Prishtinë, 6 janar 2018
Me Ambasadorën Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, takimet janë gjithëherë të shkëlqyeshme. Sepse të tilla janë edhe marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Si dy shtete mike dhe partnere që po synojmë ta legalizojnë edhe Partneritetin Strategjik, nivel ky më i lartë i mundshëm i marrëdhënieve bilateale në mes dy vendeve.
Rruga e integrimit Euro-Atlantik e Kroacisë vërtetë duhet të jetë model për ne. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha ato potenciale edhe të bashkëpunimit ekonomik, që nuk janë shfrytëzuar deri më tash. Shpresoj ta vizitojë së shpejti edhe Kroacinë.

Në vazhdim të takime të rregullta me përfaqësuesit e Korit Diplomatik të akredituar në Kosovë kisha kënaqësinë të jem nikoqir i takimit me Ambasadorin britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Përgatitjet e vendit tonë për shënimin e vitit jubilar të dhjetë-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, qëllimi i përbashkët për rritjen e numrit të njohjeve, anëtarësimi dhe integrimi i vendit tonë në Organizata Rajonale, Evropiane dhe Ndërkombëtare janë çështje, që ne i shtjellojmë pothuajse në çdo takim.

Roli i Mbretërisë së Bashkuar në themelimin e shtetit të Kosovës, qoftë në kuadër të veprimit të saj si shtet anëtarë i Kuintit, qoftë në nivelin dy-palësh ka qenë vendimtar dhe i tillë do të mbetet edhe në vazhdimin e procesit të konsolidimit të mëtejmë të shtetit tonë si në planin e jashtëm, ashtu edhe atë të brendshëm.
Gjatë ditës, ndër takimet e shumta zhvillova një takim të ngrohtë dhe miqësor me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert. Diskutuam mbi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, bashkëpunimin e ngushtë në fushën e njohjeve të Kosovës, në zona të ndryshme gjeografike ku Franca ka ndikim të veçantë dhe mbarëvatjen e përgatitjeve për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Vlerësova kontributin e Francës në gjitha proceset më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe e njoftova mysafirin me pikëpamjet e mia për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, të cilat u vlerësuan mjaft nga bashkëbiseduesi.
Numri një i diplomacisë franceze në Kosovë, më informoi me vullnetin e palëkundur dhe përkushtimin konsistent të vendit të tij dhe të Perëndimit në përgjithësi, për ta mbështetur Kosovën edhe në këtë fazë të zhvillimit të saj.

Në frymën e kësaj, ai më dorëzoi, gjithashtu një letër të ministres franceze për Çështje Europiane, Nathalie Loiseau, e cila më kishte falënderuar për takimin konstruktiv, që kishim gjatë vizitës time në Paris dhe për shkëmbimin e hapur të pikëpamjeve në kuadër të këtij takimi. Në përgjigje të ftesës time, ministrja Loiseau shprehte, gjithashtu dëshirën e delegacionit francez për të marrë pjesë në festimet e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në fund të këtij takimi, Ambasadori Chabert shprehu edhe brengën e Francës si shtet mik, partner dhe mbështetës i fuqishëm i Kosovës për lëvizjet e brendshme në Republikën e Kosovës gjatë ditëve të fundit.
