Dakar – 12 janar 2024 –
Në Kongresin jubilar të 50-të të Unionit Ndërkombëtar të Shtypit Frankofon (UPF), i mbajtur në Dakar të Senegalit nga 9 deri më 12 janar 2024, u vu sërish në pah një prej kapitujve më të rëndësishëm të diplomacisë së Republikës së Kosovës – njohja nga Senegali, një nga shtetet kyçe afrikane që mbështeti pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj më 17 shkurt 2008.
Në këtë kontekst, u përmend qartë se një rol vendimtar në këtë arritje e pati Presidenti i atëhershëm i Kosovës, z. Behgjet Pacolli, i cili nisi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë një ofensivë të përkushtuar diplomatike në kontinentin afrikan, duke vizituar kryeqytete pas kryeqytetesh me avionin e tij privat. Me qasje të drejtpërdrejtë, takime të nivelit të lartë dhe mbështetje logjistike të kompanisë së tij ndërkombëtare të ndërtimit, Mabetex Group, Presidenti Pacolli krijoi ura të reja bashkëpunimi me udhëheqës afrikanë dhe ndërtoi marrëdhënie të bazuara në respekt dhe besim.

Falë kësaj përpjekjeje të jashtëzakonshme personale dhe shtetërore, Senegali u bë një nga vendet e para afrikane që njohu pavarësinë e Kosovës – më 19 shkurt 2008, vetëm 24 orë pas shpalljes në Prishtinë. Kjo njohje ka qenë dhe mbetet një nga gurët themeltarë të afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës në kontinentin afrikan.
Kongresi i 50-të i UPF: Media, Paqa dhe Siguria
Kongresi i vitit 2024 i UPF-së u zhvillua nën temën “Media, paqa dhe siguria” dhe u përshëndet në ditën e hapjes zyrtare nga Presidenti i Senegalit, z. Macky Sall, i cili mbajti një fjalim përpara më shumë se 200 gazetarëve të ardhur nga katër kontinente.
Ndër personalitetet që morën pjesë në këtë ngjarje ishin:
- Presidenti Ndërkombëtar i UPF-së, z. Madiambal Diagne
- Sekretarja e Përgjithshme Ndërkombëtare e UPF, znj. Zara Nazarian
- Deputeti i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, z. Bruno Fuchs
- Ish-Presidenti i Kepit të Gjelbër (2011–2021), z. Jorge Carlos Fonseca
Diskutimet në kongres u përqendruan në çështje të ndjeshme si dezinformimi, ndikimi i mediave në kohë lufte, sfidat e gazetarëve në zonat e konfliktit dhe roli i medias në luftën kundër terrorizmit. Në panelin “Manipulimi dhe dezinformimi: Si të rezistojmë ndaj përpjekjeve për kontrollin e medias”, ku isha i përzgjedhur të flisja, pata mundësinë të theksoj sfidat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Serbinë, në lidhje me lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut.
Në diskutim theksova:
“Jo vetëm Afrika përballet me sfida në fushën e lirive të njeriut dhe të shtypit, por edhe në Ballkanin Perëndimor ka një rikthim të autoritarizmit dhe një përkeqësim të ndjeshëm në standardet demokratike dhe të drejtave të gazetarëve.”
Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, Shqipëria humbi 20 vende në renditjen botërore për lirinë e shtypit – një sinjal i qartë se problematikat nuk janë vetëm jashtë Evropës.
Mungesa simbolike nga Serbia – për shkak të njohjes së Kosovës nga Senegali
Ndër detajet simbolike të këtij kongresi ishte mungesa për herë të parë e kryetares së Seksionit të UPF të Serbisë, znj. Gordana, e cila prej vitesh kishte qenë gjithmonë prezente. Kjo mungesë interpretohet si një reagim diplomatik pas njohjes që Senegali i bëri Kosovës – një vendim historik i cili, siç u përmend më lart, u arrit falë përpjekjeve të Presidentit Behgjet Pacolli.
Diagne, “Njeriu i Vitit” në Senegal
Presidenti Ndërkombëtar i UPF, z. Madiambal Diagne, u shpall “Njeriu i Vitit 2023” nga gazeta senegaleze Le Point, për angazhimin e tij personal në lirimin e dy gazetarëve togolezë të burgosur padrejtësisht për shkrime kritike ndaj qeverisë.
Mungesa e pritjes nga Ambasada Franceze
Për herë të parë, Ambasada e Francës në Dakar nuk organizoi një pritje për gazetarët pjesëmarrës në kongresin jubilar të UPF-së – një veprim që u komentua si tregues i një ftohjeje mes drejtuesve të UPF-së dhe institucioneve franceze. Sipas organizatorëve, kërkesa formale nuk ishte bërë, por prapëseprapë kjo mungesë u vërejt si simbolikisht e rëndësishme.
