Prishtinë, 11 mars 2019 –
Katari e ka mbështetur Republikën e Kosovës në procesin e njohjeve dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare pa asnjë kusht. Për këtë do u jemi gjithmonë mirënjohës.
Me këtë shtet mik po i thellojmë raportet pasi që sot pata nderin të mirëpres në zyrën time Shkëlqesinë e Tij Z. Ali Bin Hamad Al Marri, Ambasador i Shtetit të Katarit në Tiranë, jo-rezident në Kosovë, i cili më prezentoi edhe kopjet e letrave kredenciale.

Me Ambasadorin Al Marri bisedova për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes të dyja vendeve tona, dhe njëherit e falënderova për ndihmën që Shteti i Katarit ka dhënë dhe vazhdon të japë për Republikën e Kosovës.
E informova Ambasadorin Al Marri për planet për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Doha, dhe interesimin e Kosovës për t’i thelluar edhe më tutje marrëdhëniet tona.
Mora premtim se Katari do ta ndihmojë Kosovën edhe në marrjen e njohjeve nga disa shtete, dhe përmes Ambasadorit Al Marri ftova Shkëlqesinë e Tij Z. Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme që ta vizitoj Kosovën.

