Kukës, 16 prill 2014 –
Programet antishqiptare, si ”Naçertanje” e deri te ”Memorandumi” i Akademisë së Shkencave të Serbisë, për realizimin e projektit për një Kosovë pa shqiptarë, janë dëshmi e tentativave serbe për pastrim etnik.
Me përpjekjen për shfarosje dhe me gjenocidin të përgatitur para 15 viteve, plani famëkeq “Patkoi”, u promovua në Manastirin e Graçanicës, më 20 maj të vitit 1995, në deklaratën e aprovuar nga tubimi i Lëvizjes së Rezistencës Serbe, me në krye krininelin Vojisllav Sheshel, për dëbimin e 400 mijë shqiptarëve.
Me fillimin e luftës, Millosheviqi mendoi se përfundimisht ia arriti qëllimit për të realizuar planet shekullore për një Kosovë pa shqiptarë. Fshatrat e djegura, dëbimet, asgjësimi i dokumenteve të identifikimit dhe udhëtimit të shqiptarëve të dëbuar, dëshmojnë se një pjesë e madhe e shqiptarëve është llogaritur që të mos kthehej kurrë.

Me luftën e UÇK-së dhe me ndihmën NATO-s, shqiptarët përjetuan kthimin biblik në tokën e tyre të djegur. Dashuria për vendin, gjuhën dhe zakonet ishte aq e madhe, sa që Perëndimi u habit nga fluksi i njerëzve që prisnin të ktheheshin në Kosovë.
15 vite pas dy qeveritë, e Kosovës dhe e Shqipërisë u bashkuam në Kukës për të përkujtuar eksodin e vitit 1999, kur drejt Shqipërisë u dëbuan dhunshëm qindra mijë kosovarë nga forcat serbe të diktatorit Sllobodan Millosheviq.
Në këtë përvjetor ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.

Prezent ishin edhe mijëra qytetarë që përjetuar këtë eksod në 99-të, ata ishin në Kukës për të përkujtuar njërën nga ngjarjet më të rënda që ndodhi në luftën e Kosovës.
Gjatë fjalës time në konferencën me titull: “Nga eksodi te partneriteti strategjik”, shpreha mirënjohje për kryeministrin Rama dhe autoritetet shqiptare që mundësuan përkujtimin në Kukës të 15-vjetorit të eksodit kosovar.
“Unë nga thellësia e zemrës falënderoj ato motra, ato nëna, ata baballarë, ata vëllezër që hapën dyert e shtëpive të tyre dhe lëshuan vend për njerëzit, për fëmijët, gratë nga Kosova. Ishte një bujari e paparë dhe sigurisht kjo ngjarje është motivi ynë shumë i fortë sot për të krijuar vizion për një jetesë të përbashkët. Faleminderit shumë për çdo gjë që keni bërë për popullin e Kosovës, popullin tim, vëllezërit dhe motrat nga Kosova”.

Unë i them Lavdi Kukësit dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen vëllazërore! Duhet ta kujtojmë historinë që ajo të mos përsëritet dhe viktima të barazohet me dhunuesin!
15 vjetori i eksodit të bashkatdhetarëve tanë që ikën nga vatrat e tyre stërgjyshore nga tmerret e luftës dhe të ndjekur nga njësitë ushtarake serbe, u përkujtua në Kukës. Është shumë mirë të mos harrojmë këtë krim të madh të konsumuar në mes të Europës në fundin e shekullit të 20- si genocid dhe spastrim etnik të shqiptarëve!
Ky përkujtim ngjan i qëlluar sot, kur për shkak të njëlloj apatie që ne kemi treguar për të dokumentuar krimet e serbëve, po ndërron statusi i viktimës me atë të kriminelit! Dik Marti dhe Karla del Ponte, kanë arritur njëfarë suksesi me ngritjen e Tribunalit të Posaçëm, vendim që do diskutohet javën që vjen.
I kam vuajtur shumë skenat e atyre krimeve megjithëse kam qenë jashtë Kosovës. Shumë familjarë të mi janë vrarë, shtëpi të tyre janë granatuar apo djegur. U mobilizova për të çuar ndihma së bashku me aktiviste të mëdha humanitare europiane në kampet e Kukësit ku qëndronin bashkëvendasit e mi, gra, pleq, fëmijë. Kam punuar për të sensibilizuar diplomacinë ndërkombëtare, kam marrë pjesë në shumë emisione të rëndësishme të mediave europiane për ta treguar tragjedinë e popullit tim.

Kukësi u bë monument i bujarisë njerëzore universale dhe mbarë bota kishte sytë tek Kukësi. Kukësi dhe Shqipëria penguan realizimin e planit të Milosheviqit, që duke nxjerrë afro gjysmën e popullsisë jashtë, mendonte se ata nuk do ktheheshin më.
Bashkëvendasit tanë që ishin afër vatrave të tyre, u kthyen menjëherë pas mbarimit të luftës dhe kjo ishte një fitore e madhe strategjike e kombit shqiptar. Mirënjohje të përjetshme për këtë vepër të madhe!
Këtu po prezantoj disa ballina të shtypit dhe medias së Tiranës që u mor gjerë dhe gjatë me zhvillimet e Kukësit, shtypi kosovar u morë fare pak e hiq detaje protokollare.





