanë e kanë nisur ta jetësojnë- hapësirën energjitike të përbashkët, linjën e interkonieksionit. Ne duhet të mendojmë dhe për gjenerimin, dmth për njësitë gjeneruese të përbashkëta të energjisë.

Kemi bërë gabim që kemi hyrë në CEFTA. S’jam kundër integrimit tonë ndërkombëtar, por në CEFTA mund të hysh nëse ti ke një bilanc të barabartë importi me atë të eksportit. Ndërsa ne, qoftë Shqipëria, qoftë Kosova importojmë afro 90% ndërsa eksportojmë vetëm 10%. Po ju marr një shembull. Një shishe uji e prodhuar në Prokuplje të Serbisë, ku unë njoh pagat, tregun e punës, etj,  vjen në Prishtinë, pa llogaritur subvencionet shtetërore, 20-25% më e lirë se uji që prodhohet tek ne. Atëherë çfarë kemi fituar prej këtij aderimi? Jemi dëmtuar.

Unë kam të njëjtën ide, se ne duhet të integrohemi në BE me dinjitet dhe jo si shërbyes. Për këtë arsye ne duhet të integrohemi më së pari brenda familjes sonë, me vëllezërit tanë dhe pastaj të shkojmë në BE.

Për këtë arsye me eksperiencën time unë ende pa u përfshirë në politikë, kam hedhur disa hapa kah integrimi ekonomik kombëtar. S’kam zgjedhur të ashtuquajturin patriotizëm tradicional, i cili sot vuan nga patetizmi dhe nga mungesa e realizmit.

Ja disa prej këtyre hapave.

1). Në 1999 menjëherë kur Kosova fitonte lirinë, kam themeluar FORK, Fondacionin për Rindërtimin ekonomik të Kosovës, ku bashkëpunimi me Shqipërinë ka qenë boshti kryesor. Gjetja e financimeve në tregun financiar botëror ka qenë gjithashtu një bosht tjetër i rëndësishëm

2., Unë asokohe nga pozita e ndërmarrësit, themelova Unionin e Afaristëve shqiptarë në botë në 2000.

2. Në 2004 kam themeluar SEED, Fondacionin për Bashkëpunimin ekonomik në Europën Juglindore. Isha i bindur se zhvillimi ekonomik i gjithë rajonit ku shqiptarët kishin peshën kryesore ishte ilaçi për zgjidhjen e gjithë problemeve tona historike.

3. 7 vjet më parë, një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur Arbën Xhaferri hidhte idenë e tij për Komunuelthin ekonomik shqiptar, unë duhet të merrja pjesë bashkë me të në atë konferencë të organizuar në Durrës nga këshilltari im Mentor Nazarko. Për një angazhim ndërkombëtar nuk mund të isha, por Banka ime, Banka ekonomike e financoi konferencën e 7 vjetëve më parë.

4. në 2011 me cilësinë e  Presidentit të Kosovës bëra thirrje për krijimin e Hapësirës ekonomike të përbashkët në Parlamentin e Shqipërisë.  Pra thirrje institucionale. 

5.Më pas në 2013, unë e kam themeluar Lëvizjen për Unionin ekonomik shqiptar së bashku me 3 ish Presidentë të Shqipërisë dhe studiues të tjerë nga trojet tona, Union sipas modelit të vendeve nordike.

III. NA DUHET NJË INSTITUT PËR STUDIME MBARËKOMBËTARE

-Sot kur qeveritë po ndjekin këto hapa të projektuar në kohë, lind nevoja e diçkaje tjetër : na duhet një Institut i studimeve mbarëkombëtare që të projektojë gjithë zhvillimet e mëvonshme.  Ne e dimë se biznesi shpesh i hap rrugët politikës, por biznesi duhet të bashkëpunojë me mendimin profesional, shkencor. Tani s’mund të ecim pa i projektuar zhvillimet. Kudo në botë, organizatat e biznesit i kanë këto Institute.

IV. NA DUHET PËRFSHIRJA E MENDIMIT TË KUALIFIKUAR TË NJERËZVE TË DIASPORËS. INSTITUTI APO FORUMI QË UNË PROPOZOJ DUHET TË KETË PROFESORË SHQIPTARË TË DIASPORËS.

Ju e dini se ne kemi një diasporë mjaft aktive mbi bazën e të cilës ne mbijetojmë ekonomikisht.  E vlerësoj shumë idenë e përfshirjes në bursë të atyre kompanive të përbashkëta ku do të ketë pjesëmarrje publike. Në këtë mënyrë ne do të mund të përfshijmë kontributin e njerëzve të diasporës në mënyrë shumë të kualifikuar në ekonominë tonë kombëtare. Por sot unë kam një ide tjetër që ndërlidhet me Institutin që ju propozova. Nëpërmjet këtij Instituti ne përfshijmë mendimin e atyre shqiptarëve që janë nëpër universitetet më të mira të botës, në kompanitë më të mëdha të botës. E di që Shqipëria sot ka dhjetëra mij të rinj që kanë mbaruar studimet në Universitetet italiane. Sa shqiptarë të tjerë të shquar ka si profesorë në Universitete të tjera botërore?

Sot të marrësh pjesë në një Institut të tillë, mund ta bësh virtualisht, pa prani fizike.  Ekziston një përpjekje e tillë si ajo e ALbshkencës, por neve na nevojitet një Forum shumë më i specializuar ekonomik.

V.PROJEKTET E PËRBASHKËTA.

Siç e dini në takimin e Prizrenit, unë kam hedhur ide për këto projekte :

a)    krijimin e një Fondi shëndetësor kombëtar;

b)   krijimin një spitali kombëtar për sëmundjet e rënda, i dhënë në menaxhim një kompanie me renome botërore; i mbështetur në një fakultet studimesh mjekësore dhe një fakultet infermerie apo shërbimesh mjekësore;

c)    kompani ajrore të përbashkët ku shtetet kanë pjesëmarrje nëpërmjet aeroportit të Kukësit dhe Gjakovës dhe shërbimeve aeroportuale :

d)   kompani hekurudhore të përbashkët, përfshi eventualisht dhe Maqedoninë;

e)    zona të lira ekonomike panshqiptare- zona e Gjakovës duhet të jetë e shtrirë dhe në Tropojë dhe Has.

VI/ MË DUHET MBËSHTETJA E MENDIMIT TË SPECIALIZUAR.

Për këto ide, mua më duhet mbështetja e mendimit shkencor dhe e biznesit tonë kombëtar. Duhet të reagoni në mbështetje të këtyre ideve. Kështu s’do dukem si një UFO që jep ide jashtëtokësore. Unë e kam kaluar lumin. Idetë e mia për projekte të përbashkët janë produkt i eksperiencës sime ndërkombëtare, i njohjes së financave ndërkombëtare. -mua më duhet mbështetja juaj, e njerëzve të biznesit, e studiuesve për idetë e mia.

E kam problem të madh mbështetjen. E kuptoj se politika nuk do të më mbështesë, por të paktën të më mbështesë biznesi dhe njerëzit e shkencës.

Më vjen mirë që këtu në Shqipëri, unë gjej një mbështetje të madhe për idetë e mia.