Reçak, 15 janar 2020 –
Me 15 janar të vitit 1999, Reçaku në orët e hershme të mëngjesit u gjet i rrethuar nga policia speciale, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Atë ditë ato vranë 45 civilë të paarmatosur e të pafajshëm, mes tyre edhe gra e fëmijë.
Jehona e aktit të gjenocidit që ndodhi te “Pishat”, “Gështënjat”, “Rrasa e Çallakut” dhe “Çesta” përmbi Reçak kumboi në gjithë botën. Lajmi i krimit që ndodhi te shtëpia e Sadik Osmanit dhe “Kodra e Bebushit” mbërriti në çdo cep të botës.
Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun. Njësoj qysh nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Mejën, Krushën e Madhe e Krushën e Vogël, Dubravën, Poklekun, Rezallën, Izbicën, Gjakovën, Qyshkun, Lybeniqin, Pastaselin, Arbrinë e Epërme, Qirezin e Likoshanin e shumë vende të tjera të Kosovës që ishin viktima të mbi 400 masakrave gjatë luftës së fundit të viteve ’98 e ‘99, dëshmi këto të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Fushata të tilla të vrasjeve masive, të ushtrimit të mizorive tmerruese ndaj civilëve sikurse në Reçak, kishin ndodhur dhe do të vazhdonin nëpër komuna dhe rajone anembanë Kosovës, duke konfirmuar që Jugosllavia e tretë, ajo e Millosheviqit, jo vetëm që e donte Kosovën pa shqiptarë, por po e zbatonte me forca të armatosura aktivisht këtë intencë të saj.
Unë, sa herë që vij në Reçak, ndjej përulje ndaj fshatarëve të Reçakut. Atë që e ka dokumentuar Human Rights Watch, KMDLNj, Fondi për të Drejtën Humanitare, është më së miri e rrëfyer në dhimbjen dhe traumën e fshatarëve të Reçakut dhe familjarëve të viktimave. Kjo histori nuk mund të harrohet dhe as të rishkruhet.

Vrasja e qëllimshme në formë të ekzekutimit arbitrar të personave civilë nga forcat e armatosura të shtetit serb, ishte forma më e zakonshme dhe më e shpeshtë e vrasjeve sipas mënyrës së ekzekutimit në vend nga afërsia e drejtëpërdrejtë, të grupeve të personave civilë të pambrojtur pa dallim.
Kjo masakër e zbuluar dhe e identifikuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, nga udhëheqësi i misionit të vëzhguesve të OSBE-së, ambasadori William Walker dhe përfaqësues të mediave ndërkombëtare bëri që qeveria e atëhershme jugosllave, më 18 janar 1999, ta shpallë William Walkerin persona non grata.
William Walker e pat cilësuar masakrën e Reçakut si “mizori e papërshkrueshme” (“unspeakable atrocity”) dhe si “krim i madh kundër njerëzimit” (“crime very much against humanity”), e që u dënua ashpër nga qeveritë e vendeve demokratike perëndimore dhe nga vetë Këshilli i Sigurimit të OKB.

Në 23 shkurt 1999, presidentja e Gjykatës Penale për ish Jugosllavinë i shkruante ministrave të jashtëm britanik e francez, z. Robin Cookut dhe z. Hubert Vedrineit: “Nuk duhet të sakrifikohen parimet mbi të cilët është themeluar Gjykata për hir të interesave politike afatshkurtër”. Ajo shprehej: “Nuk ka paqe pa drejtësi”.
Duhej pra një Reçak që NATO dhe Perëndimi të kuptonin se kur kasaphana nuk ndalet, ajo mund të kthehet në normalitet. Pikërisht këtë Reçak e mohon sot Serbia. Sepse Reçaku nuk është vetëm një masakër, por edhe një datë vendimtare në shekullin tonë. Është data që shtyn një reagim ushtarak kolektiv dhe një kolektiv ndërgjegjesh politike, intelektuale, mediatike të marrin qëndrim dhe ta cilësojnë një sjellje ushtarake shtetërore si të papranueshme.
Nuk vonoi shumë pas këtij akti gjenocidal në Reçak, dhe avionët e NATO-s bombarduan Jugosllavinë e Millosheviqit. Pra, ishte pikërisht një masakër e tillë që e vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit në mbrojtje të popullit tonë e kundër një shteti që projektonte shfarosjen e shqiptarëve.

Masakrat mbi popullin tonë po zgjonin, falë vetëdijes sonë, një ritëm tjetër të kuptimit të së drejtës.
Prandaj, të mohosh krimet gjenocidale që i ka faktuar dhe dënuar një botë e tërë dhe të përsëritësh vazhdimisht si kërcënim mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës martire, do të thotë të qëllosh edhe të rënët e pavdekshëm edhe të gjallët e mbijetuar, do të thotë të shënjestrosh edhe ëndërrat dhe idealet e brezave të ri që vijnë.
Mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë në mënyrë që të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Është ajo që Elie Wiesel e ka quajtur një “vrasje e dyfishtë”. Mohimi vret dinjitetin e të mbijetuarve dhe kërkon të shkatërrojë kujtimin e krimit. Në një shekull të rrënuar nga gjenocidi, ne pohojmë domosdoshmërinë morale të kujtimit.
Ne jemi kundër hakmarrjes. Ne duam drejtësi. Dhe, ne refuzojmë të harrojmë.
Lavdi të rënëve!
Shënim shtesë me rëndësi:
Kuvendin i Republikës së Kosovës ka miratuar Rezoluten mbi gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Aty u vendos që 15 janari, pra dita e masakrës së Reçakut, të shpallet Ditë e Përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Rezoluta i referohet konventave, deklaratave, gjykatave, rezolutave dhe raporteve të ndryshme ndërkombëtare. Në bazë të të dhënave zyrtare listohen faktet e krimeve të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë. Rezoluta përmban kërkesa ndaj Serbisë por edhe zotime tonat si shtet për të sjellur drejtësi, reparacion e rehabilitim për viktimat. Miratimi asokohe u bë me 79 vota PËR.
Rezolutën mund ta lexoni këtu: http://old.kuvendikosoves.org/common/docs/2019_06_03_Rezolut%C3%AB%20nr.%20017%20%20p%C3%ABr%20gjenocidin%20e%20kryer%20serb%20n%C3%AB%20Kosov%C3%AB,%20dt.16.05.2019.pdf?fbclid=IwAR32RRnMi3CqNTSQmp9LBWd82YEJBzUit31eEHm5nSZDTEs2jz0nTQqzxAY
