Nairobi, 26 mars 2025–

Behgjet Pacolli – Ish President i Republikës së Kosovës.
Kosova shkruan histori!
Më 26 mars 2025, Republika e Kenias – një nga shtetet më me ndikim në Afrikë – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si një shtet të pavarur dhe sovran.
Kjo njohje përbën një moment historik për diplomacinë e Kosovës dhe konfirmon vendin e saj të merituar në arenën ndërkombëtare. Me këtë akt, Kosova forcon praninë e saj në kontinentin afrikan dhe thellon marrëdhëniet e saj me një nga ekonomitë dhe fuqitë më të rëndësishme të Afrikës.
Një rrugëtim 16-vjeçar drejt njohjes
Kjo arritje nuk është e rastësishme, por rezultat i një angazhimi të gjatë diplomatik. Që nga viti 2009, kam punuar në mënyrë të vazhdueshme me liderë dhe institucione të Kenias për të ndërtuar një partneritet të besueshëm dhe për ta sjellë këtë moment historik.
Presidenti William Ruto, i cili e vizitoi Kosovën në vitin 2019, kishte shprehur mbështetjen e tij për njohjen e Kosovës. Në vitin 2023, gjatë një takimi në Nairobi, ai ndërmori hapin e parë duke njohur pasaportat e Kosovës. Sot, ai konkretizoi këtë përkushtim me nënshkrimin e njohjes zyrtare të Kosovës.
Një thirrje për hapa të mëtejshëm
Në dritën e kësaj njohjeje, i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kenian. Hapurja e një Ambasade të Kosovës në Nairobi do të ishte një hap strategjik për zgjerimin e pranisë së Kosovës në kontinentin afrikan dhe forcimin e lidhjeve ekonomike, diplomatike dhe kulturore me shtetet afrikane.
Mirënjohje për bashkëpunëtorët
Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e bashkëpunëtorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Dua të shpreh falënderime të veçanta për Jetlir Zyberaj, i cili ka luajtur një rol kyç në këtë proces, si dhe për Republikën e Shqipërisë, Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Sot është një ditë e madhe për diplomacinë dhe shtetësinë e Kosovës. Njohja e Kenias është një hap i rëndësishëm për përforcimin e sovranitetit tonë në arenën ndërkombëtare dhe një dëshmi se me punë, përkushtim dhe diplomaci aktive, Kosova vazhdon të ecë përpara.
Faleminderit Kenia! Faleminderit President Ruto! Rroftë Kosova dhe qytetarët e saj krenarë!
Historia e Lobimit për njohjen e Kosovës nga Kenia
– Fillimi i përpjekjeve
Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova nisi një fushatë të gjerë diplomatike për të siguruar njohjen nga sa më shumë shtete. Kenia ishte një nga prioritetet për shkak të rolit të saj të rëndësishëm në Afrikën Lindore dhe organizatat ndërkombëtare.

Gjatë viteve, ky angazhim u forcua përmes kontakteve dhe lobimeve diplomatike që kulmuan në takime të rëndësishme. Njëri nga këto takime ishte edhe ai në New York gjatë shtatorit të vitit 2017.
Ku ish-presidenti, Behgjet Pacolli, i cili ishte në cilësinë e kryediplomatit kosovar pjesmarrës në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, zhvilloi takim me homologen nga Kenia, Amina Mohamed. Ky takim ishte një moment i rëndësishëm për të thelluar dialogun mes dy vendeve dhe për të shpresuar në një njohje të shpejtë.

Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në thellimin e dialogut mes Kosovës dhe Kenias, duke krijuar një platformë të qëndrueshme për bashkëpunim diplomatik dhe hapjen e mundësive për të diskutuar njohjen.
Ky dialog nisi një fazë të re përpjekjesh për afrimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Me përkushtim dhe një qasje të vazhdueshme, diplomacia kosovare forcoi kontaktet në vitet pasuese, duke u orientuar drejt ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm.
Pikërisht në këtë frymë, më 12 dhjetor 2018, unë aterova në aeroportin e Nairobit, i gatshëm për të avancuar lidhjet tona. Falë vizitave të shpeshta në shtetet afrikane, kisha mësuar disa shprehje miqësore; sapo zbrita, thash “Vipi WaKenya! (Përshëndetje Kenias!)”. Një përshëndetje që u mirëprit ngrohtësisht dhe shërbeu për të shprehur respektin dhe dëshirën për një miqësi të gjatë mes vendeve tona.
Pritja ishte zyrtare nga presidenti i asaj kohe, Uhuru Kenyatta.
Presidentit Kenyatta i’a përsërita me bindje: “Gëzohem që jam në Kenia, një komb me të cilin kemi një miqësi të thellë dhe që shpresoj të jetë e gjatë”.

2010 – 2024: Vitet e negociatave dhe vizitat kyçe
Në 19 prill 2019, Prishtina u bë dëshmitare e një ngjarjeje historike, kur zëvendëspresidenti i Kenias, William Ruto, zbarkoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte rreshtuar në mënyrë solemne, duke nderuar një lider ndërkombëtar të rangut të lartë.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e priti ngrohtësisht z.Ruto, duke shtrënguar duart me të si shenjë miqësie dhe vlerësimi të thellë.


Nga aeroporti, z.Ruto vazhdoi axhendën e tij në Prishtinë, ku zhvilloi takime të rëndësishme me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj. Këto takime u fokusuan në çështjet e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ajo ditë solli jo vetëm një hap të rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Kenias, por edhe një shembull frymëzues për angazhimin ndërkombëtar në ndërtimin e lidhjeve miqësore.


Kur mendoj për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kenias, më kujtohet me krenari momenti kur zëvendëspresidenti William Ruto u zgjodh President i Kenias më 9 gusht 2022. Ky ishte një hap i madh për Kenian dhe një mundësi e re për Kosovën.
Në mars 2023, pata nderin të udhëtoj në Nairobi për të forcuar këto lidhje. Gjatë vizitës sime, Presidenti Ruto njoftoi njohjen e pasaportës së Republikës së Kosovës – një hap konkret dhe historik që shënoi fillimin e bashkëpunimit zyrtar mes dy vendeve tona.

Më 10 korrik 2023, gjatë një takimi në pallatin presidencial në Nairobi, Presidenti Ruto shpalli një tjetër vendim të rëndësishëm: qytetarët kosovarë mund të udhëtojnë në Kenia pa viza. Ky ishte një moment që simbolizonte jo vetëm afrimin e dy vendeve, por edhe miqësinë e sinqertë që kemi ndërtuar ndër vite. Me humor, Presidenti Ruto tha se ndjehej “gjysmë kosovar,” një shprehje që reflektonte afërsinë dhe respektin e ndërsjellë.
Këto momente janë dëshmi e fuqisë së diplomacisë dhe e përkushtimit tonë për të ndërtuar ura bashkëpunimi. Jam krenar për këtë rrugëtim dhe për mundësitë që po krijojmë për të dyja vendet tona.

Pas dy takimeve të suksesshme në Nairobi, ku Kenia njohu pasaportën e Kosovës dhe hoqi vizat për qytetarët kosovarë, ne hymë në një epokë të re të marrëdhënieve tona.
Ishte një moment historik që dëshmoi vullnetin dhe përkushtimin e Kenias për t’i thelluar lidhjet tona. Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, takimi në New York, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2024, erdhi si një hap i natyrshëm për të forcuar edhe më tej këtë miqësi të kahmotshme.

Gjatë këtij takimi, unë dhe Presidenti Ruto patëm mundësinë të vazhdojmë dialogun tonë të bazuar mbi respektin dhe vlerat e përbashkëta. Diskutuam mbi hapa konkretë për të avancuar qëllimin tonë kryesor: njohjen e Kosovës si shtet sovran. Ishte një moment i rëndësishëm që përforcoi rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të ndritshme.
Pas një rrugëtimi të gjatë diplomatik dhe përpjekjeve të palodhura, më 26 mars 2025, në një ceremoni zyrtare, Presidenti i Kenias, William Ruto, nënshkroi Notën Verbale që konfirmonte njohjen e Kosovës si shtet sovran. Ishte një moment historik për vendin tonë dhe për marrëdhëniet tona me Kenian.

Gjatë nënshkrimit, Presidenti Ruto deklaroi: “Njohja e Kosovës si shtet i pavarur është një hap drejt forcimit të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Ky vendim reflekton vlerat tona të përbashkëta dhe përkushtimin tonë për të mbështetur të drejtën e popujve për liri dhe sovranitet.”
Këto fjalë ishin një dëshmi e mbështetjes së tij të sinqertë për Kosovën dhe për të ardhmen tonë si një shtet i njohur ndërkombëtarisht.

Nga ana ime, si përfaqësues i Kosovës, pata nderin të pranoj këtë dokument historik. Në atë moment, ndjeva një krenari të jashtëzakonshme për popullin tonë dhe për rrugën që kemi përshkuar. Unë theksova: “Kjo njohje është një fitore e madhe për Kosovën dhe një dëshmi e punës sonë të palodhshme për të ndërtuar marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme me komunitetin ndërkombëtar. Falënderoj Presidentin Ruto dhe popullin e Kenias për këtë akt të madh miqësie dhe mbështetjeje.”
Ky moment shënon një kapitull të ri për Kosovën dhe për marrëdhëniet tona me Kenian, duke hapur dyer të reja për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët.



Si raportuan mediat?
Ngjarja historike që u zhvillua në Nairobi në Kosovë u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, duke ngjallur emocion dhe krenari kombëtare. Pas katër vitesh pritjeje, erdhi njohja shumë e pritur për pavarësinë e Kosovës, me Izraelin që u bë shteti i fundit që njohu pavarësinë në shkurt të vitit 2021.
Ky zhvillim historik tronditi faqet kryesore të çdo gazete online, u pasqyrua në çdo program radiofonik dhe televiziv, duke u bërë temë qendrore e diskutimeve ndërkombëtare.




Reagimet nga spektri politik shqiptar
Njohja e Kosovës nga Kenia është një moment historik që ka ngjallur reagime të shumta dhe mirënjohje nga spektri politik shqiptar. Presidenti William Ruto i Kenias u vlerësua gjerësisht për vendimin e tij të guximshëm për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke hapur rrugën për marrëdhënie diplomatike dhe bashkëpunim të thelluar mes dy vendeve.
Një falënderim i veçantë iu adresua ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit, për përkushtimin dhe lobimin e tij të palodhshëm, që luajti një rol kyç në arritjen e kësaj njohjeje. Ky akt diplomatik është pritur me entuziazëm dhe krenari nga liderët shqiptarë, të cilët e shohin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.



Njohja e Kosovës nga Kenia është një dëshmi e fuqisë së diplomacisë së qëndrueshme dhe e angazhimit afatgjatë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo arritje duhet të shërbejë si një shembull për përpjekjet e ardhshme në sigurimin e njohjeve të tjera për Kosovën dhe forcimin e pozitës së saj globale.























