Vjenë, 31 gusht 2018
Kam marrë pjesë në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, me temën “Infrastruktura kritike dhe digjitalizimi”, të organizuar nga Austria, kryesuese e radhës e Presidencës së BE-së.
Siguria energjetike e Kosovës mbështetet në Termocentralet, funksionaliteti i të cilave varet nga rrjedha konstante e ujit për të ftohur gjeneratorët. Prandaj, kërkova me ngulm zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Energjisë midis Kosovës dhe Serbisë, pasi që është me rëndësi vitale.

Këtë e kërkova gjatë adresimit tim para Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të cilët po marrin pjesë në takimin joformal në Vjenë, me temën “Infrastruktura kritike dhe Digjitalizimi”.
Në vazhdim, referova në lidhje me kërcënimet në rritje të karakterit hibrid, për të cilat vlerësova se bashkëpunimi është i domosdoshëm.
Përshëndeta nismat, si synimi për të nisur anketat e kërcënimeve hibride me vendet e Ballkanit Perëndimor, që na lejojnë të shqyrtojmë se si aplikohen kërcënimet në vende të veçanta, si dhe në rajonin tonë.

Në margjina të këtij aktiviteti, të organizuar nga Austria, si kryesuese e radhës së Presidencës së BE-së, zhvillova njё sёrё takimesh me homolog nga BE-ja dhe rajoni.



