Bruksel, 16 nëntor 2017
Së bashku me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe me ministra të Qeverisë së Kosovës morëm pjesë në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, takim në të cilin, ndër të tjera, u vlerësua se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është në thelb të marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës, se siguron kornizën kontraktuale nëpërmjet së cilës BE-ja dhe Kosova do ta shtojnë bashkëpunimin.
Pas takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, zhvilluam një takim të ndarë me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Diskutuam mbi procesin e përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane; synimin për arritjen e statusit të kandidatit të Kosovës për anëtarësim në BE deri në fund të vitit 2018; rëndësinë e përmbylljes, respektivisht përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës, adresimin e kriterit të mbetur të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, si dhe ndër të tjera shprehëm përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët, duke përfshirë edhe Serbinë.

Në mjediset e shtëpisë sonë, Ambasadës së Kosovës në Bruksel, sonte takova bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Belgjikë. Diaspora jonë është lidhja e Kosovës me Evropën dhe puna e tyre për vendlindjen është e madhe dhe e pakursyer.
Mbështetja për diasporën tonë do ta ndihmojë zhvillimin e vendit dhe do ta forcoje rrugën tonë drejt integrimeve.
Në përgatitje për takimin me Këshillin e Stabilizim Asociimin këtu në Bruksel e pashmangshme të mos takojë edhe njerëzit tanë që e duan dhe jetojnë me atdheun e tyre.

