Tag: Ambasadoret

  • Takime me ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe zyrtarë të lartë të institucioneve ndërkombëtare

    Takime me ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe zyrtarë të lartë të institucioneve ndërkombëtare

    Prishtinë, 3 tetor 2017

    Në javën e parë të tetorit si ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, vazhdova takimet me ambasadorët e akredituar në Kosovë, andaj ishte kënaqësi ta pres në takim kurtuazie Ambasadorin austriak në Prishtinë, Gernot Pfandler. Ri-konfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve.

    Austria do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për konsolidimin e shtetit të Kosovës. U pajtuam që të kemi edhe një Plan Veprimi dy-palësh në mes dy vendeve.

    Prishtinë, 3 tetor 2017 – Nga takimi i zhvilluar me Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

    Ambasadori Pfandler më dërgoi personalisht edhe letrën e urimit nga homologu im, Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

    Takimi i radhës ishte me Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Márkusz.

    Atij i shpreha gatishmërinë që Hungaria të jetë edhe më e pranishme në tregun kosovar, me synimin që të krijohen mundësi edhe për palën kosovare dhe veç kësaj të shikohen mundësitë e krijimit të partneriteteve të reja në mes dy vendeve në funksion të arritjes së këtij qëllimi.

    Po ashtu, vlerësova mbështetjen e Hungarisë me kredinë e butë që i ka dhënë Kosovës dhe e cila synohet të investohet në projekte mjedisore.

    Prishtinë, 3 tetor 2017 – Gjatë takimit me Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Márkusz.

    Takim shumë i rëndësishëm ishte edhe ai me Zv/kryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani. Me të u dakorduam se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët mes dy qeverive.

    Do të ndërmarrin veprime konkrete për lehtësimin e kalimit të kufirit, do të synojnë projekte të përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit dhe do të shikojnë mundësinë e krijimit të pikave të përbashkëta doganore.

    Prishtinë, 3 tetor 2017 – Takim me Zv/kryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani.

    Këto ishin disa nga temat e takimit, të cilat u diskutuan në takim. Shkëmbimi i përvojave në kuadër të procesit të integrimeve euro-atlantike ishte një çështje tjetër, për të cilën të dyja palët kanë theksuar si të rëndësishme.

    GJATË PRITJES NË TAKIM TË AMBASADORIT TË NORVEGJISË NË KOSOVË, PER STRAND SJAASTAD

    Falënderova Ambasadorin për mbështetjen e palëkundur dhe konsistent të shtetit dhe popullit norvegjez nëpër të gjitha proceset të cilat ka kaluar Kosova dhe populli i saj.

    Shprehem zotimet tona për rritjen e përpjekjeve për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dy-palësh, me fokus të veçantë në Diplomacinë Publike, Energji, Investime si dhe vazhdimin e ofrimit të përkrahjes për trajnimin e shërbyesve civil për procesin e integrimit evropian.

    Prishtinë, 4 tetor 2017 Gjatë pritjes në takim të Ambasadorit të Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad.

    TAKIM ME DREJTORIN GJENERAL PËR POLITIKAT E FQINJËSISË EVROPIANE DHE ZGJERIM

    Në kuadër të këtij takimi është diskutuar në lidhje me liberalizimin e vizave, avancimin e agjendës evropiane për Kosovën, respektivisht reformat e kërkuara në nivel nacional, si dhe bashkëpunimin rajonal në kuadër të Hapësirës Rajonale Ekonomike.

    Delegacionin njoftova se qytetarët e Republikës së Kosovës, që duan lëvizjen e lirë nuk kanë lidhje me demarkacionin, dhe shpreha përkushtimin se do të bëhet gjithçka që do të jetë e mundur, që liberalizimi i vizave të mundësohet.

    Prishtinë, 4 tetor 2017 – Takim me Drejtorin Gjeneral për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Zgjerim.

    TAKIM ME MARCO MANTOVANELLI, MENAXHER PËR KOSOVË NË BANKËN BOTËRORE

    Me politika që mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme, prodhimin vendor, me lidhjen e arsimit me ekonominë lëvizim drejt zhvillimit, theksova edhe nevojën për tërheqjen e investitorëve nga jashtë, ku rol aktiv dhe pozitiv mund të luajnë si mërgata ashtu edhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare që e pranojnë dhe ndihmojnë Republikën e Kosovës.

    Në këtë takim diskutuam edhe disa projekte që kanë të bëjnë me furnizim të ujit të pijshëm, ujitjen e tokës bujqësore, ruajtjen e lumenjve, deponitë e hapura, zhvillimin rural dhe për punësimin e të rinjve.

    Prishtinë, 4 tetor 2017 – Takim me Marco Mantovanelli, menaxher për Kosovë në Bankën Botërore.

    TAKIM ME SHEFIN E OSBE-SË NË KOSOVË, JAN BRAATHU

    Në margjina të këtij takimi, informova Ambasadorin Braathu mbi zhvillimet e gjithmbarshme politike në vendin tonë, të arriturat e deritanishme, si dhe për objektivat dhe synimet e Qeverisë së Republikës për vitin e ri kalendarik.

    Prishtinë, 5 tetor 2017 – Takim me shefin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

    Në ndërkohë, Ambasadori Braathu ka njoftuar në lidhje me planet dhe aktivitetet e këtij Misioni në Kosovë për vitin e ardhëm, si dhe për prioritetet e shtetit Italian, e cila do të jetë kryesuese e OSBE-së gjatë vitit 2018.

    TAKIM ME AMBASADORIN E KUVAJTIT, FAYEZ MISHARI AL-JASSIM

    Me qëllimin e intensifikimit të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat, por, me fokusim të veçantë në çështjet e koordinimit politik dhe atë të thellimit të bashkëpunimit ekonomik, Kosova pritet të akreditojë brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm edhe Ambasadorin e saj në shtetin e Kuvajtit.

    Prishtinë, 5 tetor 2017 – Takim me Ambasadorin e Kuvajtit, Fayez Mishari Al-Jassim.

    Gjermania është një partner strategjik i Kosovës, jo vetëm në rrafshin bilateral, por edhe në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. 

    Kërkova nga Ambasadori vazhdimin e mbështetjes së Berlinit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, e cila i hap rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Prishtinë, 9 tetor 2017 – Takim me Ambasadorin Christian Heldt, diskutim i përgjithshëm bilateral për raportet e Kosovës me Gjermaninë dhe perspektivën evropiane të vendit.

    Kosova do të mbetet partner i besueshëm dhe do të vazhdojë t’u qëndrojë para obligimeve ndërkombëtare që ka marrë.

    GJATË TAKIMIT ME AMBASADORIN REZIDENT TË MBRETËRISË SË BELGJIKËS NË KOSOVË, FRANÇOIS BONTEMPS

    Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Belgjikës duhet t’i shtojnë energji të reja përpjekjeve nga të dyja vendet respektive për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve.

    Prishtinë, 10 tetor 2017 – Gjatë takimit me Ambasadorin rezident të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, François Bontemps.

    Mbretëria e Belgjikës ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shtet partner dhe mik i Republikës së Kosovës, i cili i ka ofruar mbështetje të fuqishme ndaj të gjitha proceseve të shtet-ndërtimit në Kosovë dhe fuqizimit të shtetësisë së Kosovës në komunitetin ndërkombëtarë.