Tag: Bulgaria

  • Pjesëmarrës në Samitin e Sofjes dhe Forumin Ekonomik të Vjenës

    Pjesëmarrës në Samitin e Sofjes dhe Forumin Ekonomik të Vjenës

    Sofje, 17 maj 2018

    Ka filluar sot në Sofje të Bullgarisë, Samiti i Evropës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Samiti i Sofjes, në të cilin po merr pjesë zëvendëkryeministri, njëherit edhe ministri i Punëve të Jashtme, zBehgjet Pacolli.

    Përveç z.Pacolli, në Samitin e Sofjes po merr pjesë edhe Presidentit Hashim Thaqi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj.

    Samiti do të udhëhiqet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili do ta përfaqësojë Evropën bashkë me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

    Krahas krerëve shtetërorë të vendeve, pjesë e këtij samiti do të jenë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisioneri i BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të zgjerimit, Johannes Hahn.

    Tema kryesore e këtij samiti do të jetë konektiviteti, në fushën e transportit, energjisë, infrastrukturës digjitale, edukimit, inovacioni dhe ekonomia digjitale.

    Presidenti i Këshillit Evropian,  Donald Tusk, përkitazi për samitin, ka thënë se Evropa duhet të luaj një rol aktiv në këtë transformim, meqë do të jetë realitet i të gjithë evropianëve dhe se çdo gjë që do të diskutohet në këtë samit do të ketë impakt global.

    Pjesëmarrësit e samitit do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët, në të cilën përfshihen 13 pika dhe të cilat do të tregojnë përkushtimin për të ardhmen e përbashkët.

    Samiti në diskutimet konkrete ka qenë i përqendruar në temën e ndërlidhjes në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, si dhe në temën e sfidave të sigurisë, si terrorizmi, krimi i organizuar dhe migracioni ilegal.

    “Tema e konektivitetit është zgjeruar të përshijë jo vetëm rrugët e hekurudhat, por edhe infrastrukturën digjitale, në sektorin e energjisë dhe në atë të arsimit. Në fushën digjitale është folur për shtimin e bashkëpunimit në sektorin e teknologjisë, përfshirë edhe çështjet si ulja e tarifave për roming, e-qeverisje, e-prokurim apo digjitalizim të industrive. Në sektorin e arsimit është vendosur që të dyfishohen fondet për rajonin për programin ERASMUS-Plus. Liderët e shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar Deklaratën e Sofjes e pas të cilës janë rreshtuar edhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor”

    Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit ishte historike.

    “Është hera e parë që Kosova merr pjesë në një samit të këtij niveli si shtet, e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ka qenë një fitore e madhe diplomatike për Kosovën dhe për të gjitha shtetet anëtare të BE-së që e njohin Kosovën. I jemi mirënjohës nikoqirit, personalisht kryeministrit Borisov të Bullgarisë, por edhe liderëve të shteteve anëtare të BE-së, liderëve të institucioneve të BE-së, që bënë të qartë se Kosova duhet të marrë pjesë si e barabartë me shtetet e tjera. Kosova është përfaqësuar denjësisht dhe ka pasur mundësi që të prezantojë rezultate pozitive, konkrete, në të gjitha fushat e diskutuara. Mbi të gjitha, u bë e qartë se përkundër sfidave, përkundër shkatërrimit që ka pësuar Kosova nga lufta, ka arritur të marrë veten shpejt si shtet dhe sot është afër ta zë hapin me shtetet e tjera të rajonit në rrugën drejt BE-së”

    Në margjina të samitit, ka pasur takime bilaterale me liderë të shteteve anëtare të BE-së, si Belgjikë, Danimarkë, Suedi dhe të bisedoj ndaras me Kryeministrin e Greqisë, me Presidentin e Francës dhe me Kancelaren e Gjermanisë.

    “Interesimi i sinqertë i kancelares Merkel për Kosovën dhe për rajonin u pa edhe një herë me hapin e saj që të na bëjë bashkë me Presidentin e Serbisë, ku u konfirmua edhe një herë përkushtimi ynë që të fillojmë me fazën finale të dialogut, që do të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët dhe me njohje reciproke mes nesh. Jam takuar pra edhe me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe në të gjitha këto takime është theksuar vendosmëria që të lëvizim bashkë drejt integrimit në BE”

    Deklarata e Sofjes, e cila është dakorduar në mes të shteteve anëtare të BE-së në konsultim me shtetet e Ballkanit Perëndimor, përmban disa pika të rëndësishme.

    “Pika kryesore e deklaratës është Pika 2, e cila thotë qartë se BE-ja riafirmon mbështetjen e paekuivoke për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në pikat tjera bën thirrje për vazhdim të reformave në të gjithë sektorët, si ndërtim të institucioneve demokratike, sundim të ligjit, mbrojtje dhe respektim të të drejtave të njeriut. Pastaj fton për bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Të gjitha këto u elaboruan qartë në aneksin që u quajt Agjenda e Prioriteteve të Sofjes”

    Samiti BE-Ballkani Perëndimor u zhvillua në Sofje, Bullgari, më 17 maj 2018. Udhëheqësit e BE-së ranë dakord për deklaratën e Sofjes, me të cilën janë rreshtuar partnerët e Ballkanit Perëndimor.

    Deklarata e Sofjes: https://www.consilium.europa.eu/media/34808/sofia-declaration_sq.pdf