Strasburg, 17 janar 2018
Takim i frytshëm në Strasbourg me ambasadorët e shteteve mike të Kosovës në Këshillin e Evropës. Mbështetje e fuqishme në rrugën e faktorizimit ndërkombëtar të vendit tonë.
U diskutua për bashkërendimin e aktiviteteve për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Gjatë vizitës time në Strasburg, kërkova mbështetjen e përfaqësuesve në Parlamentin Evropian për përshpejtimin e pakushtëzuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, përderisa raportova edhe mbi zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qyetarët e Kosovës e meritojnë këtë të drejtë themelore të lëvizjes së lirë, ashtu siç e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë të rajonit. Çdo trajtim ndryshe ndaj tyre i forcon bindjen për pabarazi dhe shtetas të dorës së dytë, status nga i cili ne kemi vuajtur shumë përgjatë historisë tonë.
Është koha e fundit, që ne të lëvizim përpara dhe të ruajmë sentimentin e madh pro-evropian, që ekziston tek populli i Kosovës. Vonesat i ushqejnë dhe i japin shtytje vetëm forcave të errëta. Të veprojmë tash.
TAKIM ME SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, THORBJØRN JAGLAND
Takim i rëndësishëm me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Torbiorn Jaglland. Kosova do të ecë përpara në procesin e anëtarësimit në këtë institucion shumë të rëndësishëm. E informova sekretarin Jaglland për hapat që po bën Kosova drejt anëtarësimit në KE.

Biseduam për çështje të interesit të përbashkët dhe paralelisht me këtë e njoftova për qëllimin tonë, që të anëtarësohemi në këtë Organizatë të rëndësishme për të Drejtat e Njeriut dhe për hapat, që ne si Kosovë dhe Ministri e Jashtme i kemi ndërmarrë për të arritur këtë qëllim.
E kam thënë edhe në deklarimet e mia të mëhershme se duke marrë parasysh procedurat respektive, ne presim, që të bëhemi anëtari i 48-të i kësaj Organizate deri në vitin 2020.
