Tag: Gjykata Speciale

  • Si ish-President i Kosovës dhe si një mik personal,  vizitova ish Presidentin Hashim Thaçi në paraburgim në Hagë

    Si ish-President i Kosovës dhe si një mik personal, vizitova ish Presidentin Hashim Thaçi në paraburgim në Hagë

    Hagë, 5 tetor 2021 –

    Në cilësinë time si ish-President i Kosovës dhe mbi të gjitha si një mik personal, së bashku me Jetlirin, vizituam ish Presidentin Hashim Thaçi i cili gjendet në paraburgim, për gati një vit nga Gjykata Speciale në Hagë.

    Per pak kohë, me kënaqësi, takuam edhe ish kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ish deputetin Rexhep Selimi. Të tjerët kesaj radhe nuk mundem me i takuar.

    Në këto dekada që njihemi, është hera e parë që për një kohë kaq të gjatë nuk jam takuar me presidentin Thaçi. Si mik i tij, por edhe si Kosovë, jam i bindur se sot në paraburgim ( bashk me të tjerët), është njeriu që udhëhoqi luftën për çlirimin e vendit, ai ishte personi kyç në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe shpalljes së pavarësisë.

    Këtu në Hagë ai, më të tjerët është duke luftuar kundër akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht nga qarqet që nuk e duan vendin tonë të lirë dhe të pavarur. Kosova të merr Kroacinë si shembull se si i mbron luftëtarët e saj dhe të mos e kthejë urrejtjen politike ndaj individëve në urrejtje ndaj së kaluarës sonë, sepse kjo është ajo që dëshiron Beogradi, për të rishkruar historinë.

    Dhe historinë e kanë shkruar edhe ata që sot janë në Hagë dhe shumë të tjerë në Kosovë, por me logjikën e sotme pavetëdijshëm po bëheni aleat i Beogradit në luftën kundër UÇK -së.

    Është momenti i fundit që Shteti i Kosovës të merr përgjegjësi dhe ne të bashkuar të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë dhe të ardhmen e këtij vendi. Në Hagë nuk janë individët të akuzuar, por Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

  • Gjykata speciale s’është çudi që na ra nga qielli

    Gjykata speciale s’është çudi që na ra nga qielli

    Prishtinë, 22 prill 2014 –

    Nga Behgjet Pacolli

    Sot Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë themelimin e një Gjykate speciale që ngrihet mbi bazën e pretendimeve të një raporti të Këshillit të Europës dhe gjetjeve të prokurorit amerikan Uilliamson.

    Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme që ndodh çdo ditë. Ajo nuk është produkt i politikës sonë ditore. Për këtë vendim janë investuar nivelet më të larta të Bashkimit Europian, të SHBA-ve, pra miqve tanë ndërkombëtarë. Ky vendim me pasojat që do të prodhojë, është një ngjarje me rëndësi ndërkombëtare. Ky vendim nuk është thjesht ngjarje me rëndësi kosovare, pra brenda kufijve tanë. Si e tillë, kjo ngjarje nuk mund të shihet si ngjarjet e përditshmërisë sonë, së fshatit tonë, të katundit tonë, të komunës sonë.

    Rreth kësaj ngjarjeje, ashtu si dhe shumë të tjerave kur kemi përfshirje ndërkombëtare, në politikën kosovare ka tre qasje kryesore. Njera që vazhdon t’i shohë si ngjarje me rëndësi vendore. Kjo është qasje miope. Një qasje tjetër i kundërvihet ndërkombëtarëve, gjegjësisht aleatëve tanë duke përjashtuar çdo veprim apo përfshirje të tyre në jetën tonë politike dhe institucionale. Kjo qasje është irrealiste dhe mosmirënjohëse. AKR-ja ka një qasje tjetër : përfshirëse, pajtuese të interesave tona me ato të miqve tanë ndërkombëtarë.

    Mjerisht qasja miope, irrealiste, mosmirënjohëse ka dominuar shpesh politikën kosovare në raport me ngjarje që kanë rëndësi ndërkombëtare. Ne kemi parë në mënyrë miope ose irrealiste dhe raportin famëkeq të Dik Martit kur u prezentua në Këshillin e Europës. Përballë atyre që e panë me këtë qasje të ngushtë, ne si AKR-, unë personalisht e pamë ndryshe. E pashë si ngjarje me pasoja të rënda ndërkombëtare dhe kërkova reagim të fortë kombëtar. Kërkova tryezë mbarëkombëtare partish të udhëhequr nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tryezë që të formulonte qëndrim unik ndaj akuzave që prekin jo thjesht Kosovën, Shqipërinë, por dhe Perëndimin, aleatët tanë. Kërkova që Shqipëria, shqiptarët të harmonizonin qëndrimin tonë me atë të perëndimit duke ia bërë të qartë unitetin e pozicionit tonë kombëtar. Nuk mora përgjigje. Kërkova prej të përmendurve në raport, drejtues qeveritarë ose jo, që të më jepnin mandat për të ndjekur penalisht në Zvicër për shpifje autorin dhe frymëzuesen e raportit, gjegjësisht Dik Marti dhe Karla Del Ponte. Nuk ma dhanë një prokurë dhe kështu mbeta në nivelin e denoncimeve në mediat ndërkombëtare.

    Gjatë 15 vjetëve të lirisë sonë ne nuk jemi marrë seriozisht me dokumentimin ndërkombëtar të krimeve të kryera ndaj nesh, ndaj jetës së 12 mijë qytetarëve të vrarë, dhunimeve të grave, shkatërrimit të xhamive, dhe objekteve tona të kultit, shkatërrimit të shtëpive, dhe ekonomisë sonë, zhdukjes së mijëra qytetarëve. Ne jemi mjaftuar me konferenca vendore, me akademira solemne, me ndeja pa kurrfarë jehone ndërkombëtare. Serbia nuk ka bërë kështu, ajo nuk ka ndenjur duarkryq. Ajo është përpjekur ta rëndojë peshoren e drejtësisë nga ana e kriminelit.

    Ashtu si në një lojë sportive, nëse ti nuk sulmon atëherë të sulmon tjetri, dhe do të duhet të mbrohesh. Kështu kemi mbërritur në ditën kur Kuvendi do të marrë vendimin për themelimin e kësaj gjykate speciale. Nëse atëherë dhe sot do të mendonim ndërkombëtarisht, do të kishim vizion, me gjasë nuk do arrinim në ditën e sotme.

    Prej ditës së sotme

    Kuvendi do duhet të vendosë sot thuajse symbyllur rreth një vendimi kaq të rëndësishëm që siç e thashë më sipër ka karakter ndërkombëtar. Deputetët nuk dinë kurgjë rreth tekstit që do t’i nënshtrohet për vendim, deri para pak orësh. Ata nuk kanë mundësi të bëjnë kurrfarë debati ose amendimi në tekstin që do votohet. Është krejt e qartë se për shkak të mosanëtarësimit të Kosovës në OKB, ne s’mund të nënshkruajmë një marrëveshje ndërkombëtare me BE-në, që do të parashikonte themelimin e kësaj gjykate. Për shkak se s’jemi anëtarë të OKB-së, me gjasë gjykimi i këtyre krimeve të pretenduara s’mund të ndodhë as nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e krijuar mbi bazën e Statutit të Romës të 1998-ës. Por në këtë « dhurim të sovranitetit » për Bashkimin Europian, në kuadër dhe të raportit që ne kemi me EULEX-in, nuk ka kurrfarë diçkaje të jashtëzakonshme. Sipas Statutit të Romës, GJNP e cila ka hyrë në fuqi tashmë, mund të hetojë dhe të gjykojë për krime lufte qytetarë të zakonshëm, por edhe burra shteti që s’kanë imunitet përballë saj, nëse një vend anëtar nuk don apo nuk ka mundësi ta bëjë këtë. Pra kjo që po ndodh në Kosovë nuk është një dhurim i paprecedent sovraniteti. Ne thjesht për shkak se nuk jemi anëtarë të OKB-së, jemi të detyruar të zgjedhim forma të tilla të veçanta funksionimi të një gjykate. Ne do duhet të bashkëpunojmë me faktorin ndërkombëtar i cili përballë Serbisë, përballë shteteve të tjera aleatë të saj, duhet të tregojë paanësi. Pas mbylljes së kësaj gjykate ne do të kemi të drejtë të mbajmë kokën lart për sjelljen tonë gjatë luftës së Kosovës. Pranimi i kësaj Gjykate në kuadër të zgjatjes së mandatit të EULEX-it, është dhe njëlloj parakushti që Kosova të pranohet si shtet dhe prej anëtarëve të tjerë të BE-së që nuk na kanë njohur. Do kryenim një hap që na e detyrojnë dhe për shkak të anëtarësimit tonë në BE.

    Pasi shpjegova qasjen tonë si AKR, që është qasje inkluzive, pajtuese me perëndimorët, megjithatë ka vend për ndonjë kritikë për ndërkombëtarët, por dhe për ata që ne emër të shtetit të Kosovës kanë negociuar për këtë institucion të ri.

    Mungesa e transparencës në lidhje me ligjin apo korrespondencën për themelimin e kësaj Gjykate, është shumë e dëmshme. Ajo është fyese për integritetin e deputetëve, për ndërgjegjen tonë shoqërore dhe politike. Ajo është fyese për mendimin profesional shkencor të juristëve dhe profesorëve tanë. Ky është një gabim që përsëritet shpesh, ashtu siç është bërë më së fundi me përmbajtjen e negociatave me Serbinë. Mungesa e transparencës prodhon më shumë mitologji antieuropiane dhe antiperëndimore, më shumë qasje provinciale në mes të politikës dhe shoqërisë sonë. Do të krijojë më shumë fabula, përralla dhe legjenda tipike në një vend ballkanik si tonin. Do të krijohet më shumë hapësirë për qasjen e dytë, atë kundërshtuese ndaj bashkëpunimit me ndërkombëtarët.

    Në një situatë si kjo, kur deputetët s’dinë asgjë për përmbajtjen e këtij ligji, objektin e gjykatës, statutin e saj, garancitë, etj, na lind e drejta që rreth saj të ndërmarrim gjithë veprimet e duhura për të verifikuar përputhjen e ligjit me Kushtetutën. Në emër të qasjes pajtuese, bashkëpunuese me ndërkombëtarët, ne do ta votojmë ligjin. Por ne do të kujdesemi deri në fund, për kushtetutshmërinë dhe transparencën e proceseve të tilla që s’janë as të parët, dhe s’do jenë as të fundit.

    AKR si dhe më parë do të tregojë se i parasheh ngjarjet. AKR e di se votimi i sotëm, se Gjykata nuk na ka rënë nga qielli. AKR do ta tregojë se është gjithmonë për bashkëpunim me aleatët tanë perëndimorë. Por AKR do të tregojë si gjithmonë se ky bashkëpunim duhet të jetë dinjitoz dhe jo me symbyllur. Vetëm kështu do të jetë më i fortë dhe kurrë nuk do të errësohet nga askush.