Ankara, 26 tetor 2017
Ishte kënaqësi, të takoj me homologun tim mik nga Turqia, Mevlüt Çavuşoğlu. E falënderova për përkrahjen e vazhdueshme, që vendi i tij i ka dhënë Kosovës në procesin e konsolidimit/shtet-ndërtimit dhe vazhdon ta përkrahë Kosovën si në aspektin politik, ekonomik atë të sigurisë, arsimor e shëndetësor, duke mos anashkaluar edhe fushat tjera.
Të dyja shtetet respektive ndajnë vizionin e përbashkët për të ardhmen Euro-Atlantike të Ballkanit dhe Turqia ka qenë dhe mbetet mbështetës i vendit tonë në platformat ndërkombëtare e rajonale.

Angazhimi konstruktiv i Turqisë në rajon është një shtyllë stabiliteti. Në veçanti, kërkova mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin në INTERPOL.


Edhe gjatë konferencës për media mora zotime se takimi im vëllazëror me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, do të jetë në frymën e mbështetjes edhe më të fortë për Kosovën në ekonomi, lobim për njohje dhe integrim ndërkombtar. Turqia, është shtet partner dhe vend mik i Kosovës.
Takim ne Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Ismail Kahraman
Sapo përfundova një takim tjetër shumë të këndshëm dhe mbështetës edhe me Kryetarin e Kuvendit z. Ismail Kahraman. Po presin aktivitetet e tjera, që synojnë rritjen e investimeve turke në Kosovë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në këtë takim kam thekuar thellimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai tha se Kosova si një shtet i ri ka nevojë për mbështetjen e shteteve të mëdha dhe të fuqishme mike për të siguruar vendin e duhur në arenën ndërkombëtare.
Unë në vijim ka shprehur falënderime për mbështetjen e deritanishme të Turqisë për Kosovën. Kosova do të vazhdojë të qëndrojë një mik i besueshëm i juaji.


TAKIM ME KRYEMINISTRIN E TURQISË, BINALI YILDRIM
E përmbylla vizitën time në Turqi me takimin mbresëlënës dhe të ngrohtë me Kryeministrin e Turqisë, Binali Yildrim.
E falënderova dhe i shpreha mirënjohjen e thellë në emrin tim dhe të Institucioneve të Kosovës për mbështetjen konsistente, që Turqia i ka dhënë dhe do t’i jep edhe më fuqishëm Kosovës procesit të lobimit për zgjerimin e njohjeve të reja për Kosovën, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe për vendosmërinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së investimeve në Kosovë.

Në emër të Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj përcolla ftesën që Kryeministri Yildrim dhe Presidenti Erdoğan ta vizitojnë vendin tonë, në një kohë të përshtatshme.
Do të vazhdojmë me vizita vendeve të tjera dhe me dinamikën e re të diplomacisë së Kosovës.
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Ankaram së bashku me mikun tim, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Lütfi Elvan dhe në prezencën e shumë bizneseve si nga pala turke, por, edhe nga ajo e Kosovës hapëm Forumin Ekonomik Kosovë – Turqi.

I bëra thirrje bizneseve turke, që të rrisin edhe më shumë investimet në Kosovë. Tregu i Kosovës është i hapur për kompanitë dhe investimet turke. Marrëdhëniet e afërta në mes dy vendeve dhe dy popujve, pozicioni strategjik i Kosovës më afër Evropës, lehtësimi i procedurave për të bërë biznes në vendin tonë dhe Ligji për Investime Strategjike, duhet të shihen si mundësi për biznesin dhe kompanitë turke.
Thirrje të njëjtë kompanive turke për rritjen e investimeve turke në Kosovë i bëri edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Lütfi Elvan. Turqia, bënë pjesë në grupin e vendeve me prezencën më të madhe të investimeve në Kosovë.
Deri më tash janë regjistruar gjithsej 700 biznese turke, që kanë investuar rreth 367,80 milion Euro dhe llogaritet se nga këto janë krijuar rreth 10 mijë vende të reja pune. Presim, që në një të ardhme të afërt të shohim miliarda dhe shumë më shumë vende të reja pune.

