Prishtinë, 3 maj 2019 –
Në Kosovë ka qëndruar një delegacion i kryetarëve të komunave arbëreshe në Itali. Në Kosovë u priten me një seancë solemne në Kuvend, ku deputetët i falënderuan për kontributin e tyre ndër shekuj që të ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Arbëreshët e Italisë, ndër shekuj e kanë ruajtur identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare.
Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me disa prej tyre, gjatë vizitës që i bënë ata Kuvendit të Kosovës, institucion ky ku u shpall pavarsia e Kosovës.
Arbëreshët e Italisë, kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie për gjithë shqiptarët dhe janë një vlerë e ruajtur e jona që duhet ta çmojmë!

Duke qenë se e njoh mirë gjuhen italiane unë fola në italisht para tyre në Kuvend.
“Faleminderit Itali që ke bërë të mundur që të bëjë të jetoj një pjesë shumë të bukur, një etnitet shumë të bukur. Ju jeni pjesa me të cilën krenohemi më së shumti, përfaqësues edhe të Italisë jeni. Italia nuk është larg nesh, është afër, Italia ka qenë shumë afër ne kosovarëve, vetëm para 20 viteve kur ky popull ka jetuar ditët e tij më të tmerrshme. Kanë qenë ditë ‘të ekziston apo mos të ekzistosh’, e nga Italia kanë ardhur ndihmat që na kanë bërë të jetojmë, që na kanë ndihmuar të rezistojmë edhe në këtë pjesë të Adriatikut. Ju jemi shumë mirënjohës Italisë, dyfish”
Ndërsa, në emër të grupit të arbëreshëve të Italisë Rosario Petta tha se po e ndiejnë veten si në shtëpi të vëllezërve.
“Sot e ndjejmë vetën në shtëpinë tonë, Ndjehem në shtëpinë e një vëllau tim i cili vetëm gjeografikisht jeton larg meje, vëlla që ka të njëjtin gjak në vena sikur unë Gjak arbëresh…Faleminderit të gjithëve me zemër”, tha Petta.

Grupi i arbëreshëve i cili po qëndron në Kosovë me rastin e “Ditëve të Arbëreshëve”, kanë vazhduar vizitën edhe në Muzeun e Kosovës, duke vazhduar më pas në sheshin “Ibrahim Rugova” dhe në sheshin “Skënderbeu”.
Arbëreshët gjatë ditës vizitë i kanë bërë edhe memorialit “Heroinat” për ta përmbyllur turin e vizitave për këtë të shtunë tek monumenti “New Born”.
Aktivitetet në shënimin e këtyre ditëve kanë nisur nga dje në një seancë të veçantë për ta në Kuvendin e Kosovës, ndërsa sot janë pritur edhe nga i pari i kryeqytetit. Vizitat e tyre do të përmbyllen më 6 maj.
