Prishtinë, 06 shtator 2025 –
Presidenti i deritanishëm i Aleancës Kosova e Re (AKR), z. Behgjet Pacolli, ka dorëzuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga udhëheqja e partisë. Vendimi hyn në fuqi nga data 06.09.2025.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar organeve të AKR-së, z. Pacolli thekson se ky hap është ndërmarrë për shkaqe private, duke respektuar përgjegjësitë dhe kohën që kërkon drejtimi i partisë. Ai ka bërë të ditur se vendimi merret në interesin më të mirë të organizatës, për të mundësuar një tranzicion të rregullt dhe të parashikueshëm institucional.
Në përputhje me vendimin për emërimin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit, kompetencat e kësaj pozite do t’i ushtrojë Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, z. Vesel Makolli, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, siç parashihet me Statut.
Z. Pacolli ka falënderuar me sinqeritet çdo anëtar, strukturë dhe simpatizant të AKR-së për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se, edhe pse largohet nga posti i Presidentit, do të mbetet krah i fuqishëm dhe mbështetës i madh i AKR-së, duke kontribuar me përvojën dhe angazhimin e tij në realizimin e vizionit politik të subjektit.
Aleanca Kosova e Re shpreh mirënjohjen e saj për punën dhe përkushtimin e z. Behgjet Pacolli në udhëheqjen e partisë ndër vite dhe konfirmon se procesi i tranzicionit do të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin dhe praktikat demokratike të brendshme.
AKR është themeluar në vitin 2006 nga vetë z. Pacolli, i cili për gati dy dekada ka qenë në krye të partisë, duke e udhëhequr atë në proceset më të rëndësishme politike të vendit.

