Category: Lajme

  • Presidenti Pacolli dha dorëheqjen nga të gjithë detyrat dhe anëtarësia partiake

    Presidenti Pacolli dha dorëheqjen nga të gjithë detyrat dhe anëtarësia partiake

    Prishtinë, 22 shkurt 2011 –

    Menjëherë pasi u votua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe u zgjodh president i vendit, Behgjet Pacolli dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat partiake në krye të Aleancës Kosova e Re dhe anëtarësia në këtë parti

    Menjëherë pasi u votua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe u zgjodh president i vendit, Behgjet Pacolli dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat partiake në krye të Aleancës Kosova e Re dhe anëtarësia në këtë parti.

  • Presidenti Pacolli merr urimet e para pas zgjedhjes President i Kosovës

    Presidenti Pacolli merr urimet e para pas zgjedhjes President i Kosovës

    Prishtinë, 22 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka marrë urimet e para për zgjedhjen në detyrën e re.

    Sapo Parlamenti i Kosovës votoi për President të Republikës zotin Behgjet Pacolli, atij i mbërritën telefonatat e para të urimit nga homologë apo personalitete të shquara ndërkombëtare.I pari që i telefonoi Presidentit Pacolli ishte numri një i shtetit shqiptar, zoti Bamir Topi.

    Në telefonatën e përzemërt dhe vëllazërore, zoti Topi i uroi homologut të vet të Kosovës suksese në kryerjen e detyrës së lartë dhe e garantoi në mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shqipërisë për Kosovën. Dy Presidentët diskutuan mundësinë e takimeve në të ardhmen.

    Në zyrën e tij, Presidenti Behgjet Pacolli mori urimet më të mira për detyrën e tij të re dhe nga shefi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë, Piter Faith (Peter Feith). Më pas Presidentin Behgjet Pacolli e uruan me radhë ish Presidenti kroat Stipe Mesiç, ish Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe shumë personalitete të tjera publike nga vendi dhe bota.

  • Behgjet Pacolli u zgjodh President i ri i Republikës së Kosovës

    Behgjet Pacolli u zgjodh President i ri i Republikës së Kosovës

    Prishtinë, 22 shkurt 2011 –

    Behgjet Pacolli u zgjodh sot president i ri i Republikës së Kosovës, pas votimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pas zgjedhjes, Behgjet Pacolli dha betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës.

    Me këtë rast ai iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës me një fjalim, të cilën po e sjellim në vijim:

    Të nderuar qytetarë të Kosovës,
    I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi,
    I nderuari kandidat për Kryeministër, z. Hashim Thaçi,
    Të nderuar deputetë,
    E nderuara familje Rugova,
    E nderuara familje Jashari,
    Të nderuara familje Haradinaj, Pajaziti dhe të gjitha familjet e tjera të çmuara të dëshmorëve,
    Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë,
    Të nderuar pjesëmarrës:

    Sot është një ditë e madhe, për mua fillon sfida e radhës me plot përgjegjësi.
    Ju, të dashur deputetë, më zgjodhët mua për të vazhduar rrugën për përkryerjen e vizionit të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës, për të plotësuar amanetin e heronjve tanë, komandantit historik Adem Jasharit dhe gjithë të tjerëve që ranë për shtetin e pavarur të Kosovës.

    Falënderoj presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiun dhe ushtruesin e këtij posti, z.Jakup Krasniqin, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në këtë detyrë.

    Të dashur qytetarë,
    Sot ndihem i përulur para jush dhe ndjej se nuk më mjaftojnë fjalët që të përshkruaj këtë moment.

    Nuk ekziston ndjenjë më e mirë se të fitosh besimin e përfaqësuesve të popullit, që t’i shërbesh popullit dhe vendit tënd.

    Unë jam i emocionuar por, nga ana tjetër, shumë i përgatitur që këtë besim që m’u dha sot, ta arsyetoj me dinjitet dhe përgjegjësi, me gjithë energjinë, dijen dhe qenien time.

    Jam krenar që jam një nga ju. I lindur dhe i rritur në mjediset e një familjeje tipike të Kosovës, domosdoshmëria më shtyu të ballafaqohem me sfidat e jetës së civilizuar të Perëndimit, jetë kjo jo e lehtë për një kosovar të thjeshtë. Gjatë rrugëtimit tim, shpeshherë jam rrëzuar, por gjithmonë jam ngritur dhe kam vazhduar ende më i fortë.

    Ky rrugëtim më solli edhe suksese me të cilat unë krenohem pasi ato i kam arritur me PUNË. Ato suksese janë sukseset e mia dhe bashkëpunëtorëve e farefisit tim. Këto sfida dhe suksese të arritura në Perëndim duhej të plotësoheshin me arritjet e vendit tim.

    Unë u ktheva në Kosovë dhe e kuptova se këtu e kam vendin, në mesin e njerëzve të mi. Këtu zemra ime rreh ndryshe. Këtu i gëzohem tokës dhe diellit, më gëzon çdo gjë këtu dhe më fascinon perëndimi. Perëndimi është prej nga erdha unë dhe perëndimi është rruga të cilën e synon Kosova.

    I falënderoj miqtë tanë perëndimorë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkësinë Evropiane, për ndihmën e madhe që kontribuuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës për të gjithë qytetarët e saj, për shqiptarët, za serbe, tyrkler için, za bosnjake i crnogorce, për romët, ashkalinjtë, dhe gjithë të tjerët.

    Kosova ka fituar Pavarësinë, Lirinë dhe ndërton Barazinë. Tani po ndërtojmë shtetin. Këto arritje i synuam të gjithë dhe punuam me aq sa ditëm dhe mundëm, por ende jemi larg prej të qenurit të kënaqur me arritjet tona. E arritur e veçantë e shtetit të ri të Kosovës është njohja nga 75 shtete të botës, të cilat i falënderoj në emër të popullit të Kosovës.

    Kosova sot po ballafaqohet me sfidat më të mëdha që nga çlirimi i saj. Ato janë të shumta dhe do të jenë përgjegjësi e funksionit tim që ma besuat sot.

    Përpjekjet e kosovarëve për një të ardhme më të mirë janë virtyt i kosovarëve, jo dobësi. Asnjëherë nuk iu jemi dorëzuar sfidave dhe vështirësive, prandaj, përpjekjet tona për të forcuar institucionet dhe një Kosovë ndryshe, duhet të trajtohen si virtyt dhe domosdoshmëri e kohës në të cilën jetojmë.

    Ishim dëshmitarë të përfoljeve, akuzave, etiketimeve të përmasave globale të drejtuara shtetit të Kosovës dhe njerëzve të saj. Por, ju garantoj, të dashur deputetë, se kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme – e njëjta ka ndodhur edhe diku tjetër.

    Në procesin e pavarësimit të Kosovës ndodhen veprime të jashtëzakonshme, si të njerëzve të Kosovës, ashtu edhe të ndërkombëtarëve, veprime këto në të cilat u përqendrua edhe opinioni botëror. Pavarësia e Kosovës ishte një histori e suksesit; përvoja ime më ka bindur se suksesi mund edhe të mos falet. Kosova dhe njerëzit e saj shënuan një sukses, shënuan, historinë e shtetit më të ri.

    Sot, unë kam marrë një detyrë jo të lehtë. Kam zgjedhur pajtimin dhe angazhimin kundrejt konfliktit dhe pasivitetit. Kam zgjedhur të punoj dhe të angazhohem në këtë rrugë të domosdoshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Nuk e them se dikush tjetër do ta kishte më të lehtë, sfidat janë për t’u tejkaluar, e detyra ime e re është sfida e radhës. Institucionet demokratike forcohen me angazhimin e pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile.

    Unë ju garantoj se do të përfaqësoj interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh bindjet politike. Institucioni të cilin përfaqësoj do të garantojë unitet, stabilitet dhe jam tërësisht i dedikuar t’i shërbej atij funksioni.

    Të dashur qytetarë,
    Unë si President i Republikës së Kosovës, do të jem gjithmonë me ju, pjesë e juaja dhe halleve tuaja, do të punoj dhe angazhohem që të jem pjesë e zgjidhjeve tuaja.

    Do të punoj për të sotmen dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, fëmijëve, të rinjve, prindërve dhe veteranëve të të gjitha kategorive.

    Do të angazhohem me mundësitë dhe kompetencat e mia, për mirëqenie më të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kosova ka mundësi për më shumë dhe më mirë.

    Do të punoj për ruajtjen e integritetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, për barazinë në mes të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike si dhe respektimin e të drejtave të të gjithë kosovarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore apo racore – na kraju svi smo ravnopravni gradjani Republike Kosova.

    Do të punoj për një shtet të së drejtës dhe për një shtet ku askush nuk është mbi ligjin. Do të mbështes fuqishëm luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke siguruar pavarësinë e plotë të sistemit gjyqësor dhe kushtet optimale për punën e tyre.

    Do të promovoj idenë për një Kosovë të hapur, e cila garanton lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, për një Kosovë të integruar plotësisht në shtëpinë e madhe evropiane, në NATO dhe në organizatat e tjera botërore.

    Do të promovoj idenë për plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në mënyrë që në të ardhmen Presidenti i Kosovës të zgjidhet me votën e lirë të qytetarëve.

    Do të promovoj idenë e funksionalizimit te referendumit – referendumi është qelizë e rëndësishme e demokracisë.

    Do të promovoj idenë e ndryshimit të Ligjit zgjedhor, në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira, të drejta, fer dhe korrekte.

    Kosova ka qenë dhe mbetet vend, i cili respekton fqinjët dhe kryen obligimet e saj për marrëdhënie sa më të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj.

    E falënderoj shumë Republikën e Shqipërisë dhe institucionet e saj, për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë afirmimit të shtetit të Kosovës.

    E çmojmë lart gatishmërinë e Malit të Zi dhe Maqedonisë, për avancimin e raporteve të mira fqinjësore.

    Për të gjithë strukturën politike në Kosovë është i rëndësishëm dialogu me Serbinë. Në këtë proces, Kosova do të prezantojë vlerat, idenë dhe vizionin për një fqinjësi të mirë, ku të drejtat e njeriut respektohen dhe vlerësohen në mënyrë reciproke Parimet e fqinjësisë së mirë janë bazë për integrime rajonale dhe globale.

    Do të punoj me gjithë qenien time që ta ngre Kosovën në mesin e shteteve të respektuara dhe të vlerësuara të botës. Në mesin e shteteve të respektuara me të ardhme të ndritur, atje ku qytetari është në qendër të vendimmarrjes dhe është esenca e qeverisjes.

    Kosova e meriton këtë, kosovarët e meritojnë të jetojnë në vend me një të ardhme të ndritur dhe këtë mund ta arrijmë vetëm me punë të madhe dhe përkushtim të sinqertë.

    Rol të veçantë në këtë proces ka rinia jonë. Për rininë ne duhet të krijojmë kushte më të mira jetësore dhe perspektivë të sigurt.

    Me këtë mandat po hyjmë në fazën e re të shtet-ndërtimit të Kosovës, në fazën kur duhet të forcojmë fundamentet e shtetit të Kosovës, me vizion të qartë dhe pa frikë nga e ardhmja. Ne do të korrim sukses, sepse jemi të përkushtuar që suksesin ta arrijmë vetëm me punë profesionale dhe të ndershme.

    Prandaj, të dashur qytetarë të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, SË BASHKU T’IA FILLOJMË PUNËS – JEMI VONUAR.

    Faleminderit edhe një herë dhe Zoti na ndihmoftë në rrugëtimin tonë të përbashkët!
    Zoti e bekoftë popullin e Kosovës, Zoti i bekoftë të gjithë popujt e botës!

  • Si Presidenti i AKR-së isha personi i parë që vizitova nënat greviste

    Si Presidenti i AKR-së isha personi i parë që vizitova nënat greviste

    Prishtinë, 7 tetor 2009 –

    Nënat që kanë të afërmit e tyre të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë kanë hyrë në grevë. Greven po e zhvillojnë në një stend që e kanë ngrehur në shesh. Si Presidenti i AKR-së isha personi i parë që vizitova pasditen e 7 tetorit. Askush nga institucionet nuk i kishte vizituar për t’i dëgjuar hallete tyre.

    Edhe pse shëndeti i tyre po përkeqësohej, ato nuk po ndaleshin, më thane se janë të vendosura të mos i japin fund grevës derisa të gjenden eshtrat e fundit në morg. I’u premtova që personalisht do të kujdesem që kjo çështje të zgjidhej sa më shpejt, vetëm se të ndërpresin grevën.

    “Për shëndetin tuaj, ju kërkoj të përfundoni këtë grevë dhe të shkoni në shtëpi. Ju premtoj se do të bëj çmos për të gjetur një zgjidhje”

    E pranova se nuk është bërë shumë për këtë çështje, por premtova se do të bëjë gjithçka, por jo në këtë mënyrë, jo me grevë. Nënat greviste më falënderuan për mbështetjen që po i ofroja. Por thanë këtë herë nuk do të shkojnë në shtëpi pa kockën e të zhdukurit të fundit.

    Unë shqetësohesha se gjendja shëndetësore e tyre nuk ishte e mirë. Duke u larguar me zemër të lënduar dhe dhimbje të madhe për to, u premtova se shumë shpejt do t’i vizitojë sërish për të gjetur një zgjidhje.

  • Takim me bashkëshorten e Jaser Arafatit, Suha Yaser Arafat, në rezidencën e saj

    Takim me bashkëshorten e Jaser Arafatit, Suha Yaser Arafat, në rezidencën e saj

    Palestina, 7 tetor 2009 –

    Në momentin kur vendosa të udhëtoja për Palestinë, ndjeva një përzemërsi të ndryshme nga çdo eksperiencë e mëparshme. Ky udhëtim ishte në vazhdën turit lobues nëpër vendet arabe për të marrë njohjen e Kosovës.  

    Populli palestinez është një komb i fortë dhe i vendosur, i cili ka përjetuar sfida të shumta në rrugën drejt pavarësisë së tyre. Ata janë një komunitet i mbijetuar, i cili ka ruajtur traditat dhe identitetin e tyre nën kushtet më të vështira.

    Atje do të takoja bashkëshorten e ish-presidentit, Jaser Arafat. Isha kurreshtar për të njohur zonjën e parë Suha Yaser Arafat dhe për të ndarë momente me popullin palestinez shtoi emocionet e mia. Kjo eksperiencë e re shihej si një mundësi e jashtëzakonshme për të krijuar lidhje dhe për të përjetuar një pjesë të rrallë të historisë së këtij populli të fortë dhe vendit të tyre.

    Vizita ishte një ngjarje e rëndësishme diplomatike për Republikën e Kosovës. U bëra pjesë e një atmosfere të ngrohtë dhe mikpritëse nga ana e Suha Yaser Arafat dhe popullit palestinez. Zonja e parë, Suha Yaser Arafat, njihet për angazhimin dhe përkushtimin e saj ndaj kauzës palestineze.

    Unë isha në dijeni se po takoja një figurë të rëndësishme në historinë e Palestinës e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të popullit të saj. Me njohjen e saj të thellë të situatës dhe angazhimin për paqen dhe drejtësinë, ajo ka lënë një ndikim të madh në skenën ndërkombëtare.

    Me vizitën e time në këtë kontekst, pata rastin që gjatë takimit me znj. Arafat, t’i kërkoi asaj mbështetjen e saj në lobimin për njohjen e Kosovës. Gjatë një bisede zonja Arafat premtoi se do të punojë me mua sepse ka kontakte të mira me shumë presidentë të rëndësishëm.

    Burri i saj, Presidenti Yaser Arafat, ishte një lider i shquar dhe simbol i pavarësisë së Palestinës. Ai ka qenë një protagonist kryesor në luftën e popullit palestinez për liri dhe pavarësi.

  • Vizita ime shumë e përfolur në Libi, takimi me Gaddafin, dhe prapaskena si erdhi njohja nga ky shtet

    Vizita ime shumë e përfolur në Libi, takimi me Gaddafin, dhe prapaskena si erdhi njohja nga ky shtet

    Tripoli, 9 shtator 2009 –

    Në shtator të 2009-ës, si presidenti i AKR-së, në kuadër të fushatës së lobimit për njohjen e Kosovës, udhëtova edhe në Libi, ku takova liderin e këtij vendi, z. Muammar al Gaddaf.

    Vizita ishte zyrtare në Libi, me një delegacion prej 120 vetash, përfshirë student nga Universiteti Amerikan i Kosovës. Libia në atë kohë ishte prej shteteve më të fuqishme në rrafsh politik e ekonomik në kontinentin afrikan dhe me një ndikim të theksuar në shumë vende të Afrikës Veriore.

    Po ashtu, thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, unë gëzoja një marrëdhënie mjaft miqësore me Muammar Gaddafin, i cili, veç tjerash, kishte zhvilluar edhe relacione mjaft të përafërta me disa prej demokracive kyçe perendimore. Unë isha i bindur se me një njoftim të hollësishëm të Presidentit Gadafi të jo vetëm të gjendjes politike e ekonomike, por edhe të kontekstit shoqëror e kulturorë të Kosovës, Libia do të lëvizte pashmangshëm në drejtim të njohjes së Kosovës. Kjo njohje, ndërkaq, do shërbente si çelës diplomatik edhe për shumë njohje të tjera në Afrikën Veriore. Për këtë shkak, në delegacionin tonë nuk përfshiva vetëm politikanë dhe profile të larta zyrtare, por edhe profesionistë e student prej universiteteve të ndryshme të Kosovës, me synim që kjo njohje më e thellë shoqërore dhe kulturore të shërbej si gurë shtesë në ndërtimin e urës tone lidhëse me Libinë.

    Pas kësaj vizite, njohja nga Libia ishte fare pranë, për të mos thënë punë e kryer, por gjërat u ndërlikuan tejmase pas kryengritjes së forcave demokratike të Libisë nën udhëheqjen e Këshillit Kombëtar të Përkohshëm të Libisë, kundër sistemit diktatorial të Gadafit. Përkeqësimi i përplasjeve të brendshme shkoi deri në atë pikë sa një numër i madh shtetesh perendimore bashkuan përpjekjen për për ndaljen e mizorive të kryera nga regjimi i Gadafit. Pavarësisht rënies së merituar të Gadafit nga pushteti, procesi i njohjes së Kosovës nuk u kthye së prapthi. Një pjesë e mirë e këtij procesi mund të shpjetohet pikërisht me faktin se strategjia e lobimit tonë nuk ishte asnjëherë tërësisht e personalizuar. Për të siguruar një process të qëndrueshëm dhe një imazh të themeltë pozitiv për vendin tonë, në kishim shtrirë komunikimin me shumë nivele të ndryshme shoqërore e institucionale me Libinë.

    Pavarësisht të raporteve të mira me Serbinë dhe kërkesën e Rusisë për njohjen e Abkazisë dhe Osetisë, Lideri i Libisë, Gadaf, premtoj se do të shqyrtojë me vëmendje mundësinë e njohjes së Kosovës nga vendi i tij. 

    Për këtë arsye, pas vendosjes së pushtetit demokratik, Libia njohu zyrtarisht Kosovën në shtator të vitit 2013. Pavarësisht valëve të trazuara të politikës së atjeshme, njohja nga Libia mbetet një zhvillim i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt konsolidimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare.

  • Organizova konferencën ELDR në Prishtinë, pjesmarrës ishin 28 vende evropiane

    Organizova konferencën ELDR në Prishtinë, pjesmarrës ishin 28 vende evropiane

    Prishtinë, 20 prill 2009 –

    Këto ditë në Prishtinë u mbajt konferenca e ELDR, ku u diskutuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me problemet e Ballkanit juglindor.

    Konferenca u organizua nga partia AKR, me presidentin Behgjet Pacolli. Në këtë konferencë morën pjesë 28 vende evropiane me nënkryetaren e tyre dhe kryetaren e LIBSEEN, Vesna Pusiç.

    Konferenca u organizuar nga Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, në hotel Grand në Prishtinë, më 26, 27 dhe 28 qershor 2009.

    Momente nga konferenca e ELDR, ku u diskutuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me problemet e Ballkanit juglindor.
    Në këtë konferencë morën pjesë 28 vende evropiane me nënkryetaren e tyre dhe kryetaren e LIBSEEN, Vesna Pusiç.